Tematike

Presidentja Sommaruga vendosi kurorë për viktimat e Aushvicit

Sommaruga: "Sa jetë mund të kishin shpëtuar nëse më shumë burra dhe gra në Evropë do t'i kishin thënë "Jo" antisemitizmit dhe racizmit në atë kohë?"

Presidentja Federale  e Zvicrës, Simonetta Sommaruga, ka udhëtuar të hënën në Aushvic-Birkenau për të marrë pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtimit për Viktimat e Holokaustit. Ajo është shoqëruar nga të mbijetuarit zviceranë të Holokaustit dhe nga dy studentë, shkruan agjencia e lajmeve SDA.

Presidentja me këtë rast ka vendosur një kurorë në ish-kampin shfarosës Aushvic-Birkenau për të shënuar 75 vjetorin e çlirimit të kampit.

“Edhe njerëz nga Zvicra janë arrestuar gjithashtu në kampe përqendrimi, pothuajse gjysma e tyre janë vrarë atje”, ka shkruar Sommaruga në librin e kujtimeve në muzeun e Auschvicit, transmeton albinfo.ch. “Prandaj do të dëshiroja t’ju kujtoja sot, se mendimet e mia janë edhe me të mbijetuarit zviceranë, të cilët pas luftës u trajtuan në mënyrë refuzuese dhe me indiferencë”, ka vazhduar ajo më tej.

“Sa jetë mund të kishin shpëtuar nëse më shumë burra dhe gra në Evropë do t’i kishin thënë “Jo” antisemitizmit dhe racizmit në atë kohë?”, ka shtruar pyetjen  Presidentja Federale.

Ajo shpreson se krimet e ngjashme mund të parandalohen përgjithmonë dhe se do të ketë guxim për t’u përballur me regjimet e padrejtësisë. Gabimet e së kaluarës nuk mund të zhbëhen. Por ne mund të mësojmë prej tyre, duke i parë me sy kritik”, ka shkruar Sommaruga në mesazhin e saj në librin përkujtimor në muzeun e Aushvicit.