Integrimi
Prishtina me më shumë spitale të zemrës se Cyrihu
Intervistë me kardiologun shqiptar në spitalin kantonal të Lucernit, Florim Cuculi
Florim Cuculi, kardiolog në spitalin kantonal të Lucernit, deklarohet shpeshherë lidhur me situatën e popullatës me prejardhje shqiptare që jeton në Zvicër. Këtë herë ai ka folur në një intervistë për albinfo.ch për problemet me të cilat po ballafaqohet shëndetësia kosovare, sidomos në kardiologji. Ai thotë se Kosovës nuk i duhen aq shumë klinika të zemrës, ku trajtohen sëmundjet koronare. Kardiologut shqiptar në Zvicër i pengon mungesa e kontrollit në Kosovë. Se kush i mbikëqyr këto spitale, si është kualiteti i trajtimit? Intervenimet që bëhen a janë me të vërtetë të nevojshme apo bëhen thjesht për biznes? Ai në këtë intervistë për albinfo.ch ka folur edhe për biznesin me operacionet e vendosjes së stendave në zemër të pacientëve në spitalet private të Kosovës.
Albinfo.ch: Në çdo qytet të Kosovës ka një klinikë për trajtimin e sëmundjeve të zemrës… Vetëm Prishtina i ka 3 deri 4 spitale në një distancë 3 kilometërshe njëra nga tjetra. A ka nevojë Kosova për kaq spitale të zemrës, apo ndoshta edhe tërë rajonit i kishin mjaftuar?
Florim Cuculi: Supozoj që ju bëni fjalë për qendra ku trajtohet sidomos sëmundja koronare, d.m.th. diagnostikimin dhe trajtimi i arterieve të ngushtuara koronare me ballon dhe me stendë. Është e qartë se një qyteti si Prishtina nuk i duhen 3 apo 4 qendra të këtilla. Në qytetin e Zürichut ka 3 qendra ku bëhen intervenime të këtilla, por këtu bëhet fjalë për një qytet që ka një rrethinë prej 1 milion banorësh, e sidomos bëhet fjalë për një prej shteteve më të pasura në botë. Trajtimi i sëmundjes koronare kërkon një ekspertizë të veçantë, e kjo formohet vetëm me përvojë të madhe. Kuptohet që kur në secilën qendër nuk bëhen një numër i madh i intervenimeve, është vështirë të fitohet eksperienca e duhur.
Albinfo.ch: A do të thotë se kardiologjia ose kardiokirurgjia mund të jetë më shumë biznes sesa profesion human i një mjeku?
Florim Cuculi: Kjo është pyetje pak e vështirë, pasi që në një mënyrë është pyetje retorike dhe është e qartë që unë jam bërë mjek për të shëruar njerëzit, e jo për t’u pasuruar. Pastaj natyrisht që unë flas nga optika e një mjeku që punon në Zvicër dhe kam mirëkuptim për pakënaqësinë e mjekëve me rrogat e Ballkanit. Mirëpo, nga ana tjetër, në relacionin mjek-pacient çdo herë në qendër të vëmendjes duhet të jetë interesi i pacientit, e jo ai i mjekut. Unë i trajtoj pacientët e mi ashtu si do t’i kisha trajtuar prindërit e mi. Kjo më lejon të funksionoj më mirë, të themi pak më direkt, „me shpirt të pastër“.
Albinfo.ch: Operacionet me vendosjen e stendave në zemër të pacientëve në spitalet private janë shndërruar kohët e fundit në biznes mjaft profitabil për pronarët e spitaleve private dhe mantelbardhët që bashkëpunojnë me ta, si e gjykoni ju si kardiolog që jeni shkolluar dhe punoni në një spital të Zvicrës?
Florim Cuculi: Është e qartë që në një shtet të varfër si Kosova, ku rroga mesatare është ndoshta 300 euro, është e paarsyeshme të kërkohet për një intervenim disa mijë euro. Por, kjo është natyrisht edhe dobësia e shtetit, d.m.th e Qeverisë kosovare, pasi që nuk arrin që pacientëve t’u sigurojë një trajtim më të volitshëm shëndetësor. Çka më pengon mua edhe më shumë është mungesa e kontrollit. Kush i mbikëqyr këto spitale, si është kualiteti i trajtimit? Intervenimet që bëhen, a janë me të vërtetë të nevojshme apo bëhet thjesht biznes? Këto janë pyetje qendrore me të cilat duhet të merret Ministria e Shëndetësisë. Trajtimi duhet të bëhet sipas standardeve evropiane dhe për sëmundjen koronare duhet të konsultohen rekomandimet aktuale nga Shoqata evropiane e kardiologjisë.
Fenomeni i stendave të panevojshme ndodh edhe në vendet perëndimore
Albinfo.ch: Mediat kanë raportuar se për çdo pacient që e dërgojnë në këto spitale mjekët nga sektori publik përfitojnë deri në 500 euro, prandaj ka raste që pacientëve u vendosen stenda edhe pa qenë të nevojshme, si të vetëdijesohen pacientët që të mos jenë viktima të këtij biznesi?
Florim Cuculi: Në rast se kjo ndodh me të vërtetë, atëherë ky fenomen tragjik duhet të merret me shumë seriozitet. Një keqpërdorim kaq flagrant i interesave të pacientit nuk duhet toleruar. Mjeku i përgjithshëm duhet ta dërgojë pacientin te kardiologu kur do ketë nevojë, e jo për shkak se përfiton 500 euro. Por, për të qenë më korrekt, duhet thënë se fenomeni i stendave të panevojshme ndodh edhe në vendet perëndimore, sidomos në Amerikë, ku mjekët paguhen privatisht, d.m.th sa më shumë stenda, aq më shumë të holla. Në fakt, lexoj kohë pas kohe raporte ku në Amerike i gjykojnë mjekët, sepse kanë vendosur stenda pa nevojë. Për fat të mirë, punoj në një vend ku rroga është fiks dhe nuk jam i varur nga numri i stendave të implantuara.
Albinfo.ch: Pacientët që detyrohen të shkojnë nëpër këto institucione shëndetësore private për ndërhyrje kirurgjike në zemër duhet të kenë me vete së paku rreth 5000 euro, e cila shumë mund të dyfishohet në shumicën e rasteve, nëse kërkohet vendosja e më shumë se 3 stendave, si të evitohen dukuritë e tilla?
Florim Cuculi: Këtu ekziston një keqkuptim i madh edhe nga ana e pacientëve. Përfitimi më i madh nga intervenimet me stenda është i vërtetuar te pacientët me infarkt. Aty me të vërtetë pacientit i dhurohen vite jete. Por, këto intervenime duhen bërë shpejt nga mjekë me përvojë të madhe. Për fat të keq, kjo lëmi nuk është e zhvilluar mirë në Kosovë dhe në Maqedoni. Gjatë pushimeve të verës në Kërçovë dhe atje kur ke pësuar infarkt të nisin për në Shkup. Por, ka vonesa aq të mëdha sa që kur pas 90 minutash do mbërrish në Shkup, infarkti tashmë ka mbaruar, d.m.th ata që shpëtojnë në shumicën e rasteve shpëtojnë sepse patën fat. Për sëmundjen koronare stabile, d.m.th. dhimbja në gjoks jashtë fazës së infarktit nuk ka punime shkencore që vërtetojnë se pacienti do të jetojë më gjatë. Bëhet fjalë për trajtim simptomash, e jo për zgjatjen e jetës, d.m.th. për shkaqe prognozash. Për
pacientët me sëmundje koronare stabile, p.sh. dhimbje në gjoks për disa muaj apo vite, është më mirë të provohet stabilizimi me medikamente. E kur nuk funksionojnë medikamentet, atëherë bëhet kateterizimi dhe implantimi i stendave.
Albinfo.ch: Nga ana tjetër, në Kardiologjinë Invazive në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), thonë se në institucionet publike shëndetësore ka mungesë të mjeteve harxhuese (stendave) dhe për këtë arsye pacienti është i detyruar të shkojë në institucione private?
Florim Cuculi: Kjo është pak e çuditshme. Nuk e njoh gjendjen konkrete të atjeshme, por QKUK duhet të funksionojë 24 orë në ditë. Nuk e di a punojnë të punësuarit e QKUK-së edhe në spitalet private, por kjo duhet ndaluar rreptësisht. Mjeku duhet të vendosë a do punojë privatisht apo në një institucion akademik.
