Integrimi
Prifti shqiptar Don Marjan Marku zgjidhet kanonik në Ipeshkvinë e St. Gallen-it
Është prifti i parë me prejardhje të huaj dhe sigurisht shqiptari i parë në përgjithësi që zgjidhet në këtë pozitë
Murg (SG): Prifti Don Marjan Marku është zgjedhur në Kapitullin e Katedrales të Ipeshkvisë së St. Gallenit. Është prifti i parë me prejardhje të huaj dhe sigurisht shqiptari i parë në përgjithësi që zgjidhet në këtë pozitë
Kapitulli i Katedrales së Ipeshkvisë së St.Gallenit përbëhet nga pesë kanonikë rezidencialë, të cilët veprojnë si këshilltarë dhe bashkëpunëtorë të ipeshkvit në ordinariat ose në qytetin e St.Gallenit dhe nga tetë kanonikë jorezidentë, të cilët veprojnë si famullitarë në terren të ipeshkvisë, që quhen ndryshe kanonikë ruralë.
Më 6 nëntor kanonikët kanë zgjedhur famullitarin e njësisë pastorale Walensee për kanonik rural. Me këtë zgjedhje, komiteti prej 13 anëtarësh është sërish i kompletuar.
Zgjedhja bëhet secilën herë sipas procedurave të përcaktuara në mënyrë të përpikët. Nga mesi i shtatorit 2019, ipeshkvi Markus Büchel kishte përpiluar një listë prej pesë kandidatësh. Këshilli administrativ (Këshilli Qeveritar) i katolikëve të St.Gallenit mori qëndrim lidhur me këtë listë ndërsa Kapitulli i Katedrales pastaj bëri zgjedhjen dhe Don Marjan Marku shpalli pranimin e zgjedhjes së bërë. Kapitulli i Katedrales është një komitet i rëndësishëm këshilldhënës i ipeshkvit ndërsa detyra më e njohur e tij por jo e vetmja, është zgjedhja e ipeshkvit të ri.
Me zgjedhjen e Don Marjan Markut, për herë të parë në Kapitullin e Katedrales është zgjedhur një prift i cili sjell me vete përvoja nga përkujdesja pastorale në një gjuhë të huaj dhe që nuk është shtetas zviceran, citon albinfo.ch njoftimin zyrtar mbi zgjedhjen e tij në këtë post. Për ipeshkvin, Kapitullin e Katedrales dhe për Këshillin Administrativ ky është një hap i rëndësishëm dhe në përputhje me kohën, në veçanti për faktin se tashmë rreth 40 për qind të katolikëve në Zvicër kanë prejardhje të huaj.
Don Marjan Marku është i lindur në fshatin Binçë të Komunës së Vitisë, Kosovë. Ai ka studiuar filozofinë dhe teologjinë në Sarajevë ndërsa ka kurorëzuar studimet me titullin magjistër i teologjisë, në Vjenë.
Detyrën e tij të parë baritore ai e ka ushtruar nga viti 1988 deri në vitin 1993 si kapelan në Novosellë/Kosovë. Pastaj ai për 16 vite me radhë ka qenë i angazhuar si famullitar shqiptar në Austri dhe në Zvicër, derisa ipeshkvi i tij e ftoi të kthehej në Kosovë, shkruan albinfo.ch. Nga viti 2009 deri në vitin 2012 ai ishte prift në Kosovë, kryetar i një shkolle profesionale dhe përgjegjës për ekumenizëm dhe dialog në Ipeshkvinë Prizren-Prishtinë në Kosovë.
Për Don Marjan Markun, koha e kaluar në Zvicër ishte gjithnjë e pranishme me kujtime shumë pozitive. Ai kishte qenë iniciues dhe bartës i riorganizimit të misionit atëbotë të vetëm katolik shqiptar në tre misione.
