Lajme

Presidenti brazilian ua hedh fajin mediave për zjarret në Amazonë

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, sulmoi mediat gjatë një fjalimi që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke i quajtur “gënjeshtra” raportimet për zjarret në Amazonë

Një ditë pasi ai nuk pranoi të marrë pjesë në një samit të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, Bolsonaro e përdori fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme për të përsëritur se Brazili ka sovranitet në mbi 60 për qind të Amazonës.

“Është e gabuar të thuhet se Amazona është pjesë e trashëgimisë botërore dhe është e gabuar të thuhet, siç pretendojnë shkencëtarët, që pyjet tona janë mushkëritë e botës”, tha Bolsonaro, shkruan REL.

Rritja e shpejtë e zjarreve në rajonin e Amazonës këtë vit ka ngjallur shqetësime ndërkombëtare për shkak të ndryshimeve klimatike.

Kritikat ndaj qeverisë së Bolsonar ishin të ashpra për, siç thuhej, dështimin për të frenuar zjarret, përcjell albinfo.ch.