Të tjera
Protesta masive në Serbi kundër minierave të litiumit, policia largon protestuesit prej dy stacioneve hekurudhore
Rreth orës 5:30 të mëngjesit të së dielës, forcat policore të Serbisë i kanë larguar protestuesit që kanë bllokuar dy stacione hekurudhore në qendër të Beogradit, qysh prej mbrëmjes së 10 gushtit.
Ata i kanë bllokuar stacionet hekurudhore “Beograd qendër – Prokop” dhe “Novi Beograd”, pasi kanë mbajtur një protestë në qendër të kryeqytetit serb, kundër planeve për mihje të minierës së litiumit.
Një protestues i ka thënë agjencisë së lajmeve Beta se gjatë intervenimit, zyrtarët policorë kanë përdorur mburoja për t’i larguar protestuesit prej stacionit policor “Beograd qendër – Prokop”.
Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se “në përputhje me ligjet e Serbisë dhe fuqitë ligjore”, është rikthyer trafiku hekurudhor.
Mes tjerash, është bërë e ditur se policia ka nisur proces penal kundër të gjithë pjesëmarrësve për pengim të trafikut publik ndërkombëtar dhe rrezik të sigurisë së qytetarëve.
Në protestën e 10 gushtit, protestuesit fillimisht kanë nisur marshin në qendër dhe më pas janë nisur drejt urës Gazella.
Atje janë ndarë në dy grupe dhe janë nisur drejt stacioneve hekurudhore.
Mijëra persona mbledhur në protestën e organizuar prej Aleancës së Organizatave për Ambientin e Serbisë, pasi Qeveria nuk e ka përmbushur kërkesën e protestuesve për të miratuar një ligj brenda 40 ditësh, që ndalon mihjen e litiumit dhe hapjen e minierave në luginën e lumit Jadar, në perëndim të Serbisë, prej kompanisë Rio Tinto.
Aktivisti dhe njëri prej organizatorëve të protestës, Zllatko Kokanoviq, ka thënë më 10 gusht se bllokadat do të zgjasin derisa të miratohet kërkesa për një ligj që ndalon eksploatimin e borit dhe litiumit.
Sipas tij, bllokadat do të organizohen në tri deri në pesë pika të tjera, nëpër qytete të ndryshme në Serbi.
Pas protestës së 10 gushtit, Rio Tinto ka vlerësuar se “është duke u kryer fushatë intensive e dezinformimit kundër projektit Jadar, përmes së cilës po përhapen lajme të rreme dhe pretendime të pavërteta, kinse projekti do të ketë ndikim shkatërrues në ambient dhe në shëndetin e njerëzve”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë thënë se synimi kryesor i protestës është “rrëzimi i Qeverisë”.
Vuçiq ka folur vazhdimisht me tone pozitive për projektin “Jadar”, dhe ka thënë se miniera e litiumit duhet të nisë punën më 2026, nëse “ofrohen garanci që nuk do të rrezikohet ambienti dhe jeta e njerëzve”.
Më 6 gusht, ministri serb i Shëndetësisë, Zoran Lonçar, e ka prezantuar një ekip të ekspertëve shëndetësorë, të cilët, sipas tij, do të vlerësojnë ndikimin e minierës së litiumit te shëndeti i njerëzve.
Disa ekspertë vendorë dhe të huaj vlerësojnë se procesi i eksploatimit të litiumit përcillet me pasoja në ambient, si dhe me ndotje të ujit dhe tokës./REL
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve