Lajme

Presidenti amerikan shkon të mërkurën në Izrael

Presidenti amerikan Joe Biden do të vizitojë Izraelin të mërkurën, ndërsa kriza humanitare në Gazë vazhdon të përshkallëzohet dhe pritet të nis fillimi i ofensivës ushtarake tokësore i ushtrisë së Izraelit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e bëri të ditur udhëtimin e Presidentit Biden.

“Ai po vjen në një moment jetik për Izraelin, për rajonin, dhe për botën. Dhe po vjen për të bërë këto gjëra: Së pari, presidenti do të ripohojë solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me Izraelin dhe përkushtimin tonë të çeliktë ndaj sigurisë së tij. Së dyti, Presidenti Biden do të nënvizojë mesazhin tonë tepër të qartë për të gjithë faktorët, shtetërorë apo jo-shtetërorë, që përpiqen të përfitojnë nga kriza për ta sulmuar Izraelin. Mos e bëni këtë. Për këtë qëllim, ai ka dislokuar në rajon dy grupe luftarake detare me aeroplanmbajtëse dhe mjete të tjera ushtarake”, tha Sekretari Blinken, përcjell albinfo.ch.

Blinken tha se presidenti amerikan do të dëgjojë drejtpërsëdrejti nga kryeministri izraelit se si do t’i kryejë Izraeli operacionet ushtarake në një mënyrë që të mbahet në minimum numri i viktimave në radhët e civilëve, shkruan Zëri i Amerikës.