Integrimi
Prof. Dr. Schader: Pa përpjekjet e duhura, shqipja në Zvicër rrezikon të shuhet pas dy brezave
“Pa përpjekjet e duhura ka rrezik që shqipja pas 2, 3 brezave ndoshta jo të humbet krejt, mirëpo të mbetet mbi një nivel shumë të ulët, të kufizuar në kompetenca komunikative fort të thjeshta, të kufizuara në trajtën dialektore”
Prof. Dr. Basil Schader është gjermanist, albanolog, didaktik gjuhësor dhe autor zviceran. Është autor i botimeve shkencore, i materialeve mësimore, i manualeve didaktike, i teksteve artistike dhe përkthyes letrar nga shqipja. Në mesin e komunitetit shqiptar të Zvicrës ai njihet më shumë për ndihmesën e madhe që përgjatë viteve ka dhënë në përpilimin e teksteve për mësimin e gjuhës shqipe në kuadrin e mësimit plotësues të shqipes, në Zvicër.
Deri në pensionimin e tij, Dr. Schader ka punuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut ku ai ka drejtuar sektorin e gjermanishtes si gjuhë e dytë.
Profesori Schader, duke qenë i doktoruar edhe në albanologji, në Universitetin e Tiranës është mbase zvicerani i vetëm që është marrë profesionalisht me studimin e shqipes, gjegjësisht me ndërveprimin e gjuhës shqipe me atë gjermane. Ai është autor i veprës studimore “Albanischsprachige Kinder und Jugendliche in der Schweiz. Hintergründe, schul- und sprachbezogene Untersuchungen”, (Fëmijët dhe të rinjtë shqipfolës në Zvicër. Studime në lidhje me sfondin, shkollën dhe gjuhën).
Intervistën në vijim, e kemi zhvilluar në gjuhën shqipe.
Albinfo.ch: Gjuha shqipe, edhe sipas statistikave më të reja, është gjuha e huaj me më së shumti folës, në Zvicër, pas anglishtes. Konstatimi në fjalë ngre natyrshëm edhe pyetje përkatëse: Duke ditur numrin e folësve, pra “sasinë” e tyre, tani, cila është “cilësia” gjegjësisht, ku është e pranishme shqipja, jashtë ambienteve ku banojnë dhe frekuentojnë shqiptarët këtu?
Basil Schader: Prioritetin e kanë patjetër ambientet ku banojnë dhe të cilat i frekuentojnë shqiptarët, p.sh. në familje, në grupe kolegësh/kolegesh, nëpër klube, xhami etj. Jashtë këtyre ambienteve shqipja është e pranishme edhe në vendet pune me shqiptarë/e, p.sh. nëpër spitale, dyqane, zyra etj., si dhe në mediat sociale digjitale si facebook etj. Mos të harrojmë edhe shkolla me nxënës shqipfolës/e, ku p.sh. në oborre shpeshherë mund të dëgjohet shqipja. Cilësia gjuhësore e shqipes jo rrallë është e kufizuar në trajtën dialektore, në përdorimin gojor dhe në një fjalor mjaft të thjeshtë, i cili mjafton për komunikimin me familjen dhe me shokët, por jo për tema më kërkuese me fjalor të veçantë. Atë e kanë sidomos nxënës/e shqiptarë më shpesh në gjuhën e vendit e të shkollës (p.sh. gjermanishtja e lartë dhe dialekti zviceran), në të cilën ndihen më të sigurt. Përdorimi me shkrim, të cilin mund ta vëzhgojmë në mediat sociale digjitale, shpesh dëshmon për aftësi tepër të kufizuara sa i përket drejtshkrimit dhe përdorimit të shqipes standarde (gjuha letrare).
Albinfo.ch: Dihet se themelet e studimit të shqipes janë hedhur kryesisht në hapësirën kulturore gjermane, si në Austri dhe Gjermani. A mund të flitet për ndonjë traditë, qoftë dhe modeste, të studimit të shqipes ose të studimeve albanologjike edhe në Zvicër?
Basil Schader: Në krahasim me Austrinë dhe Gjermaninë, Zvicra nuk ka një traditë albanologjike të ngjashme, as albanologë të njohur si Johann von Hahn, Franc Nopça, Norbert Jokl e të tjerë. Megjithatë, ka të paktën ca projekte albanologjike në universitetet e Cyrihut e të Baselit. Me vlerë tepër të madhe janë po ashtu hulumtimet dhe botimet që i bëjnë Instituti Shqiptar në St. Gallen (https://albanisches-institut.ch/) dhe ISEAL-i (Institut suisse d’études albanaises) në Lozanë (iseal.ch); të dyja të themeluara në bazë të iniciativave nga ana shqiptare.
albinfo.ch: Ju keni qenë, i vetmi studiues nga Zvicra që merret me studimin e gjuhës shqipe, pra, i vetmi albanolog, me sa dimë. Keni publikuar edhe libër pikërisht mbi gjuhën shqipe në Zvicër (Albanischsprachige Kinder und Jugendliche in der Schweiz. Hintergründe, schul- und sprachbezogene Untersuchungen). A jeni duke punuar ende në studimin e shqipes gjegjësisht ndërveprimit të saj në arealin e gjermanishtes?
