Shqipëria

Presidenti i Shqipërisë: MEPJ s’mund të kthehet në autoshkollë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i është kundërpërgjigjur Kryeministrit Edi Rama në debatin që ka filluar pas mosdekretimit të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Genc Cakaj. 

Meta ka thënë se në momente të rëndësishme të sfidave rajonale, Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë.

“Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë, ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e gjithë Ballkanit Perëndimor. Partia Socialiste ka kapacitete të jashtëzakonshme në fushën e politikës së jashtme dhe Shqipëria ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme, pa kaluar nga autoshkolla e ndryshimit të kufijve në gjithë Ballkanin Perëndimor”,  ka thënë Meta në përgjigjen e tij.