Marku është kthyer sërish në Zvicër dhe nga viti 2012 vepron sërish në Ipeshkvinë e St.Gallenit, fillimisht si kapelan në unisimin e famullive “Unteres Toggenburg” ndërsa nga dhjetori 2017, është famullitar i unisimit të famullive në “Walensee”. Don Marjan Marku ndërkohë është “inkardinuar”, që sipas të drejtës kishtare do të thotë se ai është një prift i klerit të Dioqezës së Ipeshkvisë së St.Gallenit.
Ipeshkvi Markus Büchel dhe Kapitulli i Katedrales e urojnë përzemërisht Don Marjan Markun dhe i dëshirojnë atij të gjitha të mirat, gëzimin dhe bekimin e Zotit në detyrën e tij të re, shtesë.
Intronizimi (marrja e detyrës) i Don Marjan Markut për kanonik do të bëhet më 18 Janar 2020 në ora 17:30 në meshën festive në katedralën e St.Gallen-it, përcjell albinfo.ch. Kjo meshë do të drejtohet ga ipeshkvi Mons Markus Büchel.
I pyetur nga albinfo.ch. Don Marjan Markue sqaron kështu ecurinë e këtij emërimi të tij: “U plotësua vendi i fundit në kapitullin e katedrales. Si pasardhës i Roman Giger, cili tani është kanonik rezidencial, jam zgjedhur unë, si kanonik rural. Pasi që ipeshkvi i St. Gallen-it Mons Markus Büchel, i kishte dorëzuar Këshillit administrativ të pjesës konfesionale listën e pesë kandidatëve për kanonik në kantonin e St. Gallen-it, nga 5 të propozuarit, kapitulli i katedralës më datën 6 Nëntor 2019 më zgjodhi mua, për kanonik rural në Ipeshkvinë e St. Gallen-it, shprehet Don Marjani. Ai shton se ky post mbahet deri në pensionim.
Duke shpjeguar detyrën e një kanoniku, Don Marjani thotë se “praktikisht, kanonikët janë pranë ipeshkvit ashtu sikurse kardinalët që janë pranë Papës, për ta këshilluar, përkrahur dhe për të bashkëpunuar në udhëheqjen e ipeshkvisë si dhe për ta zgjedhur ipeshkvin e ri, kjo është veçori e ipshkvisë së St. Gallen-it”.
Siç thuhet edhe në njoftimin zyrtar lidhur me emërimin e ri të Don Marjan Markut, ai është kleriku i parë me sfond migracioni që avancohet në këtë pozitë, i cili do të ndërtojë ura në mesë Ipeshkvisë së St. Gallen dhe mërgimtarëve në Zvicër. Ndërsa vetë Marku thotë për albinfo.ch se është me siguri prifti i parë shqiptar në përgjithësi që emërohet në një pozitë të tillë. Ky akt është një nderim dhe vlerësim për punën e tij si meshtar në Zvicër dhe në Kosovë. Don Marjani thotë se e sheh këtë emërim edhe si vlerësim dhe mbështetje të të huajve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti, në Zvicër.
Don Marjan Marku është personalitet shumë i njohur për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe veprimtaria e tij i kalon kufijtë fetarë. Platforma albinfo.ch.ka percjellë në vazhdimësi aktivitetet e tij. Nga viti 1999, kur dhe ka marrë drejtimin e Misionit Katolik Shqiptar të Zvicrës, ai ka qenë shumë i pranishëm në aktivitetet e ndryshme kulturore, shoqërore e fetare në komunitetin shqiptar në këtë vend.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
Jeta në Zvicër
-
Çmimet e ndërtimit janë ende në rritje, por jo në Ticino Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave, rritja ndikon si në ndërtim, ashtu...
-
A janë zviceranët dorështrënguar?
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Plani i madh 5-vjeçar i punës fillon në Gjenevë vitin e ardhshëm
-
Zviceranët do të votojnë për subvencionet e trenave të natës