Kosova

Presidenti i jep medalje Vasfije Krasniqi Goodman

Krasniqi ka falënderuar presidentin duke shpresuar që drejtësia do të vihet në vend

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar viktimën e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës 1998-99, Vasfije Krasniqi Goodman, me medalje ndarja e titullit “Qytetar i Merituar i Republikës së Kosovës”.

Gjatë fjalimit të tij me rastin e këtij dekorimi Thaçi tha se burrat e Kosovës ndihen të turpëruar që nuk kanë bërë më shumë për rastet e përdhunimeve seksuale që kanë ndodhur gjatë viteve 1998-99 në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Ai premtoi se tutje do të kenë përkrahjen e gjitha institucioneve, duke u bërë thirrje edhe të gjitha grave dhe burrave të cilët janë të prekur nga rastet e tilla të dalin me rrëfime të së vërtetës.

“Falënderoj për këtë trimëri të jashtëzakonshme që ke treguar për të vërtetën që ka ndodhur në Kosovën e vitit 1998-99, për krimin, gjenocidin e vrasjet ndaj popullit civil të Kosovës.

Është një rast i pashembullt, por një rrëfim që thërret ndërgjegjen edhe në Kosovë, duhet ta thërret edhe ndërgjegjen e vetë popullit serb, por edhe të drejtësisë ndërkombëtare.

Falënderoj të gjitha gratë, duke përfshirë edhe ish-presidenten, Atifete Jahjaga për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë për sensibilizimin e kësaj çështje. Ne burrat e Kosovës ndihemi të turpëruar se nuk kemi mundur të bëjmë më tepër, por do të vazhdojmë në këtë drejtim për bashkëpunim me të gjitha institucionet.

Është një thirrje për të gjitha gratë dhe burrat dhe një shtytje që edhe ata të dalin dhe të tregojnë të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë.

Prandaj sot dekoroj Vasfijen për veprimtarinë dhe kontributin e dhënë në mbrojte dhe promovimin e së vërtetës”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, Krasniqi ka falënderuar presidentin duke shpresuar që drejtësia do të vihet në vend.

Më pas ajo është takuar me kryeministri e Kosovës, Ramush Haradinaj. “Duke u bërë shembull për shumë viktima të tjera, ju jeni zëri i së vërtetës që ka ndodhur mbi popullin tonë dhe në këtë mënyrë ju hapni rrugë për drejtësinë që ka munguar për dy dekada”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se një gjeneratë e tërë e vendit ka pësuar plagë dhe këto plagë janë çmimi ynë për lirinë, duke shprehur përkrahjen e parezervë të tij dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, që kjo kategori e shoqërisë të ketë vend të merituar.

Nga ana e saj, Vasfije Krasniqi Goodman, pasi falënderoi kryeministrin për pritjen, tha se me përkrahjen e vazhdueshme që ka pasur nga familja dhe rrethi, ajo ia ka dalë që të vazhdojë jetën, të krijojë familjen e saj dhe gjithashtu sot, të bëhet zëri i shumë viktimave të tjera.