Storje Suksesi

“Primordial Passion”, krijimi i parë shqiptar që po sfidon botën e orëve në Grand Prix d’Horlogerie de Genève

Krijimi i një vepre artistike është gjithmonë një udhëtim i mbushur me pasion, mjeshtëri dhe përkushtim. Për kompaninë PIRRO, një emër i njohur për bizhuteritë e saj të shkëlqyera artistike dhe veprat e artit me filigran të punuar me dorë, rruga drejt krijimit të orës së parë shqiptare ishte një përpjekje pesëvjeçare, e cila kulmoi me pjesëmarrjen në Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG).

 

“ Primordial Passion measures time with timeless beauty”. Kjo është motoja e orës së krijuar nga Pirro Ruço me një mjeshtëri mbresëlënëse, për të cilën po flitet gjithandej në botë. E punuar me plot 18 karat ari të verdhë, aty shihen 12 vallëtarët që përfaqësojnë 12 krahinat shqiptare, si dhe dy akrepët që tregojnë kohën, e që përfaqësojnë shqiponjën, simbolin shqiptar. Rripat e orës kuq e zi janë të punuar nga një mozaik gurësh prej 1500 të tillëve, në 8 ngjyra të ndryshme, të prera në 64 forma.  Ora ka një diametër prej 46.5 mm dhe një lartësi prej 22 mm, duke përfshirë kupolën prej kristali safiri.

Pirro Ruço

Në një intervistë për albinfo.ch, z. Ruço ka treguar për rëndësinë e orës “Primordial Passion” dhe pjesëmarrjes së saj në “Oscarin e Orëve” (Grand Prix d’Horlogerie de Genève)  në Gjenevë.

“Përveç teknikës, anës mjeshtërore dhe eksperiencës, ora duhet të mbante thelbin e Pirros, realizimin e një ore artistike, e cila do të përcillte pasurinë tonë më të madhe kombëtare, sikur edhe është etnografia dhe larmia e kostumografisë së krahinave të Shqipërisë. Vendosja dhe kompozimi i të gjitha këtyre elementeve ishte një përgjegjësi shumë e madhe”, ka thënë ai.

Arti, kultura dhe identiteti shqiptar mbajnë emrin “Primordial Passion”

Qëkur hapi argjendarinë e tij më 1995, Pirro Ruço qëllim kishte krijimin artistik të bazuar në traditën e kulturës shqiptare. Ai sot njihet për krijimin e bizhuterive të shkëlqyera artistike, medaljeve, relieveve të monedhave, figurinave, skulpturave në miniaturë dhe veprave të artit me filigran të punuar me dorë.

“Sjellja e përvojës së gjerë në krijimin e formave të profilit të lartë të artit ishte në qendër të përpjekjes pasionante për të përmbushur misionin, nevojën dhe detyrën e markës: krijimi i një ore artistike të përjetshme nëpërmjet artit dhe inovacionit. Kjo përpjekje u përforcua më tej nga motivimi për të prodhuar orën e parë shqiptare të nivelit të lartë, tërësisht të prodhuar në atelienë tonë. Të dyja këto sfida ndezën një përpjekje dhe përkushtim pesëvjeçar për të sjellë në jetë orën “Primordial Passion”, është shprehur z.Ruço.

Kjo orë ndërthur në vete artin, kulturën dhe identitetin shqiptar. Për z.Ruço, ora “Primordial Passion” e ka ngjizur natyrshëm emrin e vet brenda.

“´Primordial Passion´, sepse vërtet është një pasion i parë, është ekzistencë imja e ndërthurur me gjithçka brenda saj. E ndërthurur me të gjithë artin, kulturën dhe identitetin thelbësor shqiptar, kombinuar së bashku me mjeshtërinë dhe dashurinë për miniaturën dhe artin. Sikur pjesëmarrja në GPHG, edhe emri i orës lindi natyrshëm. Motoja e orës është “ Primordial Passion measures time with timeless beauty”. E them këtë, sepse, unë dua ta mas kohën me bukuri të përjetshme, duke krijuar orë artistike dhe unike që kapërcejnë funksionalitetin për t’u bërë themele të qëndrueshme të artit”, ka thënë ai.

“Primordial Passion”, e nominuar në kategorinë “Vepër Artistike”

„Metier d´Art“ ose në shqip “Vepër Artistike” është katgoria ku ora e Pirro Ruços kandidon në Grand Prix d´Horlogerie de Geneve. Rrugëtimin e saj deri aty, e ka sqaruar më së miri mjeshtri i kësaj vepre.

“Nevoja për të sjellë orën e parë shqiptare, jorastësisht, por natyrshëm solli përpara nesh GPHG, e cili është një kompeticion që për qëllim ka të nxjerrë në pah dhe të promovojë çdo vit përsosmërinë e prodhimeve bashkëkohore të orëve. Jo më kot, edhe konsiderohet dhe njihet si Orscar i nivelit të lartë”, sqaron ai

“Me t’u njohur me këtë platformë, duke e ndjekur dhe parë filozofinë e saj, e duke u prezantuar me kategoritë e ndryshme konkurruese, spikati veçanërisht njëra, tek e cila e gjenim veten dhe ishte shumë e ngjashme me ëndrrën tonë. Bëhet fjalë për ´Metiers d´Art´. Duke e studiuar këtë kategori që nga zanafilla e saj në të gjitha vitet e prezentuara me të gjithë pjesëmarrësit e saj, e pashë këtë si një mundësi, ku ne mund të shpalosnim gjithë eksperiencën tonë për të sjellë diçka ndryshe”, ka shtuar tutje z. Ruço.

Nominimet për të kaluar fazën e parë do të kuptohen në fillim të shtatorit.

“Duke marrë pjesë me diçka më ndryshe, pritshmëritë e mia janë që të kaloj fazën e parë dhe ora të jetë një nga pjesët e nominuara në këtë kategori. Më pas ajo të marrë rrugëtimin e saj drejt finales së madhe”, ka thënë ai.

Me kalimin e kohës dhe pritjen e rezultateve të GPHG-së, ora “Primordial Passion” e PIRRO-s tashmë ka fituar zemrat dhe vlerësimin e industrisë ndërkombëtare të orëbërësve. Ky krijim unik nuk është thjesht një orë, por një manifestim i identitetit kulturor shqiptar dhe mjeshtërisë artistike. Me çdo tik-tak të saj, ora rrëfen një histori të pasur dhe frymëzon një të ardhme të ndritur për artin dhe kulturën shqiptare në botë.

“Ndihem  i plotësuar dhe i realizuar për faktin se arrita të mbyll dhe të kompletoj këtë orë që ka brenda saj gjithë pasurinë kulturore dhe identitetin tonë origjinal në mënyrën më artistike”.

Rozafë Rexhepaj