Kosova
Promovojnë Kosovën përmes alpinizmit
“Tani ky hobi që ne kishim filluar më shumë se një dekadë më pare është angazhim i yni i përditshëm duke promovuar Kosovën dhe gjithë rajonin anekënd botës", thonë në rrëfimin e tyre Taulanti dhe Ariani.
Vitet 2012-2013 kanë qenë pikënisje e një hobi që tashmë është shndërruar në thuajse punë të rregullt gjatë fundjavave. Promovimi i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare përmes alpinizmit është një detyrë e shokëve Taulant Hoxha dhe Arian Krasniqit, të cilët janë ndër themeluesit e agjencisë për turizëm “Superxplorers”.
Në një rrëfim për albinfo.at, ata tregojnë peripecitë, sfidat, vështirësitë por edhe anën e bukur të ecjes nëpër perlat e bukura të vendeve tona.
Albinfo.at: Një nga veprimtaritë tuaja si lloj hobi është alpinizmi, ecja në natyrë, turizmi, promovimi i vendeve të Kosovës dhe jo vetëm. Na thoni, si nisi e gjithë kjo dhe si po ecën?
Taulant Hoxha: Në fakt, gjithçka rreth aktiviteteve në natyrë (ecje, çiklizëm, kampim etj), në fillimet tona 2012-2013 e kishim filluar si hobi, duke zgjedhur të jemi aktiv veçanërisht në fundjava, dhe duke shfrytëzuar mundësinë që na jep vendi ynë, qasje shumë të lehtë në parqe kombëtare ku ka shumë shtigje për ecje apo çiklizëm, vend-lokacione fantastike për kamping etj. Dhe, tani ky hobi që ne kishim filluar më shumë se një dekadë më parë, është angazhim i yni i përditshëm për promovimin e Kosovës dhe gjithë rajonit, anekënd botës. Duke ftuar kësisoj, eksploruesit dhe aventurierët nga e gjithë bota që të vizitojnë natyrën e mrekullueshme të Kosovës.
Albinfo.at: Po çka më saktë është turizmi malor dhe cilat janë aktivitet tuaja?
Taulant Hoxha: Turizmi si tërësi është fushë shumë e gjerë, dhe në botë njihet edhe si industri pasi që ekonomitë e shumë vendeve janë të varura nga të hyrat që sjellë turizmi, dhe kështu turizmi ka shumë ndarje dhe nënndarje duke u zhvilluar në bazë të specifikave të secilit vend apo secilës gjeografi. Por, po ndalemi dhe po flasim për turizmin në Kosovë dhe më specifikisht për turizmin malor apo siç e quajmë ne turizmin e aventurës dhe natyrës. Ai ngërthen në vete aktivitete dhe programe të ndryshme të dizajnuara në mënyrë që të ofrojnë përvojë të veçantë për turistin i cili pëlqen aktivitetet në natyrë si: ecjet, ngjitjet e maleve, eksplorimin e florës dhe faunës, çiklizmi, kampingu etj. Ky është turizmi me të cilin ne merremi si “Superxplorers” (Agjencion tour-operator lokal, i specializuar në turizmin e natyrës dhe aventurës). Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e këtij lloji të turizmit, pasi këtu natyra ende është e egër, ushqimi është bio dhe i shëndetshëm, dhe qasja në natyrën e Kosovës është shumë e lehtë.
Albinfo.at: Çfarë ju shtyri juve të merreni me këtë punë?
Taulant Hoxha: Motivi kryesor është sepse jemi lindur dhe rritur në Prizren, qytet i rrethuar nga malet dhe nga natyra e egër, dhe nuk kishte si të ishte ndryshe. Por, të jem i sinqertë sigurisht që informacioni i ofruar nga interneti, duke parë vende të ndryshme në botë, duke parë këtë lloj turizmi se si organizohet dhe zhvillohet, sigurisht që ka qenë inspirim dhe motivim që të eksplorojmë mundësitë që ky lloj turizmi të zhvillohet edhe në vendin tonë.
Albinfo.at: A mendoni se ka turizëm në Kosovë?
Taulant Hoxha: Po, sigurisht që ka turizëm. Turistë nga e gjithë bota e vizitojnë Kosovën për motive dhe arsye të ndryshme. Sigurisht turizmi kulturor është ai që sjell më shumë turistë në Kosovë, por ajo që ne jemi duke parë kohëve të fundit është se, Kosova ka filluar të futet në hartën e destinacioneve turistike për turistët e natyrës dhe aventurës nga e gjithë bota, kryesisht me shtigjet ecjeve të kombinuara edhe me përvoja të tjera si (degustimi i ushqimit lokal, trashëgimia kulturore etj).
Albinfo.at: Çka kërkohet të vizitohet më shumë në Kosovë?
Taulant Hoxha: Nëse flasim nga perspektiva jonë, pra në llojin e turizmit në të cilin ne realizojmë aktivitetet tona, interesimi për të eksploruar natyrën e Kosovës është në rritje. Aktualisht ne jemi një nga tour operatorët e angazhuar në zhvillimin dhe promovimin e destinacionit turistik Shtegu i Ecjeve të Gjata „HIGH SCARDUS TRAIL” një shteg unik në modelin që është dizajnuar pasi bashkon 3 shtete: Kosovë, Maqedoni e Veriut, dhe Shqipëri. Fillon në Luboten dhe mbaron në Liqenin e Ohrit, pra përshkon gjithë parkun kombëtar Sharri. Ky shteg është hapur për turistët në vitin 2022 dhe këtë vit ne jemi duke operuar me sezon të plotë. Interesimi është i kënaqshëm kryesisht nga turistët evropianë (Gjermania, Austria, Belgjika etj), por si destinacion turistik është i ri dhe tani për tani po vazhdojmë angazhimin për promovimin e tij, duke arritur që ky destinacion të promovohet edhe në një prej mediave më prestigjioze në botë si „NATIONAL GEOGRAPHIC”.
Albinfo.at: A ka mjaft vende për t’u vizituar?
Taulant Hoxha: Kosova ka shumë vende që duhet vizituar nga turistët e huaj, por edhe që ia vlen të vizitohet edhe nga turistët vendas, veçanërisht nga diaspora e cila gjatë verës kalon pushimet në Kosovë. Angazhimi ynë është i përditshëm që Kosova të promovohet sa më shumë si destinacion turistik dhe turizmi të zhvillohet si një mundësi edhe për zhvillim ekonomik. Ne, këtë verë kemi pasur edhe një mini-projekt i cili kishte për qëllim që të promovojë Kosovën tek të rinjtë të cilët jetojnë në diasporë, duke organizuar një tour 7 ditor (pa pagesë) për një grup prej 15 të rinjsh nga Diaspora. Me anë të këtij aktiviteti kishim për qëllim të promovojmë natyrën e Kosovës tek diaspora jonë, dhe me anë të tyre edhe tek vendet ku ata jetojnë. Kosova ka vende të mrekullueshme për t’u vizituar, Kosova ka tregime unike për t’u dëgjuar, Kosova ka ushqime fantastike për tu shijuar, prandaj me punën tonë mundohemi që këto vlera dhe përvoja t’i promovojmë para gjithë botës.
Albinfo.at: Sa sillen qytetarët e Kosovës me turistët?
Taulant Hoxha: Mikpritja është vlerë e jashtëzakonshme që shqiptarët e posedojnë, e ruajtur dhe thelluar tek secili prej nesh brez pas brezi, dhe kjo sigurisht që vërehet nga turistët e huaj, prandaj edhe jemi komod dhe shumë të ngrohtë ndaj turistëve të huaj. Në secilin rast që ne komunikojmë dhe diskutojmë me një turist të huaj, pyetja e parë është “çfarë është kjo sjellje, pse jeni kaq miqësorë dhe të ngrohtë me të huajt?” dhe ne sigurisht ua shtjellojmë në detaje se sa e rëndësishme dhe sa shumë vlerë ka mikpritja në shoqërinë tonë, e sigurisht edhe kur ata kthehen në vendin e tyre në mesin e shumë gjërave dhe përvojave të mira që ata përmendin, mikpritja është gjithnjë e para.
Albinfo.at: A ka rrezik dhe vende të pa arritshme gjatë ushtrimit të alpinizmit nga ju dhe turistët e huaj?
Taulant Hoxha: Jo, Kosova nuk ka lokacione të rrezikshme ose të paarritshme, por sigurisht terrenet malore nuk janë të lehta. Gjithmonë rekomandojmë që këto terrene të eksplorohen në shoqëri të udhërrëfyesve lokal të cilët i njohin ato dhe mbi të gjitha njohin rreziqet potenciale që mund të hasen.
INTERESIMI PËR EKSPLORIM TË KOSOVËS, ËSHTË NË RRITJE
Eksplorimi për zbulimin e vendeve të reja gjithnjë në mbarë botën ka qenë dukuri interesante, derisa tek ne është në zhvillim për faktin se jemi vend që vetëm dy dekada kemi dal nga lufta. këtë verë kemi pasur edhe një mini-projekt i cili kishte për qëllim që të promovojë Kosovën tek të rinjtë të cilët jetojnë në diasporë, duke organizuar një tour 7 ditor (pa pagesë) për një grup prej 15 të rinjsh nga diaspora.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision Transmetuesi Zviceran SRG SSR ka zbuluar detajet e Konkursit të Këngës në Eurovision 2025 në Bazel....
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?