Integrimi

Prokurori, rigjykim për vrasësin e Viganit, dënimi tepër i butë

Michael Scherrer ka thënë se Gjykata e Lartë duhet ta rishqyrtojë lartësinë e dënimit. “Është marrë një vendim që për mendimin tim është tepër i butë”

Vendimi që javën e kaluar Gjykata e Qarkut e Cyrihut ka marrë për dënimin me 16 vjet burg të vrasësit të Vigan Morinës (albinfo.ch ka raportuar) është konsideruar nga prokurori i lëndës si  jo adekuat me krimin. Për këtë arsye Michael Scherrer ka vendosur që çështjen ta çojë një shkallë më lartë, në Gjykatën e Lartë të Kantonit të Cyrihut.

Në korrik të vitit 2012 i riu 22 vjeçar me prejardhje kurde të Sirisë, Shivan M., para lokalit të njohur të  natës Kaufleute në Cyrih kishte vrarë duke e therur me thikë Vigan Morinën dhe kishte plagosur rëndë vëllain e tij, Visar Morinën.

Prokurori Scherrer ka thënë për televizionin SRF se Gjykata e Lartë duhet ta rishqyrtojë lartësinë e dënimit. “Është marrë një vendim që për mendimin tim është tepër i butë”.

Scherrer do të çojë më tutje në Gjykatën e Lartë edhe dënimet e dy ndihmësve në vrasjen e Viganit

Në procesin e përfunduar javën e kaluar në Gjykatën e Qarkut në Cyrih, prokurori kishte kërkuar 20 vjet burg për vrasje të rëndë për Shivan M. Trupi gjykues është pajtuar me emërtimin e krimit që e ka bërë prokurori por e ka ulu dukshëm masën e dënimit, nga 20 në 16 vjet.

Nga ana tjetër, mbetet të pritet nëse edhe avokati i të akuzuarit kryesor do të ushtrojë ankesë. Në mbrojtjen ee tij ai kshte kërkuar dënim me 12 vjet burg për vrasje me paramendim dhe për lëndim ë rëndë trupor.

Ndërsa Scherrer do të kërkojë që të anulohet edhe lirimi që u është bërë me vendim gjyqësor dy personave të akuzuar për ndihmë respektivisht lehtësi  të vrasjes. Ai kishte kërkuar pesë vjet burg  për personin që kishte ndihmuar në vrasje dhe 14 muaj burg me kusht për tjetrin, që e kishte lehtësuar vrasjen.