Kosova

Presidentja Osmani falënderon aleatët: Më 24 mars, liria mori krahë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 26-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s, ka thënë se tani Kosova ecën “krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur”.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Osmani e përshkroi 24 marsin 1999 si ditën kur “liria mori krahë” dhe “kur bota demokratike nuk heshti”.

“Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës”, ka shkruar ajo.

Presidentja e Kosovës i ka falënderuar aleatët e vendit që ndihmuan “kauzën tonë për Kosovën shtet të lirë, të pavarur e sovran”, transmeton albinfo.ch.

NATO-ja i ka nisur sulmet në caqet ushtarake e policore në ish-Jugosllavi pas masakrës së Reçakut, më 24 mars të vitit 1999. Më 10 qershor, pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.

Marrëveshja u pasua nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.