Zhvillim

Produktet “Made in Kosova” gjithnjë e më cilësore

Prodhuesi i mishrave “MEKA”, është kompania e cila ka fituar çmimin e lartë ndërkombëtar për cilësi nga Business Initiative Directions (BID) me seli në Madrid të Spanjës

Produktet vendore gjatë viteve të fundit kanë ngritur cilësinë. Përfaqësues të bizneseve në Kosovë tregojnë se janë plotësuar edhe standardet ndërkombëtare të përcaktuara me ligj.

Së fundi prodhimet e Kosovës kanë arritur të marrinë çmim të lartë ndërkombëtar për cilësi.

Prodhuesi i mishrave “MEKA”, është kompania e cila ka fituar çmimin e lartë ndërkombëtar për cilësi nga Business Initiative Directions (BID) me seli në Madrid të Spanjës.

Burim Piraj, pronar i kësaj kompanie, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk duhet të dyshohet se produktet vendore nuk janë cilësore.

“Tani e 23 vjet kemi qenë të përqendruar shumë në cilësinë e produkteve tona, por cilësia është një gjë komplekse që nuk mund të arrihet vetëm me dëshirë, por arrihet me punë dhe teknologji”, tregon Piraj.

Përkushtimi i tyre në ngritjen e cilësisë së produkteve, shton Piraj, ka bërë që të ketë rritje të shitjes së produkteve të tyre për 20 për qind në këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sidoqoftë, bizneset në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të shumta gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Në mungesë të infrastrukturës së nevojshme, shumë herë produktet e tyre nuk mund të jenë konkurrente në treg.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se kompanitë e mëdha prodhuese të huaja që kanë treg në Kosovë, janë aq të fuqishme në marketing e lobim, gjë që, siç shprehet Shahini, po i vendos prodhuesit vendorë në pozitë jo të barabartë.

“Vlerësimi që po iu bëhet produkteve vendore nga mekanizmat ndërkombëtarë për cilësi të produkteve, është një fakt që duhet të rritet konsumimi i këtyre produkteve nga qytetarët”, shprehet Shahini.

Ndryshe, zhvillimi ekonomik i një vendi lidhet ngushtë me zhvillimin e prodhimtarisë. Në rast të rritjes së konsumit të produkteve vendore, rrjedhimisht do të zhvillohet edhe ky sektor.