Zhvillim
Pranvera nga diaspora mbështet zhvillimin e Kosovës
Derisa të rinjtë nga Kosova janë të etur për të braktisur Kosovën, e kundërta ka ndodhur me Pranvera Ejupi-Hajzerajn. Ajo ka studiuar në Gjermani dhe përvojën e saj po e bartë në Kosovë
Pranvera është kthyer në Kosovë pas gati dy dekadash jete në Gjermani. Ajo tash apelon që diaspora shqiptare të kthehet e të kontribuojë më shumë në Kosovë, por edhe klasa politike të bëjë më shumë për diasporën dhe t’i krijohen mundësi, pasi shumë kanë dëshirë, por nuk iu ofrohen mundësi. Ajo në rrëfim për albinfo.ch tregon se si shkoi në Gjermani dhe pse vendosi të kthehet në Kosovë.
“Unë kam lindur në Prishtinë kurse në vitin 1992 së bashku me familje kemi shkuar në Gjermani. Kemi qenë të detyruar të largohemi, pasi babai im, Kamber Ejupi ka qenë i përndjekur politik. Ai gjithashtu ka udhëhequr federatën e sportit në Kosovë. Misioni ka qenë i qartë që një ditë të kthehemi dhe kontribuojmë për vendin tonë”, ka treguar në fillim Pranvera. Ajo ishte atlete e dalluar, madje kampione dhe rekordmene në hedhjen e shtizës, e treta në ish-jugosllavi. “Kemi shkuar në Mainz dhe mund të them se kemi pasur shumë fat, pasi na kanë pritur shumë mirë. Në fillim nuk ka qenë e lehtë, por jemi integruar mjaft mirë. I jemi mirënjohës këtij vendi, madje, babai im ka punuar në klubin e atletikës si trajner ku kam stërvitur unë. Kam vazhduar edhe tetë vjet me atletikë, kam qenë rekordmene dhe e gjashta në Gjermani me rekord prej 44.60 metrave. Përveç kësaj kam studiuar për Marketing dhe Komunikim, si dhe kam vazhduar magjistraturën ne Integrime Evropiane/Politika Zhvillimore”, ka shtuar tutje ajo.
- Shembull i integrimit
Pasi kreu studimet, filloi të punojë në Gjermani. “Kam punuar kryesisht në sektorin bankar por edhe në administratë publike, si në Dresden Bank, Commerc Bank, Pool Agentur e të tjera. Kam punuar më shumë se dhjetë vjet në Gjermani dhe tash, përvojën që e kam marrë në Gjermani po e transmetoj në Kosovë”, tregon Pranvera. Familja e saj është shembull i integrimit. Prindërit punuan si profesorë, babai profesor i sportit e nëna si matematiciente. Të pesë vajzat u morën me sport dhe të gjitha kanë studiuar. “Të gjitha motrat kemi studiuar dhe jemi marrë me sport. Besoj se këtë e kemi trashëgimi nga prindërit, që kanë qenë edhe frymëzim për ne”.
- Misioni i saj
Pavarësisht se kishin kushte shumë të mira në Gjermani, ajo nuk e harroi misionin e saj. “Ne jemi larguar nga Kosova pasi kemi qenë të detyruar dhe jo nga dëshira. Familja jonë ka qenë e përndjekur politikisht. Kthimi në Kosovë nuk ka qenë i lehtë. Si të gjitha familjet kosovare, kemi dhënë kontributin tonë nga perëndimi, ku dimë qe remitancat kryesore vijnë nga jashtë. Fillimisht jam kthyer në vitin 2004 deri më 2007, kurse përfundimisht jemi kthyer më 2010. Ne gjithashtu kemi edhe nënshtetësinë gjermane, që do të thotë se e kemi pasur më lehtë për të lëvizur nga Gjermania në Kosovë e anasjelltas”, thekson Pranvera, e cila është nënë e dy fëmijëve, ndërsa burri i saj punon në KFOR-in gjerman. “Punoj në organizatën gjermane ‘GIZ’ si koordinatore projektesh për reformë juridike dhe administratë publike. Ne i mbështesim institucionet e Kosovës në forma të ndryshme institucionale dhe pothuajse në të gjitha sferat.
- Mesazhi i saj
Jam e lumtur që mund të ndihmoj vendin tim dhe ky është mision im”, thotë Pranvera dhe në fund jep një mesazh për diasporën shqiptare dhe politikanët kosovarë. “Diaspora kosovare mund të kontribuojë më shumë në Kosovë. Shumë prej tyre janë të shkolluar dhe të suksesshëm, kosovaret janë njerëz shumë ambicioz me vizione të qarta.
Kemi mjekë, inxhinierë dhe gati në të gjitha sferat kuadro profesionale që duan të kontribuojnë në Kosovë në mënyra të ndryshme. Madje, kemi shumë biznesmenë të suksesshëm dhe ata duhet të vijnë të investojnë në Kosovë, por klasa politike duhet t’u ofrojë mundësi, pasi që shumë prej tyre kanë dëshirë, por nuk munden. Politikanët duhet t’iu hapen dyert, në mënyrë që të investohet dhe të hapen vende të reja pune. Kosova ka nevojë për diasporën shqiptare, sepse Kosova është shtëpia jonë”, përfundon Pranvera Ejupi-Hajzeraj.
Ish sportiste e dalluar
Ajo ishte atlete e dalluar, madje kampione dhe rekordmene në hedhjen e shtizës, e treta në ish-Jugosllavi. “Pas kalimit në Gjermani, madje, babai im ka punuar në klubin e atletikës si trajner ku kam stërvitur unë. Kam vazhduar edhe tetë vjet me atletikë, kam qenë rekordmene dhe e gjashta në Gjermani me rekord prej 44.60 metrave”
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika Polemika po rritet në lidhje me dënimin e propozuar për njerëzit që kërkojnë kujdes mjekësor urgjent...
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje
-
Gjykata Federale merr vendim për pensionin e burrave të ve
-
Çfarë faturash duhet të paguani përpara datës 31 dhjetor, në Zvicër?
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë