Kosova

Profesori universitar nga Zvicra: “Studentët e mjekësisë në Prishtinë, në nivel me studentët zviceranë”

"Prof Dr. Florim Cuculi: "Pyetjet e tyre ishin shumë interesante, të tilla që unë nuk kisha dëgjuar te studentët e mi. Ata ishin të etur për dije e njohuri dhe kjo rini është shpresa e Kosovës"

Profesori universitar i Zvicrës: “Studentët e mjekësisë në Prishtinë, në të njëjtin nivel me studentët zviceranë”. Ai e ka thënë këtë në fund të kongresit Swiss Medical School të organizuar në Prishtinë nga Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës me pjesëmarrjen e rreth 200 studentëve e mjekëve të rinj të Kosovës.

Albinfo.ch ka raportuar për kongresin dyditor të LMSHZ-së, ku mjekë shqiptarë të Zvicrës, të fushave të ndryshme të mjekësisë, kanë ligjeruar para studentëve të mjekësisë, duke shkëmbyer përvojat e punës në formën e workshop-eve.

Në vazhdim, mund të lexoni intervistën tonë me profesorin universitar të Luzernit, kardiokirurgun e njohur dhe kryetarin e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, Prof. Dr. Florim Cuculi.

I pyetur mbi përshtypjet e tij dhe nivelin e përgatitjes së studentëve të mjekësisë së Prishtinës, ai deklaron për albinfo.ch se “Fakti që kishte një interesim kaq të madh tregon që ka një etje për dituri. Te unë qëndruan të gjithë deri në fund. Askush nuk doli jashtë, askush nuk u largua. Gjatë “workshop”-it nuk bisedonin për gjëra jashtë temës. Ishin shumë të përqendruar e vigjilent dhe këta që ishin pjesëmarrës ishin tejet të përgatitur.

Kishim rreth 600 kërkesa për pjesëmarrje, mirëpo ne ishim të kufizuar në maksimum 150 deri në 200 pjesëmarrës. Kështu ishte edhe para ara një viti kur kisha një grup tjetër studentësh, që tani shumica janë mjekë. Edhe ata kanë qenë ekzakt kështu të motivuar e të përgatitur”.

Duke parë mënyrën e ligjërimit interaktiv të profesorit universitar, i kërkojmë kardiokirurgut një krahasim mes studentëve të Prishtinës dhe studentëve të tij zviceranë në Zvicër, duke e kujtuar atë që përpos problemeve në sistemin shëndetësor, Kosova vuan mjaft nivelin e ulët të arsimit nga ku rezultatet e Pisa-as janë zhgënjyese.

“Tek këta që unë i përjetova gjatë këtyre dy ditëve, nuk pashë dallim me studentët e Zvicrës. Në fakt unë isha tejet i mahnitur e i emocionuar sa të mirë që ishin. Është mirë që unë vij këtu në rolin e mësuesit, por është edhe më mbreslënëse kur i vëren që disa gjëra që ti dëshiron t’ua mësosh, ata tashmë i dijnë dhe janë ballafaquar më to”, shprehet Prof. Dr. Cuculi.

“Një rast shumë interesant që dua ta ndaj me ju, është një EKG tepër e vështirë për ta interpretuar që kisha përgatitur për fund dhe jam i sigurt që edhe në Zvicër shumë mjekë do të kishin vështirësi ta intepretonin. Madje nuk e di as unë si mjek i ri a do të kisha ditur ta interpretoja. Unë si me tallje thashë para studentëve se nëse dikush nga ju di ta interpretojë këtë EKG, ne ia mundësojmë të vini një javë punë praktike te unë dhe një javë tjetër te doktor Mentor Bilali. Studenti që u paraqit, e kuptonte plotësisht këtë EKG. Për ta interpretuar një EKG duhet të jesh observues shumë i mirë dhe duhet të kesh një analitikë të zhvilluar”.

Rreth asaj se a nënkupton kjo hapin tjetër logjik, të shqyrtimit të mundësisë për t’ju ofruar praktikë studentëve të Kosovës në spitale të Zvicrës, doktor Cuculi beson se disa prej tyre mund ta mbajnë praktikën në Zvicër.

“Ne do ta diskutojmë këtë me kryesinë e LMSHZ-së, do të shohim mundësitë dhe përmes një seleksionimi do të angazhohemi për t`i sjellë ata në Zvicër, sepse këta studentë të mrekullueshëm kanë nevojë të ballafaqohen edhe me një lloj modeli tjetër të punës e shkollës.

Pyetjet e tyre ishin shumë interesante, të tilla që unë nuk kisha dëgjuar te studentët e mi. Ata ishin të etur për dije e njohuri dhe kjo rini është shpresa e Kosovës”.

Studentët, nga ana tjetër, deklaruan që janë mjaft të befasuar për të mirë me qasjen e ligjëruesve ndaj tyre, duke veçuar barazinë dhe afërsinë që tregonin mjekët e Zvicrës në diskutim me ta.

Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës e ka vlerësuar në fund kongresin e titulluar Swiss Medical School 2022 si tejet të suksesshëm dhe ka filluar qysh tani përgatitjet për organizimin e Swiss Medical School 2023, shkruan albinfo.ch.