Zhvillim

Protestat me mozaikun e flamujve dhe thirrjeve njëetnike

Në Shkup mbrëmë u zhvillua protesta e dytë e radhës, e cila për dallim nga e para nuk kishte skenografinë e flamujve. Kryesisht ishin pankarta me thirrjet antiqeveritare dhe stop brutalitetit policor.

Turmat protestuese brohorisnin parulla kundër Qeverisë, por duke mbizotëruar edhe himni shtetëror maqedonas, që nuk njihet dhe është i padëshirueshëm nga shqiptarët.

Nata e parë e protestave që eskaluan me dhunë kishte një mozaik flamujsh atë maqedonas shtetëror e flamurin shqiptar.

Aktivistë të organizatës studentore “Plenumi Studentor” ishin ata që po mbanin flamurin shqiptar. Kjo organizatë studentore përbëhet edhe nga student shqiptarë, që studiojnë në Universitetin e Shkupit dhe që të parët nxitën protestat antiqeveritare në Maqedoni.

Por protestat e dy ditëve të fundit shpërthyen pasi publikimit të materialeve të përgjimeve nga opozita maqedonase, ku zbardhen detaje se si janë fshehur fakte dhe përgjegjësi nga ministrja e brendshme Gordana Jankulovska dhe kryeministri Nikola Gruevski lidhur me vrasjen e një të riu maqedonas Martin Neskovski nga ana e një pjesëtari të forcave policore, që ndodhi në natën e 5 qershorit të 2011 në Shkup, kur VMRO-DPMNE po festonte fitoren në zgjedhjet parlamentare.

Pikërisht ishte kjo revoltë nxorri qytetarët në protesta. Po ajo që ka nxitur debate është se a duhet që shqiptarët të dalin ose jo në këto protesta .

Valmir Hamidi, student nga Shkupi është një protagonistë që po merrë pjesë në protestat e organizuara kundër Qeverisë. “Unë personalisht po marrë pjesë dhe nuk dua të flas për të tjerët, është çështje personale. Por ajo që dua të them është se ka një homogjenizim etnik dhe kjo shihet në protesta. Dikur të valonte flamuri shqiptarë në mesin e turmave të tilla, do të përfundoje si mos më keq. Por shoh se ka një akceptim ndryshe, sepse flamuri shqiptar mbahet edhe nga maqedonas. Ky është një element ndoshta që mund të diskutohet. Nuk po hyj në detaje tjera se a janë skenarë apo çka janë”, thekson Valmiri.

Dilemat e mëdha janë edhe në mesin e përfaqësuesve të partive shqiptare, analistëve dhe intelektualëve shqiptarë.

Partitë politike kanë mendime të ndryshme rreth asaj se a duhet të përkrahen këto protesta. LSDM (Lidhja Social Demokrate Maqedonase) si udhëheqëse e frontit opozitar maqedonas së fundi po bën thirrje që edhe shqiptarët dhe komunitetet e tjera ti bashkëngjiten betejës për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Nikola Gruevski.

Anëtari i kryesisë së LSDM, Edmond Ademi me përkatësi etnike shqiptare thekson për albinfo se dilema që parashtrohet është dilemë e rrejshme.

“Situata është shumë e qartë ketu. O jeni kundër pushtetit të Nikola Gruevskit që më shumë se 10 vite na trajton si popull ashtu siç na trajton, madje edhe përgjimet tregojnë qartë se çka mendojnë për shqiptarët, o e përkrahni pushtetin e tij. Atë që e dij është se shumica absolute e shqiptarëve janë kundër këtij pushteti, dhe se një numër i madh i tyre përkrahin protestat. Ata që mundohen të manipulojnë me publikun me analiza se shqiptarët nuk duhen t`i përkrahin protestat, janë ata që përkrahin Gruevskin, dhe që kanë beneficione financiare dhe personale mu nga ky Gruevski. Si shqiptarë kemi shansin historik, që si qytetar të këtij shteti, të jemi pjesë e një republike të re! Ajo që na mungoi në fillim të viteve 90, e që nuk na e solli as 2001, e kemi sot këtu para neve”, thekson Ademi.

Sipas tij, gjithë duhet të përkrahin protestat kundër Gruevskit, sepse kjo nuk është luftë vetëm e LSDM-së apo vetëm e maqedonasve, por është luftë e 99% kundër 1%.

