Kosova

Presidenti Meta dekoron Batalionin shqiptaro-amerikan “Atlantiku”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, vlerësoi sot me anë të një ceremonie të veçantë kontributet dhe sakrificat heroike të anëtarëve të Batalionit shqiptaro-amerikan “Atlantiku”, të cilët dolën vullnetarë para 20 vjetësh duke luftuar për lirinë e Kosovës, si dhe për t’i dhënë fund gjenocidit dhe spastrimit etnik të makinerisë ushtarake të Millosheviqit ndaj popullsisë së pambrojtur civile të shqiptarëve kosovarë.

Presidenti Meta dekoroi  Batalionin “Atlantiku” me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Me mirënjohje për ndjenjat më të larta atdhetare, si dhe në vlerësim të kontributeve të jashtëzakonshme të vullnetarëve shqiptaro-amerikanë të këtij batalioni, të cilët bënë sakrificat më sublime për çlirimin e Kosovës, dhënien fund të gjenocidit e spastrimit etnik në trojet shqiptare”, shkruan koha.net, përcjell albinfo.ch.

Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve, anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju-Jorkut, Mark Gjonaj, pjesëtarëve të Batalionit shqiptaro-amerikan, familjarëve dhe të afërmve të tyre, presidenti Meta vuri në dukje rolin e pazëvendësueshëm që diaspora shqiptare ka dhënë dhe jep për Kosovën dhe Shqipërinë.

Duke marrë në dorëzim titullin e lartë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, përfaqësuesi i Batalionit “Atlantiku”, zoti Gani Shehu si dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju-Jorkut, zoti Mark Gjonaj, i shprehën mirënjohjen kreut të shtetit shqiptar dhe vunë në dukje kontributin e Presidentit Meta për suksesin e këtij udhëtimi si dhe mbështetjen e tij për vendosjen e flamujve kombëtarë përgjatë gjithë rrugës Tiranë-Prishtinë për nder të Batalionit “Atlantiku”.