Opinione
Politikat kundër shpëlarjes së parave dhe dukurive të tjera negative në kohën e pandemisë COVID 19
Shkruan: Fehmi Mehmeti, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës
Pandemia COVID 19 ka vënë gjithë botën para një sfide të paprecedent deri më tani. Shtetet e ndryshme tani duhet që të identifikojnë sfidat kryesore dhe t’u japin përgjigje adekuate kërcënimeve dhe rreziqeve nga shpëlarja e parave, financimi i terrorizmit apo formave të tjera të krimeve financiare me anë të politikave dhe praktikave sa më efektive, të dizajnuara sipas standardeve ndërkombëtare, kornizës ligjore përkatëse dhe nevojave të ekonomisë dhe tregut vendor.
COVID 19 ka vënë në dritë përgjigje të ndryshme nga ana e qeverive, duke filluar nga asistenca sociale (ndihma financiare nëpërmjet pakove të ndryshme) dhe lirimit nga tatimet, e deri te zbatimi i masave më rigoroze dhe ndalesat e lëvizjes.
Këto masa nganjëherë edhe në mënyrë të pavërejtur dhe jo qëllimisht mund të krijojnë hapësira dhe mundësi të reja për aktivitete dyshimta për të gjeneruar të ardhura, të fituara nga këto aktivitete.
Meqenëse tregtia globale pësoi rënie dhe liria e lëvizjes në botë u kufizua në masë të madhe nga pandemia COVID 19, kjo pamundësoi apo vështirësoi në masë të madhe operimin e skemave dhe grupeve të ndryshme të dyshuara, të cilat përfitojnë në mënyrë të paligjshme në zinxhirin e qarkullimit të mallrave në nivel global dhe trans-nacional, andaj këto grupe eksplorojnë forma të reja alternative, ku potencialisht mund të jenë format ‘online’, të cilat përjashtojnë elementin e lëvizjes apo kontaktit fizik gjatë operimit dhe fatkeqësisht shihen atraktive dhe mund të keqpërdoren nga individët apo grupet me qëllim të përfitimit të paligjshëm.
Pavarësisht asaj se situata publike dhe masat e ruajtjes së shëndetit ndryshojnë varësisht nga vendi dhe juridiksioni i caktuar, të ndikuara nga masa e përhapjes së infeksionit, parametrat e përgjithshëm të rrezikut bazohen në supozimet kryesore se institucionet, biznesi dhe individët janë duke rritur përdorimin në masë të madhe të teknologjisë informative, përkatësisht platformave ‘online’ dhe rrjeteve sociale, në mënyrë që të mundësohet puna nga distanca.
Disa biznese, të cilat cilësohen si joesenciale fizikisht, janë mbyllur dhe shitjet ‘online’ janë rritur në të gjitha bizneset. Bankat dhe institucionet financiare mbesin operacionale, duke kufizuar produktet dhe shërbimet dhe duke eliminuar kontaktin fizik në masë sa më të madhe, duke u orientuar në forma të cilat mundësojnë kryerjen e aktiviteteve nga distanca, kryesisht nëpërmjet internetit.
Në këtë drejtim vlen të theksohet se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me bankat komerciale në vend dhe akterët e tjerë relevantë ka bashkëpunuar në mënyrë proaktive, duke nxjerrë udhëzim të veçantë për të mundësuar hapjen e llogarive bankare nëpërmjet platformave ‘online’, që ishte lehtësim i konsiderueshëm për individët që të përfitojnë nga pako emergjente. Efekti i këtij udhëzimi ishte tejet i dobishëm sidomos për individët që ishin në karantinë dhe e kishin të pamundur kontaktin fizik me bankën përkatëse, në mënyrë që të hapin llogari bankare apo për të kryer shërbime tjera. Këto udhëzime u vunë në jetë vetëm pas marrjes së masave adekuate mbrojtëse nga mundësia e keqpërdorimit të institucioneve financiare për qëllime të përfitimit të paligjshëm.
Raportimet dhe burimet e hapura tregojnë për një tentativë të sulmeve kibernetike për të shfrytëzuar situatën dhe përfituar nga aktivitetet e mashtrimit. Këto aktivitete përfshijnë kryesisht sulmet me qëllim të personalizimit apo vjedhjes së të dhënave dhe kontakteve të zyrtarëve të ndryshëm qeveritarë me qëllim që të përfitohet keqpërdorimi i këtyre të dhënave përmes formave të ndryshme të bamirësisë.