“Kjo është luftë kundër korrupsionit, krimit, nënçmimit, degradimit shoqëror, kulturor e kombëtar. Nëse dikush ka qenë vikitimë më e madhe e këtij pushteti janë mu shqiptarët”, theksoi Edmond Ademi.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani thekson se e drejta e protestës është e garantuar me Kushtetutë dhe se secili ka të drejtën të protestojë. Ai nuk dëshiron të hyjë në komente të tjera.

“E drejta e protestës është e garantuar me Kushtetutë dhe secili ka të drejtë të protestojë. Por, është me rëndësi që ato të jenë të qeta, që të mos ketë dëme në njerëz apo në pronat publike”, deklaroi Osmani.

Por njëri nga udhëheqësit e lëvizjeve të reja opozitare shqiptare, Ziadin Sela sqaron për albinfo dilemën lidhur me pjesëmarrjen ose jo të shqiptarëve.

“Çdokush mund të protestojë para një qeverie anti qytetare dhe antidemokratike, por shqiptarët dhe maqedonasit ashtu siç nuk janë të barabartë para kushtetues dhe ligjeve nuk mund të jenë të barabartë akoma edhe para protestave ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve. Shqiptarët janë të interesuar qe kjo qeverisje VMRO-BDI të shkojë në histori por nga ana tjetër më shumë se kaq janë të interesuar të rregullojnë përfundimisht përdorimin e gjuhës shqipe në gjithë shtetin, ndarjen e drejtë dhe proporcionale të buxhetit vendimmarrjen tërësisht konsensuale me formën e parlamentit dydhomësh dhe një pushtet lokal tërësisht të decentralizuar. Derisa nuk dëgjojmë publikisht nga kushdoqoftë politikan joshqiptar që të jenë të interesuar për të gjithë këta çështje atëherë nuk kemi pse të shpresojmë diçka”, deklaroi kryetari i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela.

Debatet po vazhdojnë edhe në mesin e analistëve dhe intelektualëve shqiptarë.

Analisti politik, Emin Azemi thekson se shqiptarët nuk duhet të jenë pjesë e këtyre protestave.

Shqiptarët nuk duhet të marrin pjesë në ato protesta ku roli i tyre do të reduktohej në një përdorim të shkurtët, vetëm sa për ta rrëzuar Gruevskin nga pushteti. Nuk është aspak fer që shqiptarët e paorganizuar brenda një platforme të marrin pjesë në një protestë e cila paraprakisht i ka të gjitha elementet e gatshme të strategjisë politike opozitare maqedonase. Të protestosh kundër regjimit të Gruevskit dhe të ndihmosh instalimin e një force tjetër politike e cila nuk ka dhënë kurrfarë garancie se Maqedoninë nesër mund ta bëj një shtet me parlament dydhomësh dhe me një linjë të qartë horizontale e vertikale të vendimmarrjes politike të shqiptarëve, ku buxheti dhe zhvillimi ekonomik do të jenë në përputhje me nevojat dhe resurset demografike e hapësinore të shqiptarëve, i ngjanë pikërisht garës që përshkruam pak më lartë. Involvimi i shqiptarëve në protesta nuk mund të përshkruhet simbolikisht edhe me tre flamujt e lidhur në protestë”, vlerëson analisti Azemi.

Profesori universitar Lubomir Frçkovski thekson se shqiptarët duhet të përkrahin rrëzimin sipas tij të diktaturës së instaluar nga dy partitë VMRO-DPMNE dhe BDI. Sipas tij, ajo që është më pozitive e shfaqur së fundi është partneriteti qytetar midis shqiptarëve dhe maqedonasve kundër këtij pushteti.

“Mendoj se nga kjo krizë e thellë politike doli diçka e mirë dhe që i duhet shoqërisë sonë. Pra bëhet fjalë për partneritetin e fuqishëm të maqedonasve, shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike, të cilët bashkë po ngrenë zërin kundër diktaturës aktuale. Kjo duhet të vazhdojë “, theksoi profesori dhe ish-kandidati për president i opozitës maqedonase, Frçkovski. Sipas tij, bëhet fjalë për rikthimin e demokracisë, të vërtetës dhe sundimin e së drejtës.

Pavarësisht këtyre debateve, ekzistojnë bindjet dhe ndarjet individuale mes shqiptarëve për të qenë përkrahë protestave ose jo kundër pushtetit aktual.