Albinfo.ch: Çmimet e shërbimeve në sektorin publik janë dukshëm më të ulëta se në sektorin privat. Për një koronarografi në QKUK pacientët paguajnë 150 euro, ndërsa në sektorin privat çmimi i këtij shërbimi shkon në 700 euro. Ndërsa implantimi i një stende është 350 euro në publik, dhjetëfish më lirë se në sektorin privat, ku çmimi arrin në 3500 euro deri në 4000, a janë këto çmime reale për pacientët e Kosovës?
Në Zvicër për një koronarografi ndoshta paguhet privatisht 3000 franga, por bëhet fjalë për shtetin më të pasur në botë
Florim Cucli: Nuk e kuptoj pse çmimi për një koronarografi duhet të jetë 700 euro, pasi që është diçka e thjeshtë. Në Zvicër për një koronarografi ndoshta paguhet privatisht 3000 franga zvicerane, por bëhet fjalë për shtetin më të pasur në botë. 4000 euro janë definitivisht tepër për standardin e Kosovës. Por, këtu sigurisht edhe nuk ka konkurrencë. Është e mundshme që klinikat private janë marrë vesh për çmimet, d.m.th. kanë bërë një kartelë dhe aplikojnë çmime artificialisht të larta.
Albinfo.ch: Shumica e vdekjeve shkaktohen nga sëmundjet e zemrës, prandaj sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kemi të bëjmë me një problem shumë serioz, ku numri i pacientëve është shumë i madh, atëherë pse nuk u kushtohet rëndësi pacientëve me sëmundje të këtilla?
Florim Cuculi: Kardiologjia invazive, d.m.th. puna që e bëj unë, vjen më në fund. I rëndësishëm është preventiva, për shembull, pirja e duhanit apo diabeti. Për fat të keq, këtu ekziston problemi. d.m.th. fokusohemi tepër në fund të problemit, e jo te fillimi. E them këtë si kardiolog invaziv që merrem çdo ditë me këtë sëmundje. Njëkohësisht Kosovës i duhet një qendër e fortë invazive universitare, një qendër që ka kualitet të mirë, ku vijnë rastet më të vështira nga i gjithë vendi.
Albinfo.ch: Janë disa spitale, të cilat janë të licencuara nga MSH-ja në Kosovë, ndërsa të tjerat punojnë pa kriter, si guxojnë të drejtohen pacientët në spitale të tilla?
Florim Cuculi: Do të më interesonte të informohem se çfarë kriteresh kanë plotësuar edhe këto spitale të licencuara për të qenë në listën e Ministrisë së Shëndetësisë. Këtu duhet një kontroll rigoroz, p.sh. duhet të dihet morbiditeti dhe mortaliteti i pacientëve që trajtohen në spitale të këtilla. Nuk e përjashtoj mundësinë që disa nga spitalet të ofrojnë edhe kualitet të mirë, por për momentin është si „wild west“. Kurse nga Ministria e Shëndetësisë duhet të merret përgjegjësia, d.m.th. të ndalohet trajtimi në spitalet pa licencë.
Albinfo.ch: A po e sfidon Shkupi Prishtinën, ngase atje nuk është raportuar për raste të tilla si “klinika të vdekjes”, e kështu me radhë.
Florim Cuculi: Natyrisht që kjo ka të bëjë me përvojën dhe në Shkup ka vite që bëhen këto intervenime. Nuk e di sa funksionon kontrolli në Shkup, por e di që edhe Maqedonia është shtet i korruptuar. Për fat të keq, edhe pse në Kosovë dhe në Maqedoni dinë që unë ekzistoj si kardiolog, mua nuk më kanë thirrur kurrë për ndihmë. Por, kjo ka të bëjë pak edhe me mentalitetin tonë, e ndoshta edhe pak nga frika, që ndoshta mos po iu bëj konkurrencë në të ardhmen. Nuk e di saktësisht dhe nuk dua as të spekuloj më tepër. Por, është e sigurt që unë nuk jam i vetmi që mund të kontribuojë atje dhe besoj se është detyrë e mjekëve të Kosovës dhe të Maqedonisë të na ftojnë t’u ndihmojmë në projekte konkrete.
Sevdail TAHIRI
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës