Integrimi

Politikani shqiptaro-zviceran që zemra i rrah nga e djathta

Përparim Avdili është një nëpunës 27 vjeçar banke, kandidat i FDP-së (Partia Liberale e Zvicrës) për deputet në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut

Shqiptarët që angazhohen në politikën e Zvicrës janë me shumicë dërmuese në Partinë Socialdemokrate (SP/PS). Por ka edhe përjashtime dhe Përparim Avdili është njëri prej tyre. Ai është një bankier 27 vjeçar, kandidat i FDP-së (Partia Liberale e Zvicrës) për deputet në  Parlamentin e Kantonit të Cyrihut. Bindjet e tij liberale dhe të djathta kanë një bazament mjaft solid edhe në rrafshin teorik. Madje ai të  befason me elokuencën që e karakterizon kur rrah probleme nga më komplekset politike e sociale në një shqipe të pastër e të pasur. Diçka që nuk e gjen aq shpesh as te moshatarët e tij që janë shkolluar e kanë studiuar në gjuhën shqipe.

Ndërkaq Përparimi është lindur para 27 viteve në Lojan të Kumanovës dhe prindërit e kanë sjellë si foshnjë një vjeçe në Zvicër, ku i punonte babai prej vitesh. Gjithë kohën ka jetuar në Cyrih. Këtu ka mbaruar shkollimin fillor dhe të mesëm të ekonomisë. Ka filluar punën në bankën Credit Suise, si llogaritar dhe duke qenë punonjës i kësaj banke, ai ka vazhduar dhe kryer një sërë kualifikimesh e specializimesh për punë bankare.

Ka më shumë se një vit që punon në bankën më të madhe të Zvicrës,  në UBS, ku është  udhëheqës i një grupi llogaritar prej 8 deri 10 personash. Aty bën kontabilitetin për klientët e USB. Ngjashëm ka punuar edhe në bankën tjetër, Credit Suisse, ku e ka filluar karrierën. Ai sërish vazhdon përsosjen profesionale duke ndjekur krahas punës edhe një specializim në nivel të shkollës së lartë për bankë dhe financa. Planifikon që së shpejti të bëjë një master për bankë. Dhe, në gjithë këtë mori angazhimesh ai gjen kohën dhe motivin të merret në mënyrë aktive me politikë.

albinfo.ch: Përse pikërisht në FDP, kur shumica e madhe e të huajve në Zvicër identifikohen më shumë me partitë e majta?

P. Avdili: Mund të them se bindjet e mia personale kanë burimin që nga fëmijëria. Mendoj se ne si shqiptarë kemi qenë gjithmonë të orientuar për jetë në liri dhe për vetëvendosje, jo vetëm si popull por edhe si njerëz të veçantë, gjegjësisht për lirinë e individit, lirinë e shprehjes. Në këtë kontekst unë e shoh më të përafërt filozofinë e të jetuarit tonë me filozofinë liberale që në Zvicër përfaqësohet nga Partia Liberale, gjegjësisht FDP. Kjo filozofi i jep individit lirinë e duhur për tu zhvilluar pa kufi, ashtu që shteti të mos e kufizojë atë përmes mbikëqyrjes nga lartë, sikundër ndodhte në sistemin komunist etj.

albinfo.ch: Por, FDP nuk dallohet shumë sa i përket punës me të huajt, ose, thënë ndryshe, të huajt identifikohen më shumë me partitë e majta

P. Avdili: Sistemi socialist i sheh njerëzit të barabartë e pa dallime. Por dallime në vendës dhe të huaj nuk bëjnë as të tjerët, as FDP-ja. Unë për vete e shoh të paarsyeshme dhe kufizuese idenë përse unë si politikan shqiptar në Zvicër duhet të kufizohesha vetëm në një temë politike, pra vetëm në atë të pozicionit si i huaj ose si shqiptar. Në një rast të tillë unë po i anashkaloj të gjitha bindjet e mia personale politike. Një anomali në këtë drejtim e shoh edhe te disa shqiptarë që i njoh. Ata, në Kosovë a kudo në trojet shqiptare, u përkasin partive dhe ideologjive djathtiste ndërsa këtu në Zvicër militojnë për SP-në ose partitë majtiste. Këtu ju interesojnë vetëm çështjet për të huajt. A nuk është një paradoks ky?

Duke folur nga pozitat e FDP-së unë mund të them se Zvicra nuk ka asnjë problem me të huajt. Tradicionalisht Zvicra ka ndihmuar vendet e varfra dhe të huajt që kanë ardhur këtu, duke pranuar edhe azilkërkues, përfshirë këtu me mijëra shqiptarë.

albinfo.ch: Por a nuk perceptohen në opinionin e këtushëm partitë e djathta, përfshirë edhe FDP-në, si frenuese sa i përket të drejtave të të huajve, ose pranimit të azilkërkuesve?

P. Avdili: Shikoni, duke qenë FDP-ja themeluese e Zvicrës moderne dhe e sistemit ekzistues politik në Zvicër, në mënyrë indirekte edhe tradita e njohur humanitare e Zvicrës është ndër meritat e FDP-së. Sigurisht edhe socialdemokratët dhe sindikatat i kanë meritat përmes presionit të bërë lidhur me pranimin e të huajve. Si rezultat, Zvicra ka politikë sociale më të mirë në krahasim me vendet tjera perëndimore pasi që nuk kufizohet vetëm në ndihmat sociale “të dhëna kot” por ndihmon për teëgjeneruar vende pune ndërkohë që tregon solidaritet me ata që nuk mund të punojnë. Për këtë arsye Zvicra nuk i ka ato probleme që i kanë pasur ose i kanë shtetet fqinje në këtë drejtim.

albinfo.ch: Njihet një thënie se në moshën e re të gjithë jemi pak a shumë majtistë. Me kohë ndodhin ndryshime në të djathtë. Ndonëse ti edhe tash je ende kaq i ri, a ke qenë prej fillimit me FDP-në?

P.Avdili: Si adoleshent ke përshtypjen se socializmi ka fytyre më njerëzore dhe është e natyrshme ta përqafosh. Por kur rriteshe piqesh e sheh se socializmi në teori është shumë i mirë por në praktike nuk përshtatet sa duhet me natyrën njerëzore. Nuk përshtatet, thjesht, pasi që gjithmonë ka njerëz që “e shfrytëzojnë socializmin e të tjerëve”. Prandaj duhet ekzistojë një sistem i lirë, i pakontrolluar prej tjetërkujt, sidomos prej shtetit, duhet të ekzistojë një treg i lirë, jetë e lirë. T`u jepen mundësitë të gjithëve për tu zhvilluar lirshëm.

albinfo.ch: Po në rrafshin e politikës në trojet shqiptare, cila është rryma që përputhet më shumë me konceptet tua liberale zvicerane?

P.Avdili: Jam i frymëzuar prej Ibrahim Rugovës, për të cilin mendoj se mund të krahasohet me shumë pak personalitete shqiptare. Mendimi im është se ai ka pasur një filozofi të ngjashme me atë çka nënkuptohet në perëndim si qëndrim liberal. Ndërkaq, sot, edhe pse nuk jam majtist, unë pajtohem me disa qëndrime të Vetëvendosjes, e cila në fakt perceptohet si e majtë. Ajo kërkon që në Kosovë, para se të lëshohemi në një kapitalizëm të egër, të vendosen disa themele që garantojnë stabilitet të zhvillimit të kapitalizmit të vërtetë. Gjërat duhet të vijnë në mënyrë të natyrshme e jo dhunshëm e me trauma, siç kanë ardhur në Kosovë nga klasat politike në pushtet.

albinfo.ch: Ju tashmë jeni kandidat për deputet në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, Ky kandidim nënkupton një besim të konsiderueshëm të partisë suaj ndaj jush. Cila është rruga e deritashme që keni bërë në këtë parti?

P.Avdili: Anëtar i FDP-së jam tash 4 vjet, ndërsa simpatizant dhe votues i saj jam prej se kam të drejtë vote. Megjithatë, nuk e ndaj gjithmonë 100% mendimin me partinë time. Prandaj kemi fat ne në Zvicër që mund të votojmë madje deri 20 herë në vit (përmes referendumeve në nivele të ndryshme).

Tash, sa i përket angazhimit tim në FDP. Në pjesën e Cyrihut ku jetoj unë, në Altstetten  që i bie Qarku i 9-të, FDP-ja kishte nevojë për “gjak të ri” dhe unë kisha interesim të angazhohesha, kështu që fillova të aktivizohesa më shumë. Në mars të vitit 2014 hyra në kryesi të FDP-së në Altstetten, që përbëhet nga 7 anëtarë. Më vonë edhe më kandiduan…

albinfo.ch: FDP njihet si një parti e elitave. Sa mund të depërtojnë të huajt në strukturat e saj? Konkretisht, a ka, përveç jush, në ndonjë nivel të partisë, kandidat ose të zgjedhur, persona me prejardhje të huaj?

P.Avdili: Është e vërtetë se FDP gëzon namin si parti e elitave, e profesorëve, sipërmarrësve, intelektualëve. Por FDP u takon të gjithëve pasi që filozofia e saj liberale përfshin të gjithë, përfshin edhe të huajt. Mirëpo temat me të cilat merret kjo parti janë goxha komplekse dhe ndodh jo rrallë të mos kuptohen nga qytetari i thjeshtë. Kjo ndoshta i largon ne një mënyrë masat nga FDP. Megjithatë, nuk mendoj se ka një antipati në opinion ndaj saj, të llojit që ka ndaj SVP-së. Një problem i FDP-së është pamundësia për tu identifikuar fuqishëm me ndonjë problematikë. Kështu, SVP, dihet, identifikohet me qëndrimin rigid ndaj të huajve, SP-ja me të kundërtën e kësaj, CVP-ja  me vlerat konservatore, familjare, të krishtera. Prandaj FDP-ja ka pasur një amulli në këtë drejtim. Është fat që kryetari i ri, Philipp Müller ka filluar “ta zbresë në tokë” politikën e FDP-së. Për këtë arsye ka trend ngritjeje të elektoratit.

