Lajme

Preken nga Bruceloza, asgjësohen 96 krerë dhi

Sëmundja e brucelozës ka goditur një tufë të dhive të kuqe e të zeza në fshatin Gajrak të Malishevës. Me vendim AVUK-së, 96 krerë dhi janë mbytur

Me vendim të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës dhe me asistimin e inspektorëve komunal, sot në fshatin Gajrak të Malishevës, janë asgjësuar 96 krerë dhi dhe një gjedh, të prekura nga sëmundja e “brucelozës”. Sipas pronarëve, nga kjo sëmundje janë prekur edhe disa anëtar të familjes së tij, të cilët janë duke u trajtuar.

Siç thuhet në një njoftim, asgjësimi është bërë, në kuadër të mbrojtjes së shëndetit dhe eliminimit të kësaj sëmundje, në mënyrë që të mos përhapet më shumë.

“Asgjësimi i këtyre kafshëve shtëpiake, është bërë në mënyrë profesionale, sipas rregullave për asgjësimin e kafshëve të sëmura dhe janë varrosur në varrezat e kafshëve, vendi i cili është i kufizuar për varreza të kafshëve të cilat asgjësohen në raste kur kanë sëmundje”, thuhet në njoftimin komunal, raporton Albinfo.Ch.