Lajme

Prodhuesi kinez i makinave elektrike hyn në Zvicër

Modelet e para në shitje janë Seal Sedan dhe Sealion 7 SUV – që kushtojnë afro 50,000 CHF

Prodhuesi më i madh në botë i makinave elektrike, BYD, ka hyrë zyrtarisht në tregun zviceran me hapjen e degës së saj të parë në Cyrih, transmeton albinfo.ch.

Kompania kineze ka ambicie të mëdha për të ndërtuar një prani të fuqishme në Evropë. Ajo planifikon të hapë dyqane në të gjithë kontinentin, duke synuar të pozicionohet si një “lojtar serioz” në tregun evropian të automjeteve elektrike.

Vetëm vitin e kaluar, BYD prodhoi rreth 150,000 makina më shumë se Tesla, duke e bërë atë lider global në këtë sektor.

Në Zvicër, modelet e para të ofruara janë Seal Sedan dhe Sealion 7 SUV, me një çmim prej rreth 50,000 CHF. Me këtë pozicionim, BYD po synon segmentin e sipërm të tregut, ndërsa nuk ka futur ende modelet e saj më të lira, të cilat i prodhon për tregje të tjera.

Sipas ekspertëve të automobilizmit, kjo qasje është e qëllimshme, pasi infrastruktura e karikimit në Zvicër ende nuk është mjaftueshëm e zhvilluar për të përballuar një valë të madhe të automjeteve elektrike me kosto të ulët.