Futboll

Prezantohen fanellat e reja të Kombëtares së Shqipërisë

Prezantohen fanellat e reja të Kombëtares shqiptare, me një dizajn më të avancuar

Duket se stili dhe grafika novatore janë të veçanta, kombinuar me simbolet e rëndësishme të historisë e traditës së shqiponjave: Federata Shqiptare e Futbollit dhe Macron kanë zbuluar fanellat e reja (uniforma e parë, e dytë dhe e tretë), që do të shoqërojnë Kombëtaren shqiptare në rrugëtimin e kualifikuesve të Kampionatin Europian “Gjermani 2024”. Premiera është programuar të hënën, më 27 mars 2023, kur skuadra e drejtuar nga Silvinjo do të përballet me Poloninë në ndeshjen e parë kualifikuese të Grupit E.

 

Shqiponja dykrenore, që përfaqëson identitetin e një populli, guximin dhe vlerat e tij, është motivi grafik dominues në fanellat e reja të Kombëtares. I fortë dhe i qartë mesazhi në mbështetje të mjedisit: uniformat janë realizuar tërësisht nga “Eco Fabric”, një material i përbërë 100% me plastikë të riciklueshme, duke konfirmuar kështu filozofinë e gjelbër të FSHF-së dhe Macron.

Fanella e parë për ndeshjet në shtëpi është me ngjyrë të kuqe, me një jakë polo të zezë dhe mbyllje me tre kopsa. Skajet e mëngëve dhe një shirit vertikal anash janë gjithashtu me ngjyrë të zezë. Pjesa e pasme e qafës është e personalizuar me logon e FSHF, logon Macron, ku shkruhet “Designed in Bologna” për të vërtetuar dhe nxjerrë në pah se si çdo veshje është konceptuar, dizajnuar dhe zhvilluar në selinë qendrore të kompanisë në Bolonjë. Në pjesën e përparme dhe te supet fanellat karakterizohen nga një grafikë gjeometrike, brenda së cilës bie në sy dizajni i shqiponjës dykrenore. Në anën e djathtë të gjoksit, e stampuar me material silikon logoja e Macron, në të majtë logoja e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në pjesën e pasme të qafës, në kornizën e jashtme, është qëndisur “ALBANIA” në ngjyrë të bardhë. Në pjesën e poshtme të fanellës ka një shirit të brendshëm të personalizuar me mbishkrimin e përsëritur “Ti Shqipëri, më jep nder”, një fjali e kthyer në moton e Shqipërisë e marrë nga poezia e Naim Frashërit. Uniforma e parë plotësohet nga pantallona të shkurtra të zeza dhe çorape të zeza me një vijë të kuqe e të hollë në skajin e sipërm.

Fanella e dytë për ndeshjet në transfertë është me ngjyrë të bardhë me jakë polo të zezë me vijë të hollë të kuqe, një kombinim kromatik që e gjejmë në skajet e mëngëve dhe në brezin vertikal në të dyja anët. Paraqitja grafike është identike me fanellën e ndeshjeve në shtëpi me grafikë gjeometrike dhe dizajnin e shqiponjës me dy koka në pjesën e përparme.

Gjithashtu në këtë rast ka shkrimin “Ti Shqipëri, më jep nder” në shiritin e brendshëm në pjesën e poshtme të fanellës dhe shkrimin “ALBANIA” me ngjyrë të zezë në pjesën e pasme të qafës. Pantallonat e shkurtra janë të bardha me një kordon dhe shirita anësore në ngjyrë të zezë, ndërsa çorapet e bardha kanë një vijë të kuqe e të hollë në skajin e sipërm.

Së fundmi, fanella e tretë është e gjitha e zezë me detaje të kuqe në jakën me formë polo, në skajet e mëngëve dhe në vijën e hollë vertikale të kuqe anësore. Në gjoks logoja e FSHF është me silikon të kuq, ashtu si edhe logoja e Macron. Në pjesën e përparme dhe në mëngët përsëriten grafika gjeometrike dhe në qendër bie në sy dizajni i shqiponjës, simbol i Kombëtares shqiptare. Pantallonat e shkurtra të zeza kanë një vijë të kuqe e të hollë vertikale anash, një vijë të kuqe që e gjejmë në skajin e sipërm të çorapeve gjithmonë të zeza.

 

Të gjitha fanellat janë të përshtatura në përmasat Slim Fit. Materiali kryesor me të cilën janë të përbëra është Eco-Softlock dhe prania e pjesshme e materialit Eco-Mesh i bëjnë veshjet veçanërisht të lehta dhe me ajrosje perfekte.