Kosova

Presidentja Vjosa Osmani, në vizitë zyrtare në Portugali

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka filluar vizitën zyrtare në Portugali.

Gjatë qëndrimit në këtë shtet, Presidentja Osmani do të takohet me presidentin e Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, kryetarin e Parlamentit, Eduardo Ferro Rodrigues, ministrin e Jashtëm Augusto Santos Silva, ministrin e Mbrojtjes, João Gomes Cravinho si dhe shefin e Forcave të Armatosura, admiral Silva Ribeiro.

Nga Zyra e presidentes thonë se Osmani do të mbajë fjalim në Samitin Global të Grave në Lisbonë.

“Presidentja Osmani, gjithashtu do të mbajë fjalim në Samitin Global të Grave në Lisbonë, do ta ketë një diskutim në Institutin Universitar të Lisbonës (ISCTE), takim me bizneset si dhe me një grup të diasporës në këtë shtet”, thuhet në komunikatën për medie nga kjo zyrë.

Tutje thuhet se “vizita e presidentes Osmani në këtë shtet është e para e një presidenti të Kosovës, që nga njohja e pavarësisë nga Portugalia, në tetor të vitit 2008”.