Të tjera

Promovohet albumi i Krenar Arifit me këngëtaren franceze Fanny LEEB

Sot më 6 maj do të promovohet albumi më i ri i këngëtarit shqiptar Krenar Arifi, i njohur si Keni, në bashkëpunim me këngëtaren franceze Fanny LEEB. Albumi titullohet “Heroes” dhe është i treti me radhë që sjellin dy këngëtarët me banim në Lozanë të Zvicrës.

Për këtë projekt ata kanë bashkëpunuar me Quincy Jones, i cili i ka njoftuar me producentin amerikan Alberto Bof, me të cilin kanë kompozuar shtatë këngë në Los Angeles, ndërsa tri këngë janë të kompozuar nga Krenar Arifi.

“Kënga “Heroes” emrin e të cilit e mban edhe albumi dhe dy këngë të tjera: “Hopes” dhe “Light it all” janë kompozime të mia”, thotë për albinfo.ch Krenari, i cili ka studiuar në Conservatoire de Lausanne, ku ka diplomuar si instrumentist për pedagogji dhe njehërësh është kompozitor për muzikë filmash. Albumi tashmë ka dalë në shitje në Zvicër dhe Francë, ndërkaq simpatizantët e këngëve të tyre nga vendet tjera të botës, mund ta gjejnë në Itunes.

Përveç bashkëpunimit me Fanny-in, Keni ka edhe dy albume të tjera me grupin “Guralumi” të cilat janë projekte Etno – jazz.

Puna dhe projektet e tij janë të njohura edhe në evente të njohura botërore. “Sa i përket kompozimeve për imazhe, në vitin 2004 kam kompozuar për lojërat olimpike të të rinjve të cilat janë mbajtur në Singapor. Një projekt tjetër ka qenë një kompozim që kam bërë për qeverinë e Argjentinës për promovimin e monedhës së re 100 pesos, etj”, shprehet ai.

Krenari për portalin tonë tregon edhe për planet e të ardhmes së tij si dhe për pjesëmarrjen në festivalin e njohur “Montreux Jazz Festival”. “Para një muaji kemi bërë një video-klip këtu në Zvicër për këngën Daddy Told i cili gjendet në youtube (https://ëëë.youtube.com/ëatch?v=HsYjHBHP1uM). Pas tri javësh do të dalë një videoklip tjetër për këngën “Hopes”, dhe projektet e radhës do të jenë videoklipe tjera, koncerte të shumta në Zvicër e Francë dhe në vende të tjera. Ekskluzivisht po ju informoj se më 15 korrik do të performojmë në festivalin e mirënjohur “Montreux Jazz Festival”, na thotë këngëtari dhe kompozitori Arifi.

Krenari dhe Fanny gjithashtu janë duke përgatitur një turne në Kosovë dhe Shqipëri, për datat e të cilit turne ende nuk janë përcaktuar.

Albinfo.ch