Intervista
Projekti “Hap-pas-Hapi” drejt menaxhimit të emocioneve të vështira
“Hap-pas-Hapi” është një program për mbështetjen e njerëzve që përjetojnë emocione të vështira. Ky program bazohet në njohuritë shkencore dhe ofrohet përmes një aplikacioni në formën e një tregimi dhe ushtrimesh.
Projekti për aplikacionin “Hap-pas-Hapi”, në realizimin e të cilit marrin pjesë dy universitete – i Cyrihut dhe ai Freie Universität Berlin – i kushtohet popullatës shqiptare në Zvicër dhe në Gjermani. “Emocionet vështira si mërzia ose stresi janë shumë të përhapura tek njerëzit në të gjithë botën. Prandaj “Hap-pas-Hapi” – në gjuhën shqipe – synon të ndihmojë personat shqipfolës, që jetojnë në Zvicër dhe në Gjermani, të përballojnë dhe të menaxhojnë më mirë këto emocione”, thotë në intervistën e saj për albinfo.ch. Mag. phil. Mirëlinda Shala.
Albinfo.ch: A mund të na tregoni pak rreth projektit “Hap-pas-Hapi”?
Mirëlinda Shala: Në ditët e sotme aplikacionet e telefonave dhe interneti janë të pranishëm kudo dhe rëndësia e tyre në fushën e promovimit të kujdesit shëndetësor po rritet gjithnjë e më shumë.
“Hap-pas-Hapi” është një program për mbështetjen e njerëzve që përjetojnë emocione të vështira. Ky program bazohet në njohuritë shkencore dhe ofrohet përmes një aplikacioni në formën e një tregimi dhe ushtrimesh. Dhe tani ne po e vlerësojmë programin në një projekt kërkimor.
Albinfo.ch: Si erdhi deri tek ky projekt-studim?
Mirëlinda Shala:Aplikacioni u zhvillua nga Freie Universität Berlin, përmbajtja (d.m.th. tekstet dhe ilustrimet) u sigurua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe u përshtat për popullsinë shqiptare nga Universiteti i Cyrihut. Origjinali në gjuhën angleze quhet “Step-by-Step” dhe ofrohet si pjesë e studimeve shkencore në vende dhe gjuhë të ndryshme. Projekti ynë hulumtues përqendrohet në versionin në gjuhën shqipe të quajtur “Hap-pas-Hapi”.
Albinfo.ch: Kujt i dedikohet ky projekt, dhe cili është grupi i synuar në këtë hulumtim?
Mirëlinda Shala:Emocionet e vështira si mërzia ose stresi janë shumë të përhapura tek njerëzit në të gjithë botën. “Hap-pas-Hapi” – në gjuhën shqipe – synon të ndihmojë personat shqipfolës, të cilët jetojnë në Zvicër ose Gjermani, të përballojnë dhe të menaxhojnë më mirë këto emocione.
Albinfo.ch: Cili është qëllimi i studimit? Çka synoni të arrini përmes projektit “Hap-pas-Hapi”?
Mirëlinda Shala:Qëllimi i studimit tonë është të krahasojmë dy versione të programit për të zbuluar se cili version është më i pranueshëm dhe cili ndikon më mirë.
Albinfo.ch: Përse ky studim i ofrohet popullatës shqiptare në Zvicer dhe Gjermani? Dhe pse keni zgjedhur t’a realizoni pikërisht në këto dy shtete?
Mirëlinda Shala:Studimi është rezultat i një bashkëpunimi midis Universitetit të Cyrihut në Zvicër dhe Freie Universität Berlin në Gjermani. Në këto dy vende, ne morëm miratimin nga Komiteti i Etikës për të kryer studimin. Meqenëse ky është një studim relativisht i vogël, donim të fusnim në kornizë vetëm këto dy vende. Në të ardhmen pritet që do të ketë më shumë hulumtime në lidhje me përshtatjen kulturore të ndërhyrjeve psikologjike, të cilat mund të zbatohen edhe në vendet e origjinës ose në vendet tjera të diasporës shqiptare.
Albinfo.ch: Kush bën pjesë në ekipin e angazhuar në këtë projekt?
PD Dr. Eva Heim drejton grupin e Psikologjisë Klinike Kulturore në Universitetin e Cyrihut. Që prej përfundimit të studimeve, ajo është marrë me tema kërkimore në Psikologjinë Klinike në kontekste të ndryshme kulturore, p.sh. në Bolivi dhe në Liban. Ajo ishte përfshirë kryesisht në zhvillimin e versionit të “Hap-pas-Hapi” në gjuhën angleze dhe po koordinon një studim shkencor me këtë ndërhyrje në Liban.
Mag. phil. Mirëlinda Shala është në fazën e fundit të doktoraturës së saj në Universitetin e Cyrihut. Ajo ishte e përfshirë kryesisht në procesin e përshtatjes kulturore të programit “Hap-pas-Hapi” për shoqërinë shqiptare. Në bazë të koncepteve ekzistuese teorike dhe metodave në Psikologjinë Klinike Kulturore, ajo shoqëroi programin nga origjinali në gjuhën angleze, drejt përkthimit e deri në krijimin e një versioni në gjuhën shqipe. Në disertacionin e saj kumulativ, të cilin ajo e boton në revista shkencore ndërkombëtare, ajo i prezanton, përveç procesit të përshtatjes kulturore të “Hap-pas-Hapi-t”, edhe një studim mbi konceptet kulturore të vuajtjes brenda komunitetit shqiptar në Zvicër.
Dipl.-Psych. Sebastian Burchert është punonjës shkencor në Freie Universität Berlin.
