Lajme

Presidentja Jahjaga e dënon djegien e flamurit të Maqedonisë

Presidentja e Kosovës, Jahjaga e konsideron si akt të papranueshëm dhe kërkon nga organet e rendit që t’i sjellin para drejtësisë personat që kanë bërë këtë veprim

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dënon fuqishëm djegien e flamurit të Maqedonisë në protestën e organizuar mbrëmë në Prishtinë. Jahjaga e konsideron si akt të papranueshëm dhe kërkon nga organet e rendit që t’i sjellin para drejtësisë personat që kanë bërë këtë veprim.

 

“Përderisa e drejta për të protestuar është e drejtë e garantuar me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës për të shprehur pakënaqësi për çështje të ndryshme, aktet e këtilla të shëmtuara që kanë për qëllim nxitjen e urrejtjes janë në kundërshtim të plotë me vlerat dhe idealet që i kemi përqafuar si shoqëri demokratike”, konsideron ajo.

 

Reagimi i presidentes vjen menjëherë pasi disa qindra protestues kosovarë, duke u solidarizuar me protestat në Maqedoni, kanë djegur flamurin e shtetit të Maqedonisë.

 

Protestuesit ishte mbledhur në Sheshin “Skënderbe” për të vazhduar më pas drejtë Ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë. Ata kanë brohoritur  “Stop ndarjeve fetare”, “Jemi 10 milion ushtarë të gatshëm për luftë”, “Një komb, një gjak, një nënë, një flamur”, “Shqiptari nuk vret popullatën civile” etj.

 

Protesta para Ambasadës ka zgjatur 10 minuta derisa kanë djegur edhe flamurin e maqedonas.

 

Besnik Mujeci njëri nga organizatorët e kësaj proteste ka thënë se ajo çfarë i ka shtyrë të protestojnë është dhuna dhe padrejtësitë që po u bëhen shqiptarëve në Maqedoni.

 

“Sjelljet e Policisë maqedonase ndaj shqiptarëve atje kanë qenë shumë rrituese për ne, të rrehen ashtu shqiptarët në mënyrë sistematike. Shqiptarët e rastit “Monstra” janë plotësisht të pafajshëm, ne jemi mësuar me praktikat e tyre të inskenimit të ngjarjeve të tilla, ata janë plotësisht të pafajshëm”, ka thënë ai.