Lajme
Presidenti Begaj pritet nga homologu austriak
Presidenti Begaj, vizitë zyrtare në Austri

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në nisje të vizitës zyrtare në Austri, u prit sot me nderime të larta nga Presidenti Alexander Van der Bellen, me të cilin zhvilloi fillimisht takimin kokë më kokë, më pas atë me praninë e delegacioneve përkatëse dhe në fund, krerët e dy shteteve dhanë një konferencë të përbashkët shtypi, përcjell albinfo.at.
Në konfirmim të miqësisë tradicionale Shqipëri–Austri, krerët e dy shteteve ndanë qëndrime të njëjta për një partneritet intensiv dhe të qëndrueshëm, për përballimin e sfidave integruese rajonale dhe evropiane, si dhe për një vizion strategjik në lidhje me bashkimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Biseda mes tyre përfshiu një gamë të gjerë diskutimesh, detajet e së cilës Presidenti Begaj i bëri të ditura në konferencën për gazetarët me Presidentin Van der Bellen. Begaj i shprehu homologut të tij mirënjohjen ndaj Austrisë për mbështetjen e hershme, të vazhdueshme e të përkushtuar në shumë fusha, si: në ekonomi, arsim, turizëm, në reformën në drejtësi dhe në veçanti në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
“Marrëdhëniet tona përbëjnë një partneritet që forcohet dita-ditës”, – deklaroi Presidenti Begaj, duke theksuar se Shqipëria dhe Austria kanë një dialog politik të shkëlqyer, ndajnë të njëjtat interesa strategjike, duke ruajtur vlerat e përbashkëta euroatlantike: “Ne duhet të mundësojmë që këto interesa strategjike të reflektohen në veprime të përbashkëta për një të ardhme të një Shqipërie të zhvilluar, një Shqipëri anëtare të Bashkimit Evropian, një Ballkan Perëndimor të sigurt, paqësor dhe të integruar në BE, dhe një rajon larg ndikimit të aktorëve të tretë.”
Begaj nënvizoi se Shqipëria ka ecur me shpejtësi dy vitet e fundit dhe është optimiste për të hapur brenda vitit të gjithë grup-kapitujt, me objektiv kombëtar anëtarësimin në vitin 2030: “Pavarësisht se anëtarësimi do të marrë kohën e vet, për ne më shumë rëndësi ka procesi, i cili transformon shoqërinë, transformon mirëqeverisjen, ekonominë dhe sjell përfitime direkte për të gjithë qytetarët tanë.”
Presidenti vlerësoi Austrinë për angazhimin në mbështetje të së ardhmes së Shqipërisë në BE dhe gjithashtu lidershipin austriak për vizionin strategjik për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor të ankoruar fort në rrugën evropiane. Reflektimi i këtij angazhimi është edhe inicimi nga ana e Austrisë i grupit diplomatik “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, i cili është një koalicion që synon forcimin e angazhimit të Bashkimit Evropian për rajonin. Një qasje e tillë, – theksoi Presidenti Begaj, do të prodhojë stabilitet rajonal dhe do të zvogëlojë rreziqet gjeopolitike nga influencat e jashtme. Takimin e Komunitetit Politik Evropian, që do të zhvillohet në Tiranë më 16 maj, Presidenti Begaj e konsideroi si të rëndësishëm dhe një lajm të mirë për Shqipërinë.
Gjatë takimit Begaj–Van der Bellen u diskutua edhe Kosova, për të cilën Presidenti i Republikës i përcolli homologut të tij mirënjohje për rolin dhe kontributin e Austrisë për pavarësinë, fuqizimin e shtetit të ri të Kosovës, për njohjet e reja dhe anëtarësimin e saj në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
E-Diaspora
-
Diaspora solli në Shqipëri gati 1 miliardë euro Remitancat thyejnë rekord historik...
-
Dy motrat shqiptare nga Italia në Kampionatin për Shah
-
Austri: Arrestohet shqiptari 20-vjeçar me dy patenta shoferi false
-
Arrestohet shqiptarja, ka rrëmbyer fëmijën e saj nga ish bashkëshorti
-
Blina Kurti fitoi tri medalje në Kampionatin e Xhudos në Gjenevë
Jeta në Zvicër
-
Numri i aksidenteve me biçikletë ka pësuar një rritje të dukshme në Zvicër Numri mesatar i aksidenteve me biçikletë në rrugët zvicerane është rritur me 50% gjatë dhjetë viteve...
-
A do të bëhet realitet rrjeti hekurudhor i shpejtësisë së lartë në Evropë?
-
Gratë beqare sfidojnë ligjin zviceran për të bërë fëmijë, aplikojnë ‘turizmin e fertilitetit’
-
Google lancon kërkimin me AI në Zvicër
-
Qeveria Federale dhe kantonet planifikojnë një task forcë kundër azilkërkuesve që shkelin ligjin