Tematike

Profesori zviceran: “Taksë 15 franga në ditë për të huajt që duan të jetojnë në Zvicër”

Sipas tij, të huajt duhet të vinë edhe më tutje por ata në pesë vitet e para të qëndrimit duhet të paguajnë një lloj takse “të vogël”: 12 deri 15 franga në ditë!

A e favorizon apo e dëmton Zvicrën prania e të huajve, e migracionit, është një pyetje, e cila përgjigjen e merr në varësi nga orientimi politik i atij që përgjigjet. Kështu, krahu konservativ populist e ka të gatshme përgjigjen negative ndërsa ai liberal dhe kryesisht i majtë, këmbëngul në të mirat që i sjell Zvicrës krahu punëtor me prejardhje nga jashtë, shkruan albinfo.ch.

Në këtë fushë tensioni, profesori i politikës ekonomike në Universitetin e Friburgut, Reiner Eichenberger ka prezantuar një këndvështrim të habitshëm lidhur me atë se si duhet të zgjidhet problemi i të huajve në Zvicër, shkruan srf.ch. Ai mendon shkoqur se të huajt aktualisht më shumë i shkaktojnë dëm Zvicrës se sa që “ju shihet hajri”.

“Migracioni sot më shumë e dëmton Zvicrën se sa i shërben për të mirë asaj. Popullata në Zvicër shtohet për çdo vit për rreth 1 për qind. Kjo sjell më tepër CO2, më shumë kolona në rrugë dhe mungesë më të madhe të mësuesve në shkolla”.

Për këtë arsye Eichenberger kërkon një politikë të re migracioni. Edhe lirinë e lëvizjes duhet interpretuar në mënyrë të re, thotë ai. Dhe më interesantja: migrimi në Zvicër nuk duhet të bëhet më falas për ata që vijnë, transmeton albinfo.ch. Një lloj “takse turistike” për të huajt duhet të vihet, thotë ekonomisti zviceran. Sipas tij, të huajt duhet të vinë edhe më tutje por ata në pesë vitet e para të qëndrimit duhet të paguajnë një lloj takse “të vogël”: 12 deri 15 franga në ditë!

“Ne kemi shpenzime shumë të larta, të shkaktuara nga migracioni, sikur të bëhej më në fund një llogaritje e vërtetë e tyre…”, thotë ai. Dhe, i pyetur nëse migrantët potencialë mund të frikësoheshin nga një masë e tillë, përgjigja e tij është: Po, faleminderit).

Fakti se ndërkohë gjithnjë më pak njerëz nga vendet e BE-së migrojnë në Zvicër dhe që migrimi neto është përgjysmuar, sipas Eichenbereger-it nuk shpjegohet vetëm me përmirësimin e gjendjes ekonomnike të migrantëve potencialë në vendet e tyre, përcjell albinfo.ch. Kjo, sipas tij shpjegohet edhe me faktin se Zvicra tashmë është stërmbushur dhe është bërë jo tërheqëse për ta.

Në të njëjtën kohë, shumica e madhe e studiuesve, kolegëve të profesorit në fjalë, kanë mendim të kundërt me të. Sipas tyre, Zvicra, miëqenien e saj ia detyroin në masë të madhe të huajve, transmeton albinfo.ch. Për më tepër, të huajt paguajnë më shumë taksa në krahasim me vendësit, ka thënë Fabian Schnell, hulumtues në organizatën Thunktank “Avenir Suisse”.