Kosova

Prioriteti ynë: Kthimi në Kosovë i shtetasve tanë të ngujuar në Zvicër

Udhëheqësi i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih z. Sami Kastrati: “Kërkesat më të mëdha drejtuar Konsullatës sonë kanë qenë për kthim në Kosovë. Numri i përgjithshëm i tyre arrin mbi 700, nga të cilët mbi 200 kërkesa të natyrës emergjente”

Bota po kalon njërën ndër krizat më të rënda të kohëve të reja dhe bashkë me të, edhe shqiptarët, kudo janë, krizën e pandemisë së koronaviorusit. Qytetarët e Kosovës që jetojnë në Zvicër detyrohen gjithashtu të jetojnë me kushtet që dikton pandemia e rrezikshme. Një numër prej tyre janë prekur nga virusi në mënyra të ndryshme. Ka nga ata që janë infektuar, disa  edhe kanë vdekur por ka sidomos shumë sish që koronavirusi ua ka mbyllur rrugët me rëndësi jetike për ta, siç është rruga për në atdhe. Lidhur me këto dhe probleme tjera, këta të fundit adresën e parë për të kërkuar zgjidhje kanë konsullatat e Republikës së Kosovës në Zvicër. Në këtë kontekst, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me Udhëheqësin e Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, z. Sami Kastratin, i cili flet për punën e konsullatës që ai drejton, në kushtet e pandemisë.

(KEYSTONE/Ennio Leanza)

Albinfo.ch: Si kanë funksionuar përfaqësitë konsullore kosovare në përgjithësi në Zvicër dhe a keni pasur bashkëpunim me autoritetet vendore në këtë kohë pandemie?

Sami Kastrati: Duke marrë parasysh situatën e krijuar si pasojë e pandemisë globale COVID-19  dhe masave shtrënguese të ndërmarra nga shteti ku ne shërbejmë, atyre në Republikën e Kosovës, por, edhe atyre nga shtetet e tjera, Misioni Diplomatik i Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës, përfshirë Konsullatat në Bernë, Gjenevë e Cyrih, por, edhe ato në shtete të tjera kanë kryer një punë jashtëzakonisht të mirë.

Ju keni qenë dëshmitarë se fillimisht ndërprerjet dhe reduktimi i shumë linjave ajrore la të ngujuar shumë shtetas të Republikës së Kosovës, jo vetëm në shtetin ku ne shërbejmë, por, edhe në disa shtete të ndryshme të botës nga Azia në Lindjen e Mesme dhe Evropë, të cilëve ju mundësua riatdhesimi vetëm falë një angazhimi dhe përkushtimi të madh dhe sistematik nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të gjitha Misioneve Diplomatike të Republikës së Kosovës dhe pa dyshim edhe Misionit tonë këtu në Zvicër. Të përballur me situatën e krijuar dhe të paprecedentë, puna jonë primare gjatë kësaj periudhe kohore u fokusua në tre drejtime:

E para, që t’i ndihmojmë shtetasit tanë, që ishin të ngujuar në shtete të ndryshme të botës, në mënyrë që të bëhet riatdhesimi i tyre në Republikën e Kosovës, duke kaluar apo shfrytëzuar transit Aeroportin e Cyrihut, i cili pothuajse kishte mbetur porta e vetme e lidhjes me Azinë dhe Lindjes së Mesme.

Në këtë drejtim, kthimi i disa shtetasve kosovarë që ishin të ngujuar në Mbretërinë e Tajlandës, pastaj nga Emiratet e Bashkuara Arabe, u bë i mundur vetëm falë angazhimit 24 orësh të Grupit Koordinues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Misioneve Diplomatike në këto shtete, garancive të ofruara nga Misioni ynë Diplomatik këtu në Zvicër dhe mbështetjes së madhe të ofruar nga Departamenti Federal për Marrëdhënie me Jashtë i Konfederatës Zvicerane. Me këtë rast, dua që t’i shpreh mirënjohje të thellë dhe respekt të veçantë kolegëve tanë nga Departamenti Federal për Marrëdhënie me Jashtë i Konfederatës Zvicerane, të cilët sinqerisht na ofruan mbështetje 24 orëshe, që këtyre shtetasve tanë t’u lejohet fillimisht nisja nga ato shtete, e pastaj edhe qëndrimi disa ditor në zonën tranzit të aeroportit të Cyrihut në një kohë shumë të vështirë dhe kur kërkesat ishin shumë të mëdha nga shumë shtete të botës. Udhëtimi i tyre ishte shumë i vështirë, pasi që në rrethana normale ata nuk do të lejoheshin të fluturonin, sepse nuk kishte fluturim ndërlidhës në Aeroportin e Cyrihut për destinacionin final. Për këtë, ne ofruam edhe garancitë tona nëpërmjet Misionit tonë Diplomatik për organizimin e fluturimit të riatdhesimit nga Zvicra në Kosovë, gjë që edhe u realizua me sukses.

Fokusi i dytë i punës ishte ndihma e vazhdueshme e ofruar për qindra shtetas tanë, gjithashtu të ngujuar këtu në Konfederatën e Zvicrës, të cilët kishin ardhur qoftë për vizita familjare, biznesore, studimore e të natyrave të ngjashme. Ju e dini se të dyja shtetet kanë lidhje të fuqishme në mes vete në shumë drejtime. Në këtë drejtim ne, arritëm që të organizojmë dy fluturime të riatdhesimit për në Republikën e Kosovës me qindra shtetas të riatdhesuar me raste të ndryshme emergjente.

Ndërsa, çështja e tretë e fokusit të punës tonë ishte ofrimi i dokumenteve – kryesisht nëpërmjet komunikimit elektronik për shtetasit tanë, që nuk kishin çështje urgjente, por kishin nevojë për dokumente për vazhdimin e leje-qëndrimit këtu, deri në krijimin e rrethanave të reja për kthim. Për këtë dua t’i falënderoj në mënyrë të veçantë edhe kolegët e mi Konsuj dhe stafin lokal në Misionin Konsullor për punën, angazhimin dhe përkushtimin e tyre gjatë kësaj kohe.

(KEYSTONE/Alexandra Wey)

Duke qenë se Zvicra është një ndër shtetet më të prekura me virus, sa është e vështirë të punoni gjatë kësaj kohe të pandemisë?

Sami Kastrati: Mund të them se ka qenë e vështirë, por jo e pamundur. Ne, kemi reaguar shpejt dhe kemi ndërmarrë të gjitha masat për ndërprerjen e punës me palë (me përjashtim të rasteve emergjente) dhe kemi respektuar në plotëni udhëzimet respektive si nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ashtu edhe ato nga Institucionet Konfederatës Zvicerane.

Cilat shërbime nuk po ofrohen në këtë kohë?

Nga data 13 mars 2020 Misioni ynë Konsullor ka ofruar shërbime konsullore vetëm për raste emergjente (rastet emergjente për kthim/riatdhesim, rastet e vdekjes, humbja e dokumenteve dhe të natyrave të ngjashme), ndërsa shërbime të tjera konsullore, si (ripërtëritja e dokumenteve apo ato të gjendjes civile) nuk janë ofruar gjatë kësaj periudhe kohore.

Meqenëse, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih më 13 mars ka njoftuar se do të ofrojë shërbime konsullore vetëm për raste emergjente, sa ka pasur raste të tilla përafërsisht?

Kemi pranuar qindra kërkesa të rasteve emergjente dhe kemi ofruar shërbime për qindra dhe mund të them për mijëra shtetas tanë, qoftë nëpërmjet këshillave/ndihmës së ofruar nëpërmjet telefonit emergjent, komunikimit nëpërmjet emailit dhe edhe kontaktit me palë, aty kur kjo ka qenë e domosdoshme për raste të natyrave emergjente.

Na tregoni më shumë rreth kërkesave të tyre, çfarë kërkesash ka pasur më shumë?

Kërkesat më të mëdha kanë qenë për kthim në Republikën e Kosovës. Nga statistikat e fundit numri i përgjithshëm i kërkesave për kthim arrin diku mbi 700, nga të cilët mbi 200 janë kërkesa me status të natyrës emergjente. Deri më tash rreth 160 shtetas të Republikës së Kosovës, që kishin raste emergjente të natyrave të ndryshme janë kthyer nëpërmjet dy fluturimeve të riatdhesimit që u organizuan- njëri në muajin mars dhe tjetrin në prill. Ne, po presim për organizimin e fluturimit të tretë të riatdhesimit sipas të gjitha gjasave diku kah fundi i javës së parë të muajit maj, në mënyrë që të mundësohet kthimi edhe i rasteve të tjera të natyrës emergjente dhe të atyre që plotësojnë kriteret për vetë-karantinim sipas rekomandimeve të IKSHPK-së për kategorinë e personave si më poshtë:

  1. Personat me probleme shëndetësore, duke përfshirë edhe sëmundjet kronike; 2.Personat e moshës mbi 70 vjeç (viti 1950);
  2. Fëmijët nën 18 vjeç që janë pa shoqërim të prindërve;
  3. Profesionistët, që do të jenë në shërbim të parandalimit dhe luftimit të COVID-19 (mjekë, policë dhe pjesëtarë të FSK-së);
  4. Personat që hyjnë në RKS dhe do të jenë përcjellës për varrime të familjarëve të tyre.

