Lajme

Prishtina zyrtare kërkon tërheqjen e EULEX-it nga veriu

Prishtina zyrtare ka kërkuar publikisht që misioni evropian i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, të tërhiqen nga pjesa veriore e vendin, pasi që ky mision të mërkurën e shpalli zonë të rrezikshme për pjesëtarët e saj që udhëtojnë për në komunat veriore të Kosovës, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë, si dhe në pikat kufitare G1 dhe G31.

Më i zemëruari për këtë vendim të EULEX-it ishte ministri në largim i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi. Ai ka kërkuar publikisht nga EULEX-i të tërhiqet nga veriu i Mitrovicës pas këtij vendimi. “Gjendja në Mitrovicë ka ndryshuar dhe nëse EULEX-i nuk është në gjendje të veprojë atje, le të tërhiqet dhe për sigurinë do të kujdeset KFOR-i dhe Policia e Kosovës”, i ka thënë Rexhepi gazetës “Koha Ditore”.

Por, zyrtarë të EULEX-it janë arsyetuar se këtë vendim e kanë marrë për shkak të të ndryshimit të situatës së sigurisë në atë pjesë dhe sulmit të pjesëtarëve të këtij misioni nga serbët lokalë. Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, ka deklaruar se ky vendim është marrë pas vlerësimit të fundit të situatës së sigurisë në atë pjesë. “Të gjitha misionet ndërkombëtare kanë rregulla të sigurisë, të cilat vazhdimisht rishikohen në bazë të ndryshimit të situatës së sigurisë dhe u komunikohen të gjithë anëtarëve të misionit si çështje rutinë”, ka thënë Herodes.

Në bazë të një vendimi të marrë të mërkurën, pjesëtarët e EULEX-it udhëzohen që me kushte të posaçme të lëvizin në veri të lumit Ibër.Që nga fillimi i operacionalizimit të EULEX-it në veri ka pasur disa sulme ndaj pjesëtarëve të saj. Ky mision nuk është i pranueshëm për serbët e veriut të Kosovës.