Kosova

Prishtinë: Përleshje dhe therje me thikë mes tifozëve

Ndeshja Prishtina-Llapi ka përfunduar me incidente. Udhëheqësi i tifozëve të Llapit, Bajram Bejtullahu, ka thënë se “Plisat” kanë therur disa tifozë të Llapit, përcjell albinfo.ch.

“6 persona pas ndeshjes Prishtina – Llapi në shesh janë sulmuar nga Plisat ku janë therrur me thikë. Marre për juve, marre për mikëpritjen tuaj”, ka shkruar Bejtullahu në Facebook.

Incidentin në fjalë e ka konfirmuar për albinfo.ch zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 19:30, nga QKUK, jemi njoftuar për dy persona të lënduar, njëri prej tyre dyshohet të jetë i therur me thikë. Derisa personat po marrin trajtimin mjekësor, njësitet policore janë duke punuar në zbardhjen e këtyre dy rasteve që kanë ndodhur në afërsi të sheshit “Nëna Terezë, ku dyshohet se ka pasur përleshje mes tifozëve pas një ndeshje futbollistike”, ka thënë Ahmeti.

Për rastin në fjalë, ende nuk ka të arrestuar, por Ahmeti ka njoftuar se policia është duke punuar në këtë drejtim.

“Jemi duke punuar në drejtim të identifikimit dhe arrestimit të tyre”, ka thënë Ahmeti për albinfo.ch.