Futboll

Politikani zviceran reagon për shqiponjën që e bëri Xhaka në Prishtinë

Granit Xhaka bëri shqiponjën sërish në Prishtinë dhe kjo nuk kaloi pa u vërejtur në Zvicër

Shqiponja e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqiriti në Kampionatin Botëror 2018 në Rusi kishte bërë bujë të madhe. Festimi ndaj Serbisë u komentua në mënyra të ndryshme, aq sa pati edhe largime në Federatën Zvicerane të Futbollit, derisa Xhaka dhe Shaqiri u desh të kërkonin falje, duke premtuar se nuk do ta bëjnë më, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, Xhaka festoi me shqiponjë sërish, edhe pse në një ndeshje luksi në Prishtinë, ku ekipi i tij luajti ndaj ekipit të përzgjedhur nga Milot Rashica.

Kjo nuk kaloi pa u vërejtur edhe në Zvicër.

Këshilltari i UDC në Zvicër, Marco Chiesa nuk i ka kursyer kritikat ndaj tij me një reagim në rrjetet sociale.

“Edhe pse premtoi para gjithë Zvicrës se nuk do ta bënte më shqiponjën, kapiteni i Zvicrës, e ka bërë sërish. Shqiponja dykrenare është simboli i Shqipërisë dhe i Shqipërisë Etnike, por edhe një emblemë e UÇK-së. Edhe pse premtoi, ai e bëri sërish. Ai e ndjeu sërish nevojën për të bërë gjestin e kontestuar në fushën e lojës, duke e kthyer politikën në kontekstin sportive”, është shprehur ndër të tjera politikani zviceran.

Xhaka është kapiten i Zvicrës dhe njëri nga futbollistët kyç, por asnjëherë nuk e ka harruar prejardhjen e tij. Graniti ishte në Elbasan për të parë Shqipërinë në ndeshjen ndaj Moldavisë, e më pas udhëtoi drejt Prishtinës për të zhvilluar ndeshjen bamirëse, duke ndihmuar dhjetë familje me nevojë.