Gjuha

Probleme gjuhësore në mjedise dygjuhëshe shqip-frëngjisht

Zhvillimi i dygjuhësisë shqip frëngjisht në bashkësinë shqipfolëse është i mundshëm përmes mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe vijon të jetë edhe një gjuhë kulture e folur, por edhe e shkruar

Një nga ngulimet ku jetojnë dhe punojnë shumë shqiptarë të Zvcrës është edhe Kantoni  Jura, trevë shumetnike dhe shumë gjuhësore, trevë e kryqëzimit të pandërprerë të popujve, gjuhëve dhe kulturave. Në Jura me një demokraci shembullore dhe mjedis të përshtatshëm respektohet gjuha, prejardhja dhe kultura e banorëve të ardhur, përfshirë edhe ajo shqiptare.

Zhvillimi i dygjuhësisë shqip frëngjisht në bashkësinë shqipfolëse është i mundshëm përmes mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe vijon të jetë edhe një gjuhë kulture e folur, por edhe e shkruar. Nxënësit që vijnë për të mësuar gjuhën shqipe shumica rrjedhin nga familje shqiptare njëgjuhëshe d.m.th me të dy prindërit shqiptarë.

Marrëdhëniet martesore midis shqiptarëve dhe grupeve tjera etnike vijnë duke u shtuar ka edhe nxënës me familje dygjuhëshe me prindër të përzier, rastet më të shpeshta janë baballarë shqiptarë e nëna zvicerane por edhe nëna italiane, spanjolle etj. Kohëve të fundit ka nxënës me baballarë zviceranë dhe nëna shqiptare. Në disa raste  nxënësi është tre gjuhësh p.sh. gjuhë e nënës italishtja, e babait shqipja dhe gjuhë e shkollës frëngjishtja.

Në një anë kemi gjuhën shqipe të cilën e quajmë gjuhë e parë ( L1 ) ose gjuhë amtare meqë kronologjikisht i paraprin gjuhës së dytë. Ndërsa frëngjishtja gjuhë e dytë ( L2 ) e cila kultivohet dhe përdoret në nivelet më të larta shprehëse do të bëhet gjuhë kryesore duke lënë gjuhën amtare si gjuhë e dytë.Njohuritë e gjuhës amtare shqipe dhe njohuritë e frëngjishtes kanë rëndësinë e vet për të ndërtuar nxënësi identitetin dy-kulturor e dy gjuhësor, realitetit të cilit i përket.

Shtrirja gjeografike e të folmeve të nxënësve në Jura përfshinë të folmet e hapsirës gjeografike të Rrafshit të Kosovës, në veçanti të folmet e Anamaraves. E folmja e Moravicës, Preshevë dhe Medvegjë, të folmet e Rrafshit të Dukagjinit me të folmen e Deçanit dhe Pejës. Një numër i nxënësve flasin të folmen e Tetovës. Ndonëse të folmet e gegërishtes nuk kanë dallime të mëdha ndërmjet tyre, megjithatë ato dallohen me disa karakteristika.Vërejmë një përzirje ndërdialektore por me orientim nga gjuha standarde, njëkohësisht shqipja do të ballafaqohet edhe nga ndikimi i frëngjishtes. Shkalla e kompetencës gjuhësore në shqip e nxënësve është shumë e ndryshueshme: Nxënës me kompetencë të lartë të gjuhës së folur shqipe. Fëmijët që janë nën kujdesin e gjysheve dhe rrjedhin nga prindër të arsimuar. Nxënës që fëmijërinë e kanë kaluar në çerdhe të  bashkësisë pritëse janë me kompetencë më të ulët të shqipes, shpesh me të meta në shqiptim të disa tingujve të shqipes. Nxënës me fjalor të varëfër të folurit lokal – dialektor, me disa shprehje arkaike por janë të pranishme fjalë nga frëngjishtja.

Të përdorësh dy gjuhë do të thotë më tepër zhvillim arsimor dhe kulturor. Sa më shumë gjuhë të dish aq më shumë vlen. Mësimi plotësues i ndihmon nxënësit duke përforcuar të nxënit e gjuhës shqipe, duke u bërë ata më komunikues me prindër me të afërt me miq e të tjerë. Në përpjekjen e tij për të mbërritur në strukturën e thellë nxënësi në mësimin shqip do të mbështetet edhe në ato pika ku struktura sipërfaqësore e frëngjishtes dhe shqipes përkojnë, por njëkohësisht do të bëhen të ndërgjegjshëm edhe për të gjitha ato raste kur ka mospërkime.  Kjo do të arrihet përmes pjesëmarrjes nëpër veprime komunikatave të përsëritura shqipe, të cilat mund të përkojnë ose jo me veprime përkatëse komunikatave gjatë mësimit të frëngjishtes të cilat nga ana e tyre do të arrijnë të ndikojnë në të folurit gjuhësor të nxënësve nëpërmjet përzierjeve të natyrave të ndryshme.  

Mësuesi duhet të parashikojë dhe të kuptojë arsyet e gabimeve gjuhësore të nxënësve në mesin dygjuhësor. Për këtë është e nevojshme që jo vetëm të ketë njohuri nga fonetika e gramatika e gjuhës frënge, por edhe të këshillohet me ndonjë doracakë ndihmës dy gjuhësor apo fjalor shqip frëngjisht.  

Si rezultat i kontaktit dygjuhësor elemente të sistemit gjuhësor të frëngjishtes, ndërhyjnë në sistemin gjuhësor shqip dhe interferimet bëhen shkak për gabime të ndryshme gjuhësore tek nxënësit. Me ketë rast mund të bënim një përgjasje paraprake në nivelin e sistemit fonetik dhe atij të folurit, ku do të dëshmoheshin ato anë të tyre që bëhen shkak interferencash dhe shmangie nga gjuha shqipe.

Problemi për mësimin e gjuhës letrare përbënë ndikimi i dialektit apo të folmes së prejardhjes familjare. Pra, gjuha e folur, gjuha e shqiptuar nga të tjerët është elementi i parë i mësimit për fëmijën.  Në disa raste bëhet thjeshtësimi i fjalëve të shqipes p.sh. krëher thonë (krani), mprehëse (prese) shtëpi (shpi) etj. Një problem në vete paraqesin tingujt që i ka shqipja dhe nuk i ka frëngjishtja. Gabime që lidhen me zanoren ë të shqipes që i përgjigjet zanorja e frëngjishtës: përemri vetor shumës (Ne jemi) na del me përdorim të gabuar ( jemi). Realizohet gabim edhe zanorja yi: fjalaylli shqiptohet ili,ylberi (ilberi). Gabime tjera lidhen me parafjalën en të frëngjishtes zëvendësohet si e shqipes p.sh. Unë isha në shtëpi ( unë isha en shpi, detyrat i baj en shkollë ) ndërsa kur a shoqërohet me n  fjala anglisht gjithëmonë thuhet ( englisht ). Në shqiptimin e dyshkronjave të shqipes të cilat nuk i ka frëngjishtja: dh, gj, ll nj, rr,sh, th, xh, zh, si dhe ç e x (nxënës- nxhansa), (vallëzim –valëzim), çadër – shader . Gabime paraqet edhe tingulli h (hunda-una) e hënë ( e anë) etj..

Ndikimi i frëngjistës duhet marrë në konsideratë edhe te pasuria e fjalorit ose fjalori aktiv i nxënësve. Në të folmen e përditëshme të nxënësve spikat zëvendësimi i fjalëve të shqipes me fjalë nga frëngjishtja. Shpesh herë fjalë të së folmes shqipe priren drejt zëvendësimit me fjalë të frëngjishtes. Fjalët nga frëngjishtja përshtaten rregullave të shqipes p.sh. Mos me melanzhiu (mos me përzi). Kam nejt në kuluar ( në koridor). Mami ban gjimdans (gjimnastikë vallëzimi) etj. Sasia e madhe e huazimeve nga frëngjishtja janë të dukshme në emertime nga ushqimi: frita, lozanje, suseti, kruasone, krokmësj, etj. Emertime të pemëve si: orangja dhe oranzhina, rizeni dhe rize. Emertime që lidhen me mjedisin e shkollës:Karneti (bllok shënimesh9, regla (vizore) ,kazie (dollap librash) etj. Emertime të pjesëve të trupit: teti, gorzhi, zhnuni, sirsili etj. Kur jemi te huazimet është vështirë të konstatojmë fjalë të huazuara pasi që shpeshherë një fjalë është në dy, tri forma të shprehurit: papioni, papijona, papijanat, (flutura) cullorat, /ngjyrat, me colloru. Gabime paraqesin edhe mbiemrat e nyjshëm, në disa raste nuk vihet fare nyja i, e, të.

Ndërsa ndikimi i shqipes mbi frëngjishten, është i dukshëm tek mbiemrat duke i bërë të nyeshëm, duke u vënë atyre nyjen i ose e. Ja disa shembuj: du me e efase ( effacer- dua të fshij), ngjyra e zezë ( boja e nouart – noir), ajo ka fustanin e court etj.

Në shqip ndajfolja te përdoret me një emër të rasës emërore, dhe së bashku me të shënon vendin a sendin ku a pranë të cilit ndodhet dikush a diçka ose kryhet një veprim. Te shtëpia, te dritarja etj. Emrave në frëngjisht i shtohet ndajf. te ndonjëherë ke. Dëgjojmë shprehjet si: babi asht te la gari(stacioni i trenit) ose mënyra tjtër e shprehjes: babi më pret ke gari etj..

 

Nexhmije Mehmetaj