Kosova
Presidentja Osmani i propozon Britanisë marrëveshje për mbrojtje dhe ekonomi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka propozuar të mërkurën sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, lidhjen e një marrëveshjeje për mbrojtje dhe për ekonomi ndërmjet dy vendeve, përcjell albinfo.ch.
Lammy po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor, që, sipas Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ka për qëllim kyç forcimin e bashkëpunimit në luftimin e imigracionit të parregullt dhe krimit të rëndë të organizuar.
Osmani ka thënë, në një konferencë të përbashkët për media me Lammyn, se me kryediplomatin britanik ka diskutuar për “thellimin strategjik të bashkëpunimit” ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, i cili, sipas saj, “në veçanti do të mbulojë fushën e mbrojtjes dhe të ekonomisë”.
Presidentja kosovare ka bërë të ditur se ka diskutuar “gjerë e gjatë” me Lammyn, i cili ka mirëpritur idenë e një thellimi bashkëpunimi.
Osmani ka thënë se autoritetet e Kosovës janë të përkushtuara për të punuar me ato britanike për t’i dhënë formë marrëveshjes, që ajo të nënshkruhet sa më parë.
Ajo ka bërë, po ashtu, thirrje për prani edhe më aktive të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Lammy ka thënë se Ballkani është rajon që ka rëndësi për Britaninë sot, ashtu siç kishte kur Tony Blair ishte kryeministër.
Ai ka shtuar se Britania “do të vazhdojë të luajë rolin e mikes dhe partneres kyç” të Kosovës.
Kryediplomati britanik ka thënë se vendi i tij dëshiron një “normalizim të qëndrueshëm e paqësor” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa ka bërë thirrje që autoritetet e Kosovës të angazhohen me plot energji në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Osmani ka thënë se “Kosova mbetet një palë konstruktive, e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, pavarësisht se vazhdimisht përballemi me obstruksione dhe provokime nga ana e Serbisë, përfshirë edhe sulmet e njëpasnjëshme që kanë filluar vite më herët dhe po vazhdojnë edhe tani, për ç’gjë dua ta përmend sërish se është e domosdoshme që të ketë llogaridhënie dhe vënie të autorëve para përgjegjësisë nga ana e Serbisë”.
“Por, fatkeqësisht po e shohim se nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim, as sa i përket aktit të agresionit të shtatorit 2023, as sa i përket sulmit ndaj 93 ushtarëve të NATO-s, që ka ndodhur edhe më herët, po as edhe veprimeve të fundit terroriste që kanë ndodhur në veri të vendit”, është shprehur ajo.
Lammy ka thënë se Britania është kontribuuese e rëndësishme në misionin paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, i cili, sipas tij, është “absolutisht vendimtar” për sigurinë e Kosovës.
Kurti i flet Lammyt për Radoiçiqin
Të martën mbrëma, kryediplomati britanik u prit në Prishtinë nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrat e Qeverisë së tij.
Kurti ka biseduar me Lammyn, ndër të tjera, rreth situatës aktuale në rajon dhe asaj gjeopolitike në Evropë, si dhe për çështjet e sigurisë, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.
Kreu në detyrë i ekzekutivit kosovar “theksoi faktin që ende nuk ka drejtësi dhe llogaridhënie për sulmin terrorist në Banjskë, teksa Millan Radoiçiq endet i lirë dhe i mbrojtur nga aparati shtetëror serb”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023, kur kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Autoritetet në Serbi nuk pranojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.
Kurti ka shtuar se Radoiçiq “duhet të ekstradohet në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim të drejtë për veprat e tij”.
Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka vlerësuar vizitën e Lammyt në vend, duke thënë se ajo “thekson angazhimin e përbashkët për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve dhe avancimin e paqes e stabilitetit në rajon dhe më gjerë”.
Homologia kosovare e Lammyt, Donika Gërvalla-Schwarz, e ka informuar sekretarin e Jashtëm britanik për, siç është thënë në një komunikatë të MPJD-së, “sfidat e sigurisë në Ballkan, përfshirë veprimet destabilizuese të Serbisë dhe ndikimin rus, të cilat vazhdojnë të rrezikojnë stabilitetin rajonal”.
MPJD është shprehur më tej se “partneriteti mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojë të forcohet dhe të thellohet, me fokus në përmirësimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës ndërkombëtare”.
I pranishëm në takimin e Lammyt me kabinetin qeverisës të Kosovës mori pjesë edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili ka thënë se miqësia mes Kosovës dhe Britanisë është e kamotshme dhe e fortë.
E-Diaspora
-
Polici aktor, Luani, ju garanton të qeshura, “derisa të vijë policia” Në vitet 1990, ai kishte ikur nga Kosova në Gjermani me prindërit e tij. Në “Luans...
-
Hyjnë për të plaçkitur në një shtëpi: Arrestohen kosovari dhe slloveni
-
Fletëvotimet për diasporën shqiptare shpërndahen nga 15 prilli në Evropë dhe kontinentet e tjera
-
Hap dyert, shkolla shqipe në Grabs të kantonit të St. Gallenit
-
Aksidentohet autobusi me mërgimtarë që udhëtonte nga Kosova në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Identiteti elektronik në Zvicër sërish në votim Komiteti i referendumit “Jo Ligjit për e-ID” ka njoftuar të hënën se ka mbledhur mbi 60,000...
-
Shumica e grave zvicerane nuk duan fëmijë
-
Thatësira në Zvicër
-
Hyjnë për të plaçkitur në një shtëpi: Arrestohen kosovari dhe slloveni
-
Gjeneva e shqetësuar për abuzimin e shurupit me kodeinë nga adoleshentët