Lajme

Presidenti Ivanov nuk ia jep mandatin Zaevit, thellon krizën në Maqedoni

Gjorge Ivanov ka refuzuar të mandatojë liderin e Lidhjes Social-Demokrate, për shkak të aleancës që Zaev ka bërë me shqiptarët. Ndërsa Zaev tha se Ivanov është duke mbrojtur krimin, po bën grushtshtet

Pavarësisht se ka siguruar nënshkrimet e më shumë se 61 deputetëve, Zoran Zaev nuk do ta marrë mandatin për kryeministër të ri të Maqedonisë. Kjo, pasi presidenti Gjorge Ivanov ka refuzuar të mandatojë liderin e Lidhjes Social-Demokrate, për shkak të aleancës së Zaevit që ka bërë me shqiptarët.

Në një paraqitje të jashtëzakonshme, presidenti maqedonas Ivanov tha se shkas për këtë vendim është platforma e partive politike e arritur sipas tij në “shtetin fqinj”, me të cilën sipas tij rrënohet karakteri unitar i shtetit të Maqedonisë.

“Derisa të jem President i Maqedonisë nuk do t’i jap mandatin asnjë njeriu, e asnjë partie e cila angazhohet, apo në programin e saj ka platformë për rrënimin e sovranitetit, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë, pasi thellë besoj se këto janë vlera themelore me të cilat askush nuk ka të drejtë të bëjë tregti dhe as që mendoj të heq dorë nga këto vlera”, ka deklaruar Ivanov, i cili liderin opozitar e ka apostrofuar si tradhtar.

“Me këtë platformë Maqedonia është shantazhuar, ndërsa karakteri i saj unitar, pavarësia dhe sovraniteti i saj janë rrezikuar. Procesi i koalicioneve pas-zgjedhore dhe formimi i Qeverisë së re, u bë peng i kësaj platforme pas-zgjedhore të një shteti të huaj. Dhe jo vetëm kaq, negociatat dhe pranimi i platformës së huaj është vepër e dënueshme sipas kodit penal, pasi kjo do të thotë sjellje e Maqedonisë në pozitën e gjunjëzimit apo varësisë nga një shtet i huaj”, ka shtuar Ivanov, citon REL.

Ivanov tha se nuk pret reagim nga bashkësia ndërkombëtare për mosdhënien e mandatit ashtu siç ndërkombëtarët nuk reaguam për platformës shqiptare, të hartuar sipas tij në një shtet fqinj, duke aluduar në Tiranën zyrtare.

“Nga bashkësia ndërkombëtare presim qartë dhe publikisht ta dënojë këtë platformë që paraqet përzierje e paskrupullt në punët e brendshme dhe ridefinim të karakterit unitar të shtetit tonë. Shumë mirë na kujtohet se bashkësia ndërkombëtare doli me qëndrime të tilla në raste të njëjta në vende tjera në rajon”, ka deklaruar Ivanov.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të ashpra të partive politike, në veçanti të Lidhjes social-demokrate. Zoran Zaev vendimin e ka quajtur grusht-shtet dhe të rrezikshëm për të ardhmen e stabilitetit të Maqedonisë.

“Gjorge Ivanov ka shkelur Kushtetutën e Maqedonisë dhe me këtë ka bërë grusht-shtet. Ai po e çon vendin në krizë të rënë me pasoja të rënda për të ardhmen e tij. Ai po shkakton krizë kushtetuese duke shkelur vullnetin e qytetarëve dhe firmave të siguruara për formimin e Qeverisë. Ivanov po pengon trasferin e pushtetit”, deklaroi Zaev.

Ivanov, sipas tij, është vënë në mbrojtje të krimit të VMRO-së dhe NIkolla Gruevskit. “LSDM-ja dhe unë si kryetar nuk do t’i lejojnë askush të luaj me të ardhmen e shtetit për qëllime të vetme kriminale. Ivanov duhet sa më parë të tërheq vendimin. Ai nuk guxon të shkelë mbi vullnetin e qytetarëve”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev duke i bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe ruajtjen nga provokimet e mundshme.

Vendimi i Presidentit Ivanov është dënuara edhe nga dy partitë politike shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, duke e të cilësuar të dëmshëm për të ardhmen e vendit.

“Vendimi i Ivanovit rrezikon komunitetin shqiptar në Maqedoni, andaj i ftojë SHBA-të, BE-në dhe NATO-në që të ndërhyjnë në rikthimin e shtetit të së drejtës, për të garantuar paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.