Si pjesë të veprimtarisë së tij në fushën e Psikoinformatikës në Departamentin e Ndërhyrjes Klinike-Psikologjike, zoti Burchert koordinon zhvillimin e infrastrukturave IT për studime shkencore në lidhje me aplikacione shëndetësore dixhitale, siç është “Hap-pas-Hapi”. Në kuadrin e doktoraturës së tij, zoti Burchert zhvillon dhe vlerëson koncepte që synojnë të mbështesin sistemet e kujdesit shëndetësor në sigurimin shëndetësor të grupeve vulnerabël nëpërmjet përdorimit të ofertave dixhitale.
MSc. Imer Pnishi sapo ka përfunduar studimet master për Psikologjinë Klinike në Universitetin e Cyrihut. Më pas do të fillojë trajnimin për psikoterapist. Teza e tij e masterit, e cila ishte e mbikëqyrur nga Dr. Eva Heim dhe Mag. phil. Mirëlinda Shala, adreson shkaqet e stresit emocional tek të rinjtë shqiptarë në Zvicër.
Njohuritë e marra nga teza e masterit ishin të rëndësishme për përshtatjen kulturore në “Hap-pas-Hapi”. Përmes tezës dhe bashkëpunimit të masterit të tij për projektin “Hap-pas-Hapi”, ai ishte në gjendje të zbulonte interesin e tij për Psikologjinë Klinike Kulturore. Në të ardhmen, ai dëshiron të kontribuojë në hulumtimin dhe zbatimin e ndërhyrjeve psikologjike. Për shkak të prejardhjes së tij të migracionit, tema është shumë afër zemrës së tij për të ndihmuar migrantët e brezave të tjerë dhe me origjina të ndryshme. Ai gjithashtu u dha zërin dy personazheve në tregimet e “Hap-pas-Hapi-t”.
BSc. Albulena Musa
Albulena Musa është duke përfunduar studimet master në Psikologjinë Klinike dhe Shëndetësore, si dhe Neuroshkencat Konjitive në Universitetin Fribourgut.
Në bashkëpunim me Universitetin e Cyrihut Albulena Musa është duke punuar temën e saj të masterit, me të cilën specializohet në psikoterapinë transkulturore dhe ekzaminon motivimin për psikoterapi të popullatës dhe kulturës shqiptare në ndërhyrjet vetë-ndihmëse. Rezultatet e hulumtimit të saj u përdorën në zhvillimin e “Hap-pas-Hapi”. Ajo mbështet projektin “Hap-pas-Hapi” si bashkëpunëtore shkencore në organizimin, implementimin, pjesëmarrjen në takime, punëtoritë e planifikimit dhe rekrutimin.
Anna Hoxha po përfundon ciklin Bachelor në Psikologji në Freie Universität Berlin dhe punon si studente ndihmëse në projekt. Ajo mori pjesë në procesin e përshtatjes kulturore të programit “Hap-pas-Hapi” dhe kryesisht u kujdes për krijimin, përkthimin dhe korrigjimin e teksteve në gjuhën shqipe.
Për më tepër, ajo organizoi diskutime në grupet e fokusit për të vlerësuar programin nga personat shqiptarë në Berlin. Së bashku me Mag. phil. Mirëlinda Shala ajo i drejtoi dhe moderoi grupet e fokusit Dhe pastaj ajo i analizoi vlerësimet për të përmirësuar tregimin në “Hap-pas-Hapi”. Ajo gjithashtu i dha zërin e saj të bukur një karakterit në tregime.
Albinfo.ch: Përmendet edhe aplikacioni smartphone, në kuadër të studimit “Hap-pas-Hapi”. A mund të na tregoni pak për përmbajtjen dhe mënyrën e përdorimit të këtij aplikacioni?
Mirëlinda Shala:Në program, pjesëmarrësit e studimit do të lexojnë një histori të shoqëruar me fotografi dhe audio dhe do të përfundojnë disa ushtrime të thjeshta ndërvepruese për t’i ndihmuar të menaxhojnë sfidat emocionale. Gjithashtu do të inkurajohen të praktikojnë në jetën e tyre të përditshme teknikat që mësojnë në program.
Albinfo.ch: Çfarë bashkëpunimi keni me mjekët shqiptare të kësaj fushë në Zvicër, dhe a kanë qenë ata të përfshirë në këtë projekt?
Mirëlinda Shala:Ne punojmë me specialistë shqiptarë që nga fillimi i projektit. Ata na japin këshilla dhe sugjerime të vlefshme mbi kulturën shqiptare dhe nevojat e popullsisë së emigrantëve shqiptarë në të dy vendet, Zvicër dhe Gjermani.
Gjithashtu i kemi ftuar disa herë për t’ua prezantuar programin nëpërmjet diskutimeve në grupin e fokusit.
Ata vazhdojnë të na mbështesin në kërkimin e personave që janë të përshtatshëm për të marrë pjesë në studim e për të provuar aplikacionin “Hap-pas-Hapi”.
Albinfo.ch: Dhe për fund, për çka do të përdoren apo thënë më mirë ku do të mund të implementohen të gjeturat e këtij studimi?
Mirëlinda Shala:Në këtë studim, ne duam të zbulojmë se cili nga dy versionet e “Hap-pas-Hapi” që kemi zhvilluar ndikon më mirë. Organizata Botërore e Shëndetësisë dëshiron ta bëjë programin në dispozicion në të gjithë botën për njerëzit të cilët nuk kanë ose kanë vetëm qasje të kufizuar në shërbimet e shëndetit mendor. Rezultatet tona do të ndihmojnë për të optimizuar programin.
Intervistën e realizoi Armend Berisha
Të tjera nga Intervista
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra Ndërsa rregullat e reja zvicerane do t'i bëjnë blerjet ndërkufitare më pak fitimprurëse për njerëzit nga...
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa