Kosova

Prindërit: Greva në arsim, e papranueshme, viktimë nxënësit

Pas dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit të pagave dhe pezullimi i këtij ligji nga ana e Gjykatës Kushtetuese ka bërë që SBASHK-u të marrë vendim që nesër të mbajë grevë dyorëshe në të gjithë sistemin arsimor të Kosovës.

Siç duket, kjo grevë nuk po pritet mirë nga prindërit e nxënësve. Andaj po shihet si e papranueshme nga prindërit dhe nga njohësit e fushës së arsimit, të cilët thotë se nga greva po dëmtohen vetëm nxënësit.

Sanije Bajramit është nënë e dy fëmijëve, të cilët vijojnë mësimin në kryeqytet dhe thotë se greva po i dëmton fëmijët, ka shkruar kosovapress.

Ajo thotë se SBASHK-u duhet të mendojë forma të tjera për arritjen e qëllimeve të tyre dhe jo të mbajnë greva, pasi tashmë kur është përfundimi i gjysmëvjetorit të parë po dëmtohen nxënësit.

“Shumë keq për fëmijët, është viti i fundit dhe janë duke u mbyllur notat, është shumë keq”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, ka thënë se janë të shqetësuar nga paralajmërimi për mbajtje të grevës, pasi sipas tij, nga këto greva po dëmtohen vetëm nxënësit.

Mbajtjen e grevës si të papranueshme po e sheh edhe Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, i cili thotë se është e padrejtë ndaj nxënësve që opsioni i parë i SBASHK-ut të jetë greva.

Duhet theksuar se përveç SBASHK-ut ndaj këtij vendimi kanë reaguar edhe Sindikata e Shëndetësisë dhe ajo e Policisë së Kosovës, të cilët po ashtu do të mbajnë veprime sindikale. Po ashtu, edhe Sindikata e Shërbimit Korrektues ka deklaruar se do të ndërmarrin veprime kundër këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, përcjell albinfo.ch.