Lajme
Premtimet kryesore të Harrisit dhe të Trumpit
Votuesit amerikanë do të kenë mundësi të zgjedhin mes dy profileve të ndryshme për president, midis zëvendëspresidentes Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump.
Kandidatja demokrate Harris ka thënë se prioriteti i ditës së parë do të ishte përpjekja për të reduktuar kostot e ushqimit dhe të strehimit për familjet që punojnë.
Ajo ka premtuar ndalimin e rritjes së çmimeve për gjërat ushqimore, të ndihmojë ata që blenë shtëpi për herë të parë dhe të rrisë pagën minimale.
Inflacioni u rrit nën presidencën Biden, siç ndodhi në shumë vende perëndimore, pjesërisht për shkak të periudhës pas COVID-19 dhe luftës në Ukrainë. Që atëherë, inflacioni ka filluar të bjerë.
Trumpi ka premtuar “t’i japë fund inflacionit dhe ta bëjë Amerikën përsëri të përballueshme”.
Ai ka premtuar norma më të ulëta interesi, pavarësisht se ato nuk kontrollohen nga presidenti.
Ekonomistët kanë paralajmëruar se zotimi i tij për të vendosur taksa më të larta mbi importet mund të rrisë çmimet.
Taksat
Harris dëshiron t’i rrisë taksat për bizneset e mëdha dhe për amerikanët që fitojnë 400 mijë dollarë në vit.
Por ajo ka zbuluar gjithashtu një sërë masash që do të lehtësonin barrën tatimore për familjet.
Trumpi ndërkohë ka propozuar të ulë taksat, si në vitin 2017, të cilat më së shumti i ndihmuan të pasurit.
Kandidati republikan planifikon që uljen e taksave ta shpaguajë me rritjen e tarifave për importet.
Ekspertët kanë thënë se planet e të dy presidentëve për taksat do ta shtonin deficitin në rritje, por i Trumpit më shumë.
Aborti
Harris i ka kthyer të drejtat e abortit në qendër të fushatës. Ajo vazhdon të mbrojë legjislacionin që do të garantonte të drejtën e abortit në të gjithë vendin.
Trump ndërkohë nuk ka pasur mesazh të qëndrueshëm për abortin.
Tre gjyqtarët që ai emëroi në Gjykatën e Lartë sa ishte president ishin vendimtarë në vitin 2022 për përmbysjen e së drejtës kushtetuese për abort, një vendim i vitit 1973 i njohur si “Roe v Wade”.
Migracioni
Harris u përball me krizën kufitare në vitin 2023 – kur numër rekord i njerëzve kaluan nga Meksika në SHBA. Që atëherë, shifrat kanë rënë në nivelin më të ulët të katër vjetëve të fundit.
Në këtë fushatë ajo ka ashpërsuar qëndrimin dhe ka theksuar përvojën e saj si prokurore në Kaliforni për përballjen me trafikuesit e qenieve njerëzore.
Trump është zotuar ta mbyllë kufirin dhe ta ndërtojë një mur të lartë.
Ai ka premtuar gjithashtu dëbimin më të madh ndonjëherë të emigrantëve pa dokumente në historinë e SHBA-së. Ekspertët kanë thënë se nëse ndodh, kjo do të përballet me sfida ligjore.
Politika e jashtme
Harris është zotuar ta mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa duhet”. Ajo është zotuar, nëse zgjidhet, të sigurojë që SHBA-ja dhe jo Kina të fitojë “garën e shekullit XXI”.
Ajo ka qenë avokuese për një kohë të gjatë për zgjidhje me dy shtete midis izraelitëve dhe palestinezëve dhe ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Trump ka politikë të jashtme izoluese dhe dëshiron që SHBA-ja të shkëputet nga konfliktet nëpër botë.
Ai ka thënë se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë në 24 orë përmes një marrëveshjeje të negociuar me Rusinë, një veprim që demokratët thonë se do të trimëronte Vladimir Putinin.
Trump e ka pozicionuar veten si mbështetës i palëkundur i Izraelit, por ka folur pak për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Tregtia
Harris ka kritikuar planin e Trumpit për të vendosur tarifa mbi importet, duke e quajtur “taksë kombëtare për familjet që punojnë”, e cila do t’i kushtojë çdo familjeje 4 mijë dollarë në vit.
Ajo pritet të ketë qasje më të butë për taksimin e importeve, duke ruajtur tarifat që administrata Biden-Harris vendosi për disa importe kineze si automjetet elektrike.
Trump i ka vendosur tarifat për importet si premtim kryesor në këtë fushatë. Ai ka propozuar tarifa të reja 10-20 për qind për shumicën e mallrave të huaja dhe shumë më të larta për ato nga Kina.
Ai ka premtuar se do t’i nxisë kompanitë të qëndrojnë në SHBA për të prodhuar mallra, duke iu dhënë normë më të ulët të taksës së korporatës.
Kujdesi shëndetësor
Harris ka qenë pjesë e një administrate të Shtëpisë së Bardhë, e cila ka ulur kostot e barnave me recetë dhe ka kufizuar çmimet e insulinës në 35 dollarë.
Trump, i cili shpesh është zotuar ta ndryshojë Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, ka thënë se nëse zgjidhet vetëm do ta përmirësonte atë, pa ofruar specifika. Akti ka qenë i dobishëm për sigurimin shëndetësor për miliona amerikanë.
Rendi dhe ligji
Harris është përpjekur të krahasojë përvojën si prokurore me faktin se Trumpi është dënuar për një krim.
Trump është zotuar të shkatërrojë kartelet e drogës, ta shtypë dhunën e bandave dhe të rindërtojë qytetet e drejtuara nga demokratët, që thotë se janë të pushtuara nga krimi.
Armët
Harris ka premtuar politika më të ashpra për zgjerimin e kontrollit ose ndalimin e armëve – të cilat do të kenë nevojë për ndihmën e Kongresit.
Trump e ka pozicionuar veten si mbrojtës i palëkundur i Amendamentit të Dytë, të drejtës kushtetuese për të mbajtur armë. Duke iu drejtuar Shoqatës Kombëtare të Pushkës në maj, ai u shpreh se ishte miku i tyre më i mirë.
Marihuana
Harris ka bërë thirrje për dekriminalizimin e marihuanës për përdorim rekreativ. Ajo thotë se shumë njerëz janë dërguar në burg për posedim të vogël të marihuanës dhe flet për numra joproporcionalë të arrestimeve për burrat me ngjyrë dhe ata latinë.
Trump e ka zbutur qasjen dhe ka thënë se është koha për t’u dhënë fund “arrestimeve dhe burgosjeve të panevojshme” të të rriturve për sasi të vogla të marihuanës për përdorim personal.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë Gjykata ka konfirmuar se prifti ishte treguar naiv, nisur nga vetë misioni i tij, por se...
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa
-
Zvicra përpiqet të tërheqë sa më shumë milionerë