Kosova

Kosovë: Prokuroria Speciale do të hapë rast në bazë të një fotoje të publikuar sot

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin se me të marrë lajmin që deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka paraqitur një fotografi që, sipas saj, dëshmon dhunimin e një gruaje 35-vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, do ta hapë hetimin, ndërsa do të ftohet deputetja Brovina për dhënien e informacionit lidhur me viktimën, për të cilën ajo pohon se është e gjallë, si dhe dorëzimin e fotos dhe dëshmive që ajo pohon se i ka lidhur me këtë rast dhe raste të tjera.

Prokuroria Speciale njofton që vetëm pas publikimit të fotos nga deputetja Brovina e ka kuptuar për ekzistencën e kësaj dëshmie, pasi që deri tani për një fotografi të tillë nuk kemi pasur informata, as nga deputetja Brovina, e as nga dikush tjetër.

“Prokuroria Speciale i fton të gjithë ata që kanë dëshmi të ndryshme, si video, fotografi apo edhe dëshmi të tjera, të cilat mund të jenë të rëndësishme për identifikimin e kryerësve të mundshëm të veprave penale që lidhen me krimet e luftës, t’i sjellin në Prokurorinë Speciale, pasi që në një shtet ligjor provat dhe dëshmitë për krimet të pretenduara dorëzohen së pari në prokurori apo polici, e jo përmes mediave apo gjatë debateve parlamentare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.