Lajme

Presidenti francez: Qëllimi i Izraelit për ta shkatërruar plotësisht Hamasin, do të thotë 10 vjet luftë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar Izraelin se shkatërrimi total i Hamasit duhet të specifikohet, pasi sipas tij, ekziston rreziku që një gjë e tillë mund të nënkuptojë 10 vjet luftë.

“Shkatërrimi total i Hamasit, çfarë është? A mendon dikush që kjo është e mundur? Nëse po, lufta do të zgjasë 10 vjet. Unë nuk mendoj se dikush seriozisht e di se si ta përcaktojë atë qëllim. Prandaj, ai synim duhet të specifikohet”, ka thënë ai, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Macron u shpreh se një luftë e mirë kundër terrorizmit nuk do të thotë bombardim sistematik dhe i vazhdueshëm teksa shtoi se përpjekjet duhet të dyfishohen për të arritur armëpushim të qëndrueshëm në luftë.

“Vazhdimi i luftimeve në Rripin e Gazës… është shqetësues dhe temë e shumë bisedimeve në Dubai. Kjo situatë kërkon përpjekje të dyfishtë për të arritur armëpushim të qëndrueshëm, për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe për t’i ofruar popullit të Gazës ndihmën për të cilën ata kanë nevojë urgjente dhe për t’i dhënë garanci Izraelit se siguria e tij është kthyer”, ka thënë ai.