Kur jemi te kandidatët ose te të zgjedhurit e kësaj partie që kanë prejardhje të huaj, sigurisht që janë ende të pakët. Ka anëtarësi dhe zgjedhës por sigurisht jo shumë. Ndërsa ka shumë pak ose fare këshilltarë apo kandidatë. Po u shikua përbërja e 12 të kandiduarve nga rrethi im për Parlamentin e Kantonit, vetëm 2 jemi me prejardhje të huaj (tjetri është italian). Duhet pranuar se politika ndaj të huajve nuk është prioritet i parë i FDP-së. Por vetvetiu, duke përqafuar vlerat ku mbështetet FDP-ja përfitojnë edhe të huajt.

albinfo.ch: Për çka duhet të ju zgjedhë pikërisht ju një qytetar me të drejtë vote në rrethin tuaj zgjedhor?

P. Avdili: Në politikë merresh me gjëra konkrete. Parimisht, veproj sipas motos  së politikës liberale “Më pak shtet, më shumë qytetarë”, që shtetit t`i jepen më pak kompetenca e qytetarit më shumë liri. Shteti duhet të jetë sigurisht i fortë por të mos kufizojë liritë njerëzore.

Në nivelin lokal e kantonal unë do të angazhohesha që vetë sipërmarrësit me bizneset e tyre të kenë mundësi të veprojnë më lirshëm. Pastaj burokracia në Zvicër është shumë e madhe, ajo është jo produktive dhe u bën dëm të gjithëve. Me reduktimin e saj përfitojnë bizneset, me përfitimin e bizneseve përfiton ekonomia dhe indirekt rritet edhe mirëqenia e popullit. Pastaj do të angazhohem për shpenzimin më më me nikoqirllëk të tatimeve brenda kantonit etj.

albinfo.ch: Po të huajt, apo konkretisht shqiptarët çka mund të presin nga ju?

P.Avdili: Aty ku ka arsyetim të qartë për të ndihmuar azilkërkuesit ose të huajt tjerë, edhe Zvicra ka detyrim moral të kujdeset në masën që i takon. Ata duhet ndihmuar që nga hapat e parë të integrimit e deri te dhënia e shtetësisë zvicerane. Prandaj mesazhi im i është i qartë: shqiptarët te integrohen 100 për qind, pa frikë se do të asimilohen sepse nuk ka asnjë arsye të asimilohet së paku ajo gjeneratë për integrimin e të cilës po flasim. Ata që frikësohen se duke u integruar mirë po asimilohen, për mua janë personalitete të dobëta. Nëse ndjehemi shqiptarë dhe pretendojmë se kemi personaliet të fortë, nuk duhet të frikësohemi nga integrimi. Mund të duket jomodeste por po e marr shembullin tim: unë konsideroj se jam i integruar 100% në Zvicër por aspak i asimiluar, mua më rrah zemra shqip.

albinfo.ch: Cili është imazhi i shqiptarëve në Zvicër dhe a e meritojnë një imazh të tillë?

P-Avdili: Assesi shqiptarët nuk e meritojnë këtë imazh jo të mirë që e kanë. Është për të ardhur keq por për këtë nuk duhet fajësuar vetëm shoqërinë zvicerane. Është problem i përgjithshëm njerëzor, futja në të njëjtin thes e të gjithë të huajve kur ndonjëri prej tyre eksponohet me vepra të këqija. Mendoj se edhe ne shqiptarët do ta bënim këtë. Mund të  them se duhet distancuar nga çdo veprim i keq i dikujt, pa marrë parasysh a është shqiptar apo jo. Medie të caktuara sigurisht e bëjnë punën e tyre duke ndjekur me dëshirë pikat e zeza por ne duhet ta bëjmë të kundërtën me shembuj të integrimit, të participimit në jetë politike, shtetërore etj.

Nuk jemi sa duhet të integruar. Këtë e them pasi që ka potencial të madh në mesin e shqiptarëve. Jo se ne jemi të zgjedhurit e botës dhe do të bënim çudira por kemi potencial që të angazhohemi më shumë.

“ jam 100% i integruar në Zvicër por zemra më rrah shqip”

Ata që frikësohen se duke u integruar mirë po asimilohen, për mua janë personalitete të dobëta. Nëse ndjehemi shqiptarë dhe pretendojmë se kemi personaliet të fortë, nuk duhet të frikësohemi nga integrimi. Mund të duket jomodeste por po e marr shembullin tim: unë konsideroj se jam i integruar 100% në Zvicër por aspak i asimiluar, mua më rrah zemra shqip.