Shëndetësi

Propozohet që 6 muaj të pushimit të lehonisë të paguhet nga shteti

Shoqëria Civile ka kërkuar nga institucionet që pushimi i lehonisë të mbështetet nga shteti me një pagesë prej 70 për qind të pagës bazë, në gjashtë muajt e parë të pushimit.

Kjo, sipas tyre, do të shërbente në rritjen e natalitetit. Florina Duli nga IKS ka thënë se gratë në sektorin privat asnjëherë nuk e shfrytëzojnë deri në fund pushimin e lehonisë që u takon dhe, sipas saj, nëse barra e pagesës bie mbi shtetin, do të rritet numri i grave të punësuara.

Iniciativa Kosovare për Stabilitet dhe Fondacioni Friedrich Ebert thotë se propozimi i tyre përkohësisht do të jetë barrë për shtetin, por kjo vetëm deri në themelimin e fondit social. Për këtë kanë bërë të ditur se Shoqëria Civile po punon vazhdimisht në hartimin e legjislacionit që do të krijojë bazën për Fondin Social dhe në të cilin do të kontribuojë gjithë shoqëria.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka theksuar se janë në fazën e mbledhjes së ideve dhe se do të marrin më të mirën e propozuar nga të gjithë.