Kosova

Presidentja Osmani: Amerika nuk po kërkon ta mbajmë Urën e Ibrit mbyllur, por ta vendosim datën e hapjes bashkë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë kërkuar në asnjë moment që ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë të mbahet e mbyllur.

Sipas saj, kërkesë e SHBA-së është që të vendoset bashkë data e hapjes bazuar në vlerësimet e sigurisë, transmeton albinfo.ch.

“Po vlerësohet që duhet të bëhen përgatitje bashkë me aleatët, koordinim i përbashkët edhe për çështjen e urës, në mënyrë që të veprojmë bashkërisht. Në asnjë moment Amerika nuk po kërkon ta mbajmë urën mbyllur. Po kërkon që të ulemi bashkë dhe të vendosim datën bashkë duke u bazu në vlerësime të përbashkët të sigurisë. Unë nuk e di kush po e refuzon se unë s’jam prezente në takimet e ambasadorit me Qeverinë”, u shpreh Osmani për Kallxo.

Tutje ajo ka thënë se kërkesën për koordinim asnjëherë nuk e konsideron si nënshtrim teksa u shprej se për të ka qenë e papranueshme kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë që çështja e Urës së Ibrit të diskutohet me Serbinë në Bruksel.

Osmani ka deklaruar se synimet me SHBA-në janë të njëjta ndërsa momentumi duhet të zgjidhet bashkë.

“E kuptoj frustrimin e qytetarëve. Ura nuk është dashtë më u mbyll kurrë. Ata që na kanë çliru, jo me i pyet, por me u koordinu bashkë me ta, edhe shtetet me të mëdha ulen me shtetet e vogla e i dakordojnë disa gjëra. Jemi shtet siguria e të cilit varet edhe nga partnerët tanë. Është në interes të Kosovës që ne ta kemi NATO-n këtu dhe që Amerika të na përkrahë, nuk është nënshtrim”, ka thënë ajo.