Në media po shohim se ka edhe kosovarë të prekur me virusin COVID-19 në Zvicër, keni ndonjë informatë, sa prej tyre janë të prekur?

Jo zyrtarisht ne, kemi qenë të informuar për disa raste – numër i vogël i tyre, që kanë qenë të prekur me virusin COVID-19. Sigurimi i statistikave të sakta është i vështirë, veç tjerash edhe për faktin e të mbrojtjes së të dhënave personale. Fatkeqësisht, ka pasur edhe disa raste të vdekjes nga COVID-19, numër ky më i vogël se dyshifror, për të cilët ne kemi qenë të informuar dhe kemi ofruar mbështetjen tonë sistematike shtetërore për procedura të mëtejme të riatdhesimit.

Sa është numri i të vdekurve kosovarë në regjionin që ju e mbuloni dhe në çfarë mënyre po bëhet transportit i kufomave?

Ju e dini se ne kemi një komunitet shumë të madh të shqiptarëve të Kosovës, që jetojnë në Konfederatën Zvicerane. Që nga shpërthimi i Pandemisë numri i përgjithshëm i vdekjeve, për të cilët ne kemi qenë të informuar dhe kemi ofruar ndihmën tonë për riatdhesimin e kufomave, ka qenë diku rreth 50. Transporti i kufomave është bërë dhe po vazhdon të bëhet nëpërmjet rrugëve ajrore/cargo dhe edhe nëpërmjet rrugëve tokësore. Janë organizuar edhe dy fluturime speciale për këtë. Ne, në vazhdimësi kemi ofruar mbështetjen tonë për familjarët e viktimave, qoftë në sigurimin e informacioneve të nevojshme apo sigurimin e dokumenteve në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë. Dua t’i falënderoj, gjithashtu të gjitha Misionet tona diplomatike në Gjermani, Austri, Slloveni, Kroaci dhe Mal i Zi për ndihmën që na kanë ofruar në këtë drejtim, respektivisht atëherë kur ne kemi pasur nevojë që t’i ndihmojmë shtetasit tanë, që kanë udhëtuar nëpërmjet rrugëve tokësore nga Zvicra në Republikën e Kosovës për rastet emergjente.

A ka një datë, ku ju mund të parashikoni se Konsullata t’i kthehet normales, apo ndonjë strategji të re rreth punës tuaj edhe në këtë mënyrë?

Nuk mund të them me saktësi, por kjo do të varet nga zhvillimet, që do të ndodhin në shtetin pritës, por, edhe nga udhëzimet, që ne marrim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës.

Tani në këtë kohë pandemie, cili është orari i punës për shërbimet qoftë edhe online?

Orari i punës vazhdon të jetë i njëjti, me kapacitete të limituara në Zyre – deri tre zyrtarë (të tjerët të angazhuar me punë nga shtëpia), ndërsa për rastet emergjente 24/7.

© Konsullata e Kosovës Cyrih

Kemi informacione për vdekjen e disa kosovarëve nga koronavirusi në  Zvicër

“Sigurimi i statistikave të sakta është i vështirë, veç tjerash edhe për faktin e të mbrojtjes së të dhënave personale. Fatkeqësisht, ka pasur edhe disa raste të vdekjes nga COVID-19, numër ky më i vogël se dyshifror, për të cilët ne kemi qenë të informuar dhe kemi ofruar mbështetjen tonë sistematike shtetërore për procedura të mëtejme të riatdhesimit“.

Në fund të javës, edhe një fluturim riatdhesimi

Ne po presim për organizimin e fluturimit të tretë të riatdhesimit sipas të gjitha gjasave diku kah fundi i javës së parë të muajit maj, në mënyrë që të mundësohet kthimi edhe i rasteve të tjera të natyrës emergjente dhe të atyre që plotësojnë kriteret për vetë-karantinim sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.