Kosova

Prokuroria Speciale e Kosovës jep detaje lidhur me sulmin në Ibër-Lepenc

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, të shtunën, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin Special nga Prokuroria Speciale ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje të tjera.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se me këtë rast në stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”,  nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Me vendim të prokurorit dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar ku për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M. nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Ndërkaq, dje me vendim të Prokurorit është ndaluar edhe i dyshuari J.V. nga komuniteti serb, i cili ishte në kërkim lidhur me këtë vepër penale.

“Në shtëpinë e të njëjtit është kryer kontroll, ku janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i armëve dhe pajisjeve të tjera. Veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar”, bëhet e ditur në njoftim.