Lajme

Pritet kompletimi i komisioneve për ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhore

Arsim Bajrami i PDK-së në krye të Komisionit për ndryshimin e Kushtetutës, ndërsa Haki Demolli i LDK-së në komisionin për reformën zgjedhore

 Kryesia e Kuvendit të Kosovës gjatë javës së ardhshme pritet ta shqyrtojë kërkesën e grupeve parlamentare për formalizimin e komisioneve të veçanta, të cilat do të merren me ndryshimin e Kushtetutës dhe të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme. Të gjitha grupet parlamentare tashmë i kanë propozuar edhe anëtarët që do të punojnë në këto dy komisione.

Burime brenda Kuvendit kanë bërë të ditur se Arsim Bajrami i PDK-së do të jetë në krye të Komisionit për ndryshimin e Kushtetutës, ndërsa Haki Demolli i LDK-së do të jetë ai që do ta udhëheqë komisionin për reformën zgjedhore. 

Bajrami, i cili në fakt është edhe bashkëhartues i versionit aktual të Kushtetutës, nuk e ka përjashtuar mundësinë e të emëruarit të tij në krye të Komisionit kushtetues, por ka thënë se deri tash nuk ka marrë ndonjë informatë zyrtare.

“Kam dëgjuar se është përmendur emri im, por zyrtarisht askush nuk më ka njoftuar”, ka  thënë Bajrami për “Kohën Ditore”.