Basil Schader: Për fat të keq jo. Pas pensionimit nuk i kam më mundësitë dhe përkrahjen institucionale që i kisha nga ana e Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut, në gjirin e së cilës i bëra studimet që i përmendët. Tani, merrem sidomos me përkthime të veprave letrare të shqipes dhe të librave me vlerë etnologjike dhe shoqërore, si dhe me veprat e mia letrare, shih në https://de.wikipedia.org/wiki/Basil_Schader.
Albinfo.ch: Në gjithë Zvicrën nuk ka asnjë seminar ose katedër universitare që ofron mësimin e gjuhës shqipe. Ndërkohë, gjuhë me shumë më pak folës, si gjuhët sllave mësohen, të paktën në tre universitetet e mëdha të Zvicrës Gjermane. Është folur pak vite më parë rreth planeve për një katedër ose seminar të gjuhës shqipe në Bernë gjegjësisht në Cyrih. A keni njohuri, është bërë ndonjë hap konkret në këtë drejtim?
Basil Schader: E di që është folur shumë për një katedër të gjuhës shqipe në Zvicër dhe janë bërë mjaft përpjekje në këtë drejtim, mirëpo, me sa di unë, deri sot nuk është realizuar asgjë, gjë që më vjen shumë keq. Ndër arsyet mund të llogariten aspektet financiare, si dhe mungesa e një tradite albanologjike në Zvicër. Krahasimi me seminaret sllavistike, siç i kanë disa universitete, është pak i vështirë, sepse gjuhët sllave përfshijnë krejt një grup gjuhësh, prej rusishtes deri në kroatishten, çka me siguri e ka lehtësuar themelimin e instituteve përkatëse.
Albinfo.ch: Nëse do të hapej një katedër ose seminar, a mendoni se ekziston kuadri përkatës, nga shqiptarët (por dhe zviceranët) e këtushëm?
Basil Schader: Besoj se ka njerëz të aftë sidomos për funksionet e mesme (‘akademischer Mittelbau’, d.m.th. asistentë/e, bashkëpunëtorë/e shkencorë etj.). Kurse për shefin apo shefen e katedrës ndoshta, të paktën në fillim, do të duhej të kërkohej dikush nga jashtë, qoftë nga trojet shqiptare, qoftë p.sh. nga katedra albanologjike e Universitetit të Munihut. Vetëkuptohet që qëllimi afatmesëm duhet të jetë kualifikimi i personelit akademik nga burimet e këtushme.
Albinfo.ch: Për ruajtjen dhe kultivimin e shqipes tek shqiptarët e brezit të dytë, të tretë e më tutje, nevojitet në radhë të parë një rrjet funksional i shkollës shqipe në Zvicër. Ky rrjet ndërkaq, në vend se të zgjerohet e forcohet, është dobësuar shumë, në krahasim me dy ose tri dekada më parë. Ju e njihni mirë problematikën. Si albanolog dhe mik i shqiptarëve keni dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër. Prandaj, a mendoni se ky është “fati i parashkruar” që çon drejt bjerrjes së pashmangshme të shqipes jashtë vendit te origjinës apo ka ende shpresë?
Basil Schader: Ju e vini gishtin mbi një dukuri vërtet tragjike. Për mësimin plotësues shqip në Zvicër kemi zhvilluar tekste mësimore jashtëzakonisht të dobishme dhe kemi organizuar seminare trajnuese, prezantime etj. Pra, në këtë drejtim s’mungon asgjë. Çka mungon, ndërkohë, janë nxënësit/et që e vijojnë këtë mësim. Arsyet janë të ndryshme: Nga ana e prindërve shqiptarë mosinteresimi për këtë mësim (sepse ata nuk marrin vesh me sa rëndësi është zhvillimi i një identiteti dygjuhësor/dykulturor dhe me sa vlerë mund të jenë njohuritë e shqipes edhe në tregun e punës), nga ana e nxënës/eve mungesa e interesimit, edhe për arsye që ekziston një konkurrencë e fortë me aktivitete të tjera për ta kaluar kohën e lirë (sport, games etj.), dhe nga ana e shtetit zviceran apo të autoriteteve kantonale integrimi fare i pamjaftueshëm i mësimit plotësues (jo vetëm shqip) në sistemin dhe orarin shkollor të shkollës zvicerane.
Shpresa ime është që me iniciative të reja dhe me një bashkëpunim të përmirësuar me institucionet zvicerane situata katastrofike momentale mund të zbutet disi. Më e mira do të më dukej integrimi i mësimit plotësues në orarin e zakonshëm, kështu që p.sh. çdo të martë prej orës 10-12 të gjithë nxënësit/et e një shkolle do të shkonin në mësimin plotësues të gjuhës amtare të tyre (duke përfshirë edhe nxënës/e vendas, të cilët do të shkonin në një kurs për gjuhë dhe kulturë zvicerane). Një eksperiment i tillë është bërë me shumë sukses në Bazel (shkolla St. Johann), mirëpo, me sa di unë, nuk është përsëritur tjetërkund.
Pa përpjekjet e përmendura ka rrezik që shqipja pas 2, 3 brezave ndoshta jo të humbet krejt, mirëpo të mbetet mbi një nivel shumë të ulët, të kufizuar në kompetenca komunikative fort të thjeshta, të kufizuara në trajtën dialektore dhe pa përfshirë kompetencat letrare (shkrim dhe lexim). Kështu që fëmijët e të rinj/të reja përkatëse do të mbeteshin pak a shumë analfabetë në gjuhën amtare të tyre. Kjo do të ishte një perspektivë mjaft deprimuese.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve