Lajme

Protesta në Prishtinë: kërkojnë drejtësi për vrasjet politike

Rreth 30 familje të veprimtarëve të LDK-së, të vrarë gjatë dhe pas luftës në atentate politike, kanë protestuar në Prishtinë duke kërkuar drejtësi për familjarët e vrarë

Për herë të parë, pas luftës në Kosovë, dhjetëra familjarë të ish veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë protestuar në Prishtinë duke kërkuar drejtësi për familjarët e tyre. Ata kërkuan nga autoritetet e rendit në Kosovë, që të zbardhen vrasjet dhe kriminelët të vihen para drejtësisë.

Në këtë protestë që u zhvillua para Qeverisë, morën pjesë rreth 30 familje të veprimtarëve të LDK-së, të vrarë gjatë dhe pas luftës në atentate politike. Ndërsa Këshilli Organizativ i Protestës kërkoi themelimin sa më të shpejtë të Gjykatës Speciale, për zbardhjen e rasteve të këtyre vrasjeve.

Doruntina Maloku, e bija e veprimtarit të vrarë të LDK-së, Enver Maloku, tani deputete, tha se familjarët kërkojnë themelimin e Gjykatës Speciale, që ajo t’i trajtojë edhe vrasjet ndërshqiptare.

“Në një deklaratë të përbashkët të familjeve tona, ne kemi kërkuar edhe themelimin sa më të shpejtë të Gjykatës Speciale, e cila do të duhej të merrej edhe me vrasjet ndër shqiptare të gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Familjet tona janë thellësisht të indinjuara me dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, jo vetëm atij vendor, por edhe të UNMIK-ut dhe EULEX-it”, tha ajo.

Shpresa e vetme e këtyre familjeve, siç tha Maloku, mbetet trajtimi i këtyre rasteve nga Gjykata Speciale.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Anton Çuni, tha se po punohet që të ngritën institucione të fuqishme, të cilat do të merren edhe me hetimin e rasteve të vrasjeve politike në Kosovë.

“Ne të gjithë po mundohemi që t’i ngritëm institucionet e fuqishme të cilat do të jenë të afta që të merren edhe me hetimet e vrasjeve me motive politike. Kjo është një barrë e jona e rëndë për shoqërinë e Kosovës dhe jam shumë skeptik që zhvillimi demokratik në vend është peng i kësaj situate”, tha ai, citon TG.

Ndryshe, janë shumë veprimtarë të LDK-së që janë vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovës, përfshirë këtu: Ahmet Krasniqin, Enver Malokun, Xhemajl Mustafën, Shaban Manajn, Smajl Hajdarajn, Tahir Zemajn, Ismet Rracin, Haki Ymerin, Shefki Popova, Bardhyl Ajeti etj.