Futboll

Presidenti i FIFA-s premton përkrahje për futbollin e Kosovës

Presidenti i FIFA-s është takuar me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, si dhe shumë takime të tjera

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, po qëndron në Kosovë, ku ka pasur shumë takime të rëndësishme, por edhe ka dërguar një mesazh të qartë, përcjell albinfo.ch.

“Për mua është kënaqësi dhe nder të jem në Kosovë, dhe të jem me presidentin e FFK-së. Është një shtet futbollistik. Është një koincidencë se kur unë jam bërë president i FIFA-s, Kosova u anëtarësua në të. U takuam me presidenten, kryeministrin, ministrin dhe kryetarin e Prishtinës i cili më dha çelësin e qytetit. U takuam edhe me klubet. Dua t’iu falënderoj të gjithë për atë që po bëni për të promovuar sportin. Kosova është një vend i veçantë, i ri. Është një vend i bekuar kur shikoni talentet që ka ky vend, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit. Talent të jashtëzakonshëm”, ka thënë Infantino.

Kreu i FIFA-s është shprehur i gatshëm për bashkëpunim për ndërtimin e stadiumit nacional, për të cilin thotë se do të ishte simbol i vendit.

“Diskutuam me udhëheqësit se si ta dërgojmë futbollin në një nivel tjetër. Biseduam për futbollin në shkollë, futbollin në akademi, për stadiumin nacional të këtij vendi, i cili do të ishte simbol i këtij shteti të ri. Jemi duke shikuar si të bashkëpunojmë për këtë. Dua të falënderoj Ademin që po bën një punë të jashtëzakonshme”, shtoi ai.

Infantino nuk harroi ta përmend edhe Fadil Vokrrin, për të cilin ritheksoi se gëzon respekt të madh.

“Dua ta kujtoj një person që ka qenë i afërt me mua, Fadil Vokrrin, të cilin e kam njohur para se të bëhem president i FIFA-s. Gjëja e parë që kam bërë kur kam ardhur këtu ka qenë të shkoj te stadiumi që mban emrin e tij dhe të vendosja lule para shtatores së tij”, u shpreh ai.

“Për mua ishte një nder i madh që isha për vizitë këtu dhe besoj se futbolli si te meshkujt ashtu edhe te femrat do të ketë sukses me këtë përkrahje që ka dhe do ta ketë”.