Që nga momenti i përhapjes së pandemisë në vendin tonë dhe kufizimi i lëvizjes, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës u përkujdes në mënyrë të vazhdueshme që sektori financiar, me theks të veçantë ai bankar, gjithmonë duke respektuar masat shëndetësore, të jenë në dispozicion për ofrimin e shërbimeve bankare për qytetarët, por në të njëjtën kohë të jenë edhe vigjilente për kërcënimet dhe rreziqet që mund të cenojnë sistemet e tyre operacionale nga aktivitetet potenciale te dyshimta.
Pas marrjes së të dhënave për nivelin dhe kapacitetet humane dhe teknike në dispozicion, bankat u udhëzuan që të shtojnë mekanizmat e tyre të kontrollit për të parandaluar ndonjë aktivitet të dyshimtë.
Në këtë drejtim, bankat dhe institucionet financiare aplikuan punën nga distanca dhe monitorimi dhe raportimi i aktiviteteve potenciale të dyshimta vazhdoi sipas normave ligjore dhe standardeve të përcaktuara.
Bashkëpunimi ndërmjet BQK-së dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, me theks të veçantë Policinë e Kosovës ishte pa rezervë, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të aktivitetit te dyshimta, kryesisht i bazuar në përdorimin e teknologjisë informative (cyber crime).
Vlen të theksohet se ky bashkëpunim tanimë ka evoluar jo vetëm në ofrimin e të dhënave dhe informacioneve sipas mandatit zyrtar ligjor, por edhe në ofrimin e këshillave profesionale nga ana e funksioneve të specializuara të BQK-së për metodat dhe mënyrat më efikase që mund të përdoren për gjurmimin dhe ndjekjen e aktiviteteve dyshimta, të bazuara në aktivitete financiare me qëllim të përfitimeve të paligjshme.
Meqenëse kemi rritje të përdorimit të teknologjisë informative dhe formave të tjera ‘online’, potencialisht edhe rreziqet e aktiviteteve te dyshimta mund të jenë në rritje, institucionet e zbatimit të ligjit kanë shtuar edhe bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, pasi që aktivitet e dyshimta nëpërmjet internetit mund prekin shume juridiksione në të njëjtën kohë.
Në këtë kontekst, roli institucioneve financiare dhe i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në zinxhirin institucional të parandalimit dhe luftimit të dukurive negative financiare mbetet tejet i rëndësishëm.
Më qëllim të ofrimit të mundësisë konsumatorëve që të kenë qasje në një llogari pagese me shërbime bazike si mjet i domosdoshëm për të nxitur pjesëmarrjen e tyre në sistemin financiar, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka draftuar Rregulloren për Qasje në Llogari Pagese me Shërbime Bazike.
Kjo rregullore i eliminon pengesat për konsumatorët që duan të përfitojnë nga avantazhet që sjellë pjesëmarrja në sistemin financiar dhe i obligon bankat të sigurojnë që qasja në një llogari pagese me shërbime bazike nuk kushtëzohet me blerjen e shërbimeve shtesë. Shërbimet bazike përfshijnë, ndër të tjera, deponimin dhe tërheqjen e fondeve në llogari pagese dhe ekzekutimin e transaksioneve të pagesave qoftë përmes debitimit direkt apo përmes një kartele përfshirë edhe pagesat në internet si dhe ofrimin e një kartele debiti.
Kjo rregullore është draftuar në pajtim me direktivën e BE-së dhe do të mundësojë, ndër të tjera, krahasueshmërinë e tarifave që kanë të bëjnë me llogaritë e pagesave, ndërrimin e llogarive të pagesave dhe qasjen në llogaritë për shërbimet bazike.
Rritja e qasjes në shërbimet financiare do të ndikojë në zhvillimin ekonomik. Inkurajimi dhe lehtësimi i qasjes në financa nëpërmjet përdorimit të sistemeve formale financiare do të ndikojë pozitivisht në luftimin e shpëlarjes së parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve të tjera financiare, duke zvogëluar sektorin joformal dhe ekonominë e zezë.
Përfshirja e personave që nuk kanë pasur qasje në financa në një sektor të rregulluar zvogëlon mundësinë e krimeve financiare. Andaj përfshirja financiare dhe një regjim efektiv i parandalimit të shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit duhet të plotësojnë njëra-tjetrën me politika që kanë qëllimin e njëjtë.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas mandatit kushtetues dhe ligjor do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e sistemit financiar, duke avancuar me infrastrukturën ligjore dhe rregullative dhe rritjen e intensifikimin të mbikëqyrjes me qëllim të parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizimit dhe formave të tjera të aktivitetit kriminal që cenojnë sistemin financiar në vend.
Bashkëpunimi proaktiv me institucionet financiare në çdo fazë të veprimit do të jetë element kyç i arritjes së këtij objektivi, gjithmonë duke u bazuar në standardet dhe praktikat më të mira dhe nevojave që lindin brenda sistemit financiar.
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?