Lajme

Produket me cilësi tjetër në Evropë, tjetër në Ballkan

Një pjesë e prodhimeve që shiten në vendet e Ballkanit si brende të njohura, nuk posedojnë të njëjtën cilësi ashtu siç shiten në tregjet e vendeve evropiane

Sic raporton gazeta “Koha” e Shkupit duke cituar ekspertët kjo është praktikë e kompanive të mëdha, që edhe prodhimin e dedikojnë enkas për këtë treg me shtrirjen e prodhimtarisë në Evropën lindore.

Sipas ekspertëve, prodhuesit nuk kanë obligim që të shesin mall me të njëjtën cilësi në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, por kryesorja është që të respektohen principet themelore që garantojnë sigurinë e prodhimeve ushqimore si dhe respektimin e etiketimit të drejtë të mallit.

Në Shoqatën e Konsumatorëve të Maqedonisë thonë se janë të vogla ankesat e tilla nga konsumatorët lidhur me kualitetin e dobët të mallit që vjen nga BE, por megjithatë kjo nuk do të thotë kjo dukuri nuk është prezentë në tregun e Maqedonisë.

“Edhe ne e kemi vërejtur dallimin e cilësisë së një pjesë të prodhimeve në Maqedoni dhe rajon në raport me Bashkimin Evropian. Kjo çështje nuk tangon vetëm vendet e Ballkanit, por si problem është ngritur edhe në raport të shteteve të reja dhe të vjetra anëtare të BE-së. ”, thotë për “Koha” Marija Llonçar-Vellkova, kryetare e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë.

Dallimin në cilësi të prodhimeve mund ta vërejnë edhe mërgimtarët si dhe qytetarët e tjerë që udhëtojnë te të afërmit e tyre në Evropën perëndimore që kanë konstatuar se për shembull markat e njohura të çokollatës në tregun e rajonit shpesh kanë më pak kakao se në vendet e Evropës perëndimore, detergjentet lajnë më dobët, ndërsa “Nutella” për tregun e Evropës juglindore shitet me përmbajtje më të vogël të lajthisë.

Paralajmërimet e shoqatave të rajonit dhe evropiane për mbrojtjen e konsumatorëve për cilësinë e prodhimit të të njëjtit brend, por me cilësi më të dobët në vendet e Evropës lindore, nga ana e prodhuesve arsyetohet me nevojat e ndryshme të konsumatorëve dhe shijet e popullatës lokale.

Dallimet në kualitet të prodhimeve që shiten në rajon dhe BE shpjegohen edhe me hulumtimet e tregut, që nënkupton se prodhimet janë të përshtatura sipas nevojave dhe kërkesave të ndonjë hapësire gjeografike.

Të njëjtat dallimet janë theksuar edhe në anëtarët e reja të BE-së si Kroacia, ku konsumatorët në këtë shtet ankohen se blejnë prodhime jo të dedikuara për perëndimin, por të dedikuara për tregun e Evropës Lindore.

“Në rast se prodhimi me cilësi më të ulët akoma kënaq kriteret e sigurisë në nivel evropian dhe nëse posedon përmbajtjen e qartë dhe të vërtetë, atëherë në këto dy raste nuk ka hapësirë për aksione juridike”, është shprehur komisari evropian për mbrojtjen e konsumatorëve, Neven Mimica.