Lajme

Presidenti Biden ka mbërritur në Zvicër

Presidenti i SHBA do të takohet të mërkurën me presidentin rus Vladimir Putin, takim i rëndësishëm ky, për mbajtjen e të cilit është zgjedhur Gjeneva

Presidenti i SHBA Joe Biden ka mbërritur në Zvicër, duke përmbyllur kështu udhëtimin e tij evropian, raporton srf.ch.

Ai ka aterruar në Gjenevë pak para orës 16.30 pasdite.

Bëhet e ditur se bisedimet me këshilltarët federalë Guy Parmelin (president i federatës) dhe Ignazio Cassis (ministër i jashtëm) do të mbahen rreth orës 17.30 pasdite.

Tema të takimit janë marrëdhëniet dypalëshe të Zvicrës me SHBA  si dhe ato me Rusinë. Fokusi është në ekonomi. Zvicra synon të mbajë bashkëpunim të ngushtë në arsim dhe hulumtime shkencore me SHBA, transmeton albinfo.ch.

Në bashkëbisedim bën pjesë edhe çështja e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë. Ndërsa temë e bisedimeve është gjithashtu roli i Zvicrës në përfaqësimin e interesave amerikane, në vendet si, për shembull, Irani.

Më tutje pritet të diskutohet blerja e planifikuar e avionëve luftarakë nga Ushtria Zvicerane, e ku përfshihet edhe blerja e dy aeroplanëve amerikanë.

Sipas Departamentit Federal të Punëve të Jashtme (EDA), Këshilli Federal do të mbajë një konferencë mediatike lidhur me takimin, në orën 18:30, transmeton albinfo.ch

Presidenti i SHBA do të takohet të mërkurën me presidentin rus Vladimir Putin, takim i rëndësishëm ky, për mbajtjen e të cilit është zgjedhur Gjeneva.

(Foto: SRF)