Kosova

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krime lufte në Suharekë, për personin në mungesë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit V.N., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës, veprimet penale janë kryer gjatë periudhës 1998-1999 në qytetin e Suharekës.

“I pandehuri, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasjen e dy viktimave M.A. dhe SH.A.,  si dhe plagosjen e të dëmtuarit SH.S.”, thuhet në njoftim

I akuzuari pritet të gjykohet në mungesë.

“Në mbështetje të neneve 234 par.2 dhe 303 par.7 të KPP-së, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të mbaj gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri V.N. është i paarritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 234 i KPP-së, për ngritjen e aktakuzës në mungesë”, thuhet tutje në njoftim.

Kjo çështje penale thuhet se tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.