Integrimi

Komuniteti shqiptar, takim me autoritetet e Schaffhausen-it

Në Zvicër jetojnë rreth 170 000 shqiptarë me të drejtë vote, një potencial që duhet shfrytëzuar. Ky faktor u potencua veç tjerash në takim

Komuniteti shqiptar në Schaffhausen, organizoi mbrëmë, e premte, një takim me Kryetarin e tanishëm të Qytetit të Schaffhausenit Peter Neukomm dhe Kandidatin për Qeverinë Kantonale, Rolf Zubler, shkruan në një postim të tij në facebook Faton Topalli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Parlamentin e Kosovës dhe aktivist i njohur i komunitetit shqiptar në Zvicër.

Walter Vogelsanger, Kryetar i Parlamentit Kantonal mungoi për shkak të një takimi gjithëzviceran në nivel të kryetarëve të parlamenteve.

Ndërkaq takimi në Schaffhausen kishte për qëllim nxitjen për participim të komunitetit shqiptar në rrjedhat politike, njoftimet për ndryshimet dhe ashpërsimin e disa ligjeve në raport me të huajt dhe zgjedhjet në nivel kantonal dhe komunal. “Me këtë rast pata rast të takohem me bashkë partiakun tim në Zvicër Peter Neukomm dhe Kurt Zubler të cilët kaluan 3 orë së bashku me djem dhe vajza shqiptare për të diskutuar për temat e lartpërmendura dhe zgjedhjet që mbahen javën e ardhshme në nivel komunal dhe kantonal”, shkruan Topalli në postimin  e tij.

Gjatë koktejit të organizuar me këtë raste pati shumë diskutime bilaterale. Pjesë e listës së SP është edhe Osman Osmani i radhitur me numrin 4 në këtë listë. Osmani, siç dihet, ka qenë i zgjedhuri i parë shqiptar në një parlament kantonal në Zvicër.

“Për ata që nuk e dinë dua t`ua përkujtoj se në Zvicër jetojnë rreth 170 000 shqiptarë me të drejtë vote. Ata vinë nga Kosova, Maqedonia, Mali i ZI, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës. Ky potencial duhet të shfrytëzohet në dobi të qytetarëve të të dy vendeve. Schaffhauseni dhe aktivistët dhe simpatizuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë kanton japin një shembull të mirë. Pjesë e listës është edhe Urim Dakaj i cili kandidon në Neuhausen.

Njomëza Gutaj, Kryetare e Pikës në Cyrih përshëndeti të pranishmit dhe foli për marrëdhëniet e mira mes SP të Zvicrës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë takim unë kam potencuar marrëdhëniet e mira shqiptare-zvicerane, bashkëpunimin mes komunitetit shqiptar dhe PS-së ndër vite dhe integrimin e shqiptarëve në Zvicër duke kërkuar nga të pranishmit mbështetjen e kandidatëve të PS (partisë Socialiste të Zvicrës). PS e Zvicrës mbështeti komunitetin e shqiptarëve edhe në kohërat kur kjo i kushtoi me humbje votash”, përfundon Faton Topalli